Skandalet në shëndetësi, mjekë me pasuri 2 milion Euro në Elbasan

    426
    Sigal

    Nis verifikimi abuzimeve dhe parave të pista nga KEMP-et tek investimet me fondet e shtetit

    Asnjë qytetar i Elbasanit nuk do ta kishte menduar se, sot ka mjekë që pavarësisht se kanë më pak apo më shumë se 10 vjet punë, pavarësisht se kanë të deklaruara zyrtarisht se kanë “një apartament, një makinë dhe një konto bankare prej 1 milion lekësh”, ata janë njerëzit më të pasur, madje konkurrojnë me prokurorët e gjyqtarët. Në Elbasan sot ka e pakta 15 mjekë që kanë një pasuri që shkon nga 800 mijë deri 2 milion euro, ku një pjesë e kësaj pasurie e padeklaruar në ILDKP. Kjo patjetër përbën shkelje ligjore, krim ekonomik, dhe masat ndaj tyre duhet të jenë radikale. Abuzimi i milionerëve tek bluzat e bardha në Elbasan, ka nisur nga KEMP-et, nga komisionet që miratojnë dosjet e invalidëve dhe kontigjentit të personave me aftësi të kufizuara. Burime nga dega e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan i thanë “Telegraf” se “kontrollet dhe verifikimet tona dhe të KLSH kanë zbuluar skandale të komisioneve të miratimit të statusit të invalidit dhe personave me aftësi të kufizuar, janë miratuar brenda një muaji rreth 120 dosje, llogarit sa janë bërë të tilla fiktive në një vit, të cilat kanë mangësi ligjore, është kryer shpërdorim detyre, dhe abuzim i pastër”. Asnjëherë në 10 vitet e fundit, ISSH dhe ISKSH nuk kanë marrë mundimin të verifikojnë rastet e abuzimit, të kontrollojnë dhe zbulojnë pas denoncimeve autorët e skandaleve të tilla. Skandale të cilat kanë pasuruar mjekë të cilët janë marrë prej vitesh me këto komisione të cilat kanë punuar brenda degës së Sigurimeve Shoqërore. Por skandalet kanë vazhduar edhe në strukturat e tjera të shëndetësisë në Elbasan. Asnjëherë nuk janë deklaruar nga drejtuesit dhe postet e rangjeve të tjera, pasuritë e tyre reale. Asnjëherë më pare ILDKP nuk është ndalur seriozisht dhe nuk ka verifikuar imtësisht aktivitetin dhe pasuritë e fshehta të bosëve të bluzave të bardha në këtë qytet. Asnjëherë më parë Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë mundimin të kontrollojë dhe verifikojë denoncimet e qytetarëve dhe të ndonjë zyrtari lokal mbi klinikat pirate private të bosëve të shëndetësisë në Elbasan. Kjo neglizhencë ka sjellë shkatërrimin e shërbimit mjekësor në vitet e fundit, aq sa është e vështirë të ri ngrihen sot nga stafi drejtues aktual. Pothuajse gjysma e specialistëve të Ambulancës Qendrore dhe Spitaleve i transferojnë të gjitha vizitat e zakonshme qoftë edhe ato urgjente, në oraret kur ata janë në klinikat e tyre private. Kuptohet çdo shërbim me çmime të kripura, duke nisur nga analizat laboratorike, dhe recetat e ilaçeve detyrohen ti blejnë në farmacitë e tyre. Bosët e bluzave të bardha në Elbasan, në këtë qytet me kontraste të jashtëzakonshme jetese, pasi mbi 70 për qind e qytetarëve jeton në fukarallëk, duket se kanë vënë nën trysni dhe “kontroll” edhe shefat e Tiranës. Kjo pasi nuk ka si shpjegohet kapadaillëku dhe brutaliteti i tyre veçanërisht ndaj drejtuesve lokalë, apo mungesa e respektimit të orarit të punës, e etikës profesionale dhe detyrimit ligjor për të deklaruar gjithçka kanë pasuri. Mashtrimi me deklaratën e pasurisë kudo në botë konsiderohet krim ekonomik, fshehja e pasurive me ligj edhe në Shqipëri konsiderohet krim ekonomik, dhe ka sanksione dhe nene të veçanta të Kodit Penal që penalizojnë rëndë çdo zyrtar. Më e pakta është largimi nga detyra dhe ushtrimi profesionit, më e shumta gjobë dhe 3-5 vjet burg.

    Mjekët, të pangopurit që majmen me vuajtjet dhe jetën e pacientëve

     Përtej zhurmës zyrtare për reformë e ‘përmirësime të situatës në spitale’, situata, pothuaj në të gjithë vendin është shuam e rëndë. Këtë, e vuajnë qytetarët në ‘kurrizin’ e tyre. Nuk mund të mbarosh punë tek mjeku po nuk pagove, nuk ka ilaçe në spitale por duhet ti blesh në treg, pikërisht tek farmacisti që të rekomandon mjeku i lidhur me ‘të. Ka papastërti në mjedise, mjekë që janë kthyer në ‘kasapë’, që edhe pse u vdes në duar, paratë ti mbajnë. “Mos shkoni më larg, po shikoni situatën në spitalin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë. Shumica e mjekëve, me ndonjë përjashtim të rrallë, janë të dy, apo tre punësuar. Të presin me angari këtu në spitalin shtetëror, e të rekomandojnë në ‘X’ apo ‘Y’ spital privat dhe të afrojnë cilësi shërbimi e garanci jete. Por kur shkon në spitalin privat, shikon po të njëjtët mjekë që ke lënë tek ‘Nënë Tereza’. Paguan qindra apo mijëra euro, e në të shumtën e rasteve, nuk gjejnë shërim. Mos paç hall në spital… Kështu thoshin dikur, por sot, ka vajtur ku nuk mbanë më. Dhe ato fonde që vijnë për investime, shumica shkon në xhepat e zyrtarëve të shëndetësisë. Ministri Beqaj i di këto skandale, por nuk po ndërhynë. Mbase duhet të largohet vetë. Dhe qeveria, që kur ishin në opozitë na premtoi shërbim shëndetësor falas, të vej dorë”- pohon për “Telegraf” një nga mjekët e spitalit ‘Nënë Tereza”. Janë me qindra e mijëra raste të denoncuara kundër mafies së bluzave të bardha, por para drejtësisë, fiton paraja dhe ata dalin të lagur. Kohë më parë, familjarët e 73-vjeçares G.H., denoncuan një nga mjekët e njohur të Tiranës e drejtues i një institucioni shtetëror që u mori 8400 euro duke operuar po vetë tek spitali privat të moshuarën me ‘garanci’ jete, por që i vdiq në duar. Bile, e varrosën dhe pa ekspertizë. Dhe kur policia u vu në lëvizje pa denoncimit, në vend që ta ndalonte, e ‘shoqëroi’ deri në aeroport që të shkonte në Francë, ku banonin familjarët.

    ILIR DELIMETA