Skandalet në ministrinë e Beqajt. Mësues dhe agronomë në krye të institucioneve shëndetësore

565
Sigal

Denoncime nga Korça dhe Devolli: ‘Në Korçë, në krye të Spitalit Rajonal, një inxhinier i ndërlidhjes. Në Devoll, në krye të DSHP një ushtarak, ndërsa drejtor i spitalit një mësues. Situatë e rënduar në spitalet e gjithë vendit

 Dhe pse nuk lë rast pa theksuar publikisht ‘sukseset’ e arritura në shërbimin shëndetësor gjatë një viti, me siguri dhe vetë ministri Ilir Beqaj nuk e beson atë që thotë. Kjo për faktin se shumica e shqiptarëve e shohin me sy, e vuajnë në shëndetin e tyre, e vuajnë në pamundësinë për të paguar mjekët për një operim, e vuajnë teksa nga spitalet publike i përcjellin tek private se ‘nuk ka ilaçe’, ‘nuk ka aparatura’, e tek private i pret i njëjti mjek, i cili është dy apo shumë punësuar! Nuk mund të thuash se në spitale s‘ka mungesë ilaçesh, se ka pastërti, se mjekët, infermieret e deri pastrueset nuk të rrjepin nga xhepat! Pse nuk e di këtë ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe funksionarët e shëndetësisë që ai ka rreth vetes e vartës të tij!? Sigurisht që i di… Lidhur me situatën aktuale në sektorin e  shëndetësisë, përtej premtimeve elektorale dhe ‘sukseseve’ të një viti qeverisje, pothuaj nuk ka ndryshuar asgjë. Po numëron ‘sukseset’, pasi siç thotë një shprehje e urtë e popullit “Ashtu ja do mushka drutë!”.  Po cilat janë disa nga shkaqet e kësaj situate të rëndë në sektorin e Shëndetësisë. Së pari, nuk ka një strategji për reformë efektive në këtë sektor, në drejtim të institucioneve shëndetësore, në shumë raste, nuk janë mjekë specialist, por mësues, inxhinierë apo agronomë! Së dyti, emërimet nepotike e klanore, dy apo shumë punësimi i mjekëve dhe  korrupsioni tashmë që lulëzon ‘në dritë të diellit”. Së treti, monopolet dhe interesat e mafies së shëndetësisë që ka pushtuar tregun e ilaçeve dhe paraliza e qëllimshme e spitaleve publike për t’u lënë hapësira atyre private që po rrjepin xhepat e shqiptarëve hallexhinj. Denoncimet për abuzime e skandaleve në fushën e shëndetësisë janë bërë me dhjetëra apo qindra. Janë denoncime nga Tirana, Korça, Durrësi, Vlora e shumë rrethe të tjera të vendit. Shifra, fakte deri rrëqethëse (shitje e shtëpisë për një operim) apo deri dhe vdekje pacientësh. Por situata vazhdon të jetë e njëjtë. “Ka ardhur koha që ministria, qeveria, të mendoj seriozisht për këtë sektor, pasi bëhet fjalë për shëndetin tonë. U ngopëm me premtime të pa mbajtura e na ka vajtur ku nuk mbanë më”- denoncojnë në letrat e dërguara në “Telegraf” qytetarët e revoltuar që sfiliten në spitalet tona pa mundur të lehtësojnë dhimbjet e të marrin atë shërbim për të cilin paguajnë në formën e sigurimeve dhe në forma të tjera. Ja disa shembuj që tregojnë situatën reale të shëndetësisë në disa rrethe të vendit…

NË KORÇË

Në Korçë dhe, jo vetëm atje, në krye të institucioneve e spitaleve, nuk janë emëruar mjekë, por mësues, inxhinierë e agronomë. Në emërimet e fundit të qeverisjes së Rilindjes, si drejtor i Spitalit Rajonal të Korçës, është emëruar P. P., me profesion inxhinier ndërlidhje. Se çfarë e lidh sektorin e shëndetësisë me një inxhinier, këtë vetëm ata të emërtesës mund ta dinë! Emërimi i këtij inxhinieri në një Spital Rajonal, ku duhet të marrin shërbimin banorët e tre rretheve të Qarkut, është absurd. Kështu vlerësohet nga mjekët, nga qytetarët dhe nga shumica e faktorëve të tjerë të komunitetit vendas. Ka pak mjekë të aftë qyteti i traditave, Korça, që të vihet në krye të këtij institucioni të rëndësishëm!? Sigurisht që po. Por i preferuari i së majtës për këtë funksion është një inxhinier, ndonëse ka qenë deri dje me të djathtën, nëpunës i lartë lokal dhe që është akuzuar jo pak për të ashtuquajturën reformë që hoqi nga puna shumë specialistë të majtë. E përsëri është i njëjti njeri, tashmë nga inxhinier Telekomi, katapultohet nga Rilindja si drejtor i Spitalit Rajonal të Korrtës. “Emërimi i tij, është ndër rastet më tipike e skandaloze, e është pritur me pakënaqësi masive. Ai është njeri i panjohur për të Majtën në Korçë, e pa asnjë kontribut. Është i njëjti person që kur ishte inxhinier i Telekomit, kur në pushtet ishte PD-ja, ishte në ballë të fushatës për largimin nga puna të socialistëve. Tani është emëruar drejtor spitali, për të bërë reformë, tashmë për të majtën”,- pohojnë për ‘Telegraf’ burime nga strukturat e majta lokale që nuk duan të identifikohen. Mjekë të Spitalit Rajonal të Korçës, tregojnë (denoncojnë) paaftësinë e inxhinierit-drejtor shëndeti. “Është skandal. Në cilin vend të botës mund të ndodhë kështu. Askund, vetëm tek ne. Askush në këtë qytete  më gjerë, nuk priste që në krye të shëndetit të emërohet një inxhinier. Është konfliktual, nuk njeh asnjë problem, vetëm zihet e acarohet me ne. Ne e dimë, se ai ka lidhje të forta me pushtetarë që janë në Tiranë, ndaj e sollën këtu. Ne diskutojmë për probleme profesionale, diskutojmë për aparatura mjekësore, ai është krejt jashtë loje. Por ka firmë e vulë, e vetëm pengesë për punën bëhet nga paaftësia apo mosnjohja e problemeve. Merre me mend si mund të shkojë puna këtu tek ne…”,- pohon një mjek i Spitalit Rajonal të Korçës. Në këtë rast, nuk po ndalemi tek interesat që mund të kenë emërime si ky (interesa personale), tek nepotizmi i përfolur apo privilegje të tjera, por tek fakti se reforma e propaganduar në sektorin e shëndetësisë, së pari, duhet të drejtohet nga specialistët e fushës. “Raste të tilla nuk janë të vetme në institucionet në qarkun e Korçës. Ndërsa emërimi i prefektit aktual në Korçë, i cili njihet për lidhjet që ka me shtetarë të lartë në Tiranë, i ka vënë hallkën më të fortë të emërimeve të kësaj natyre në Korçë”,- shkruan një banor i Korçës për “Telegraf”.

NË DEVOLL

E njëjta situatë, për sa i përket gjendjes së institucioneve shëndetësore është dhe në rrethin e Devollit. Gjendja në spital është e mjerueshme, mungojnë ilaçet më të domosdoshme, mungojnë aparaturat mjekësore, ndërsa qytetarët hallexhinj, janë të detyruar që të boshatisin xhepat për një shërbim tek bluzat e bardha. Dhe në Devoll, në krye të spitalit, ashtu si në  Spitalin Rajonal të Korçës, nuk është mjek, por një mësues. I përzgjedhuri i ministrit Ilir Beqaj në krye të spitalit, është V.N., që thonë se ka mbaruar për gjuhë të huaj… Pra, dhe këtu nuk është mjek. “Drejtori i spitalit në Devoll, është mësues i gjuhës italiane… Më duket se e ka mbaruar shkollën, ndonëse ca thonë që ende jo. Po kjo nuk ka rëndësi. Ai nuk është njeri i keq, por jo për të drejtuar shëndetësinë. Ka pak mjekë këtu në Bilisht, të njohur në rrethe  më gjerë, me bindje të majta e pa parti… Por ata nuk i emëron kush… Se çfarë i duhet atij dhe detyra e drejtorit të spitalit, ai dhe ata që e vunë mund ta dinë më mirë. Për një gjë e them me plot gojën dhe jo vetëm unë: Aty ai ka ardhur për punë të tjera e jo për të përmirësuar shërbimin shëndetësor”,- pohon një qytetar. Por përmasat e skandalit në emërimet në fushën e shëndetësisë në Devoll nuk mbarojnë këtu. Dhe në krye të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Devoll, nuk është mjek. “Drejtor i Shëndetit Publik në Devoll është V.N., 63 vjet, ish- ushtarak Zallheri (në mos gaboj) që ka mbaruar dhe Juridikun. Drejtori i emëruar ka biznese, ka një supermarket, ka një lokal, ka dhe biznese të tjera… Po atyre që e emërojnë, u duhet të jetë aty ku e vunë:- shton burimi i mësipërm. Pra, në krye të dy institucioneve shëndetësore në Devoll, janë emëruar jo specialistë.

SITUATË E NJËJTË

Situatë e tillë, referuar letrave që vijnë në “Telegraf” dhe investigimeve (disa në proces), tregojnë se e njëjta situatë është dhe në disa qarqe e rrethe të tjera të vendit. Emërime jashtë profesionit, persona që nuk kanë lidhje me profesionin e mjekut dhe shëndetësinë, por janë partiakë apo njerëz të përfolur për lidhje të afërta me deputetë e ministra. Ndërsa pasojat e kësaj reforme të shumëpërfolur, pasqyrohen në gjendjen e spitaleve dhe situatën problematike të kujdesit shëndetësor që e vuajnë qytetarët. “Në shumë spitale mungojnë ilaçet e domosdoshme, deri ato elementaret. Që të futesh në spital, duhet të paguash, ndryshe dhe mund të vdesësh. Aparaturat janë të prishura, apo më saktë, mbahen qëllimisht të tilla. Mjekët të presin, e të rekomandojnë spitalet private ku punojnë vetë apo punojnë familjarë të tyre. Kështu është në Tiranë, në Berat, Në Durrës, etj… Mjekët janë të lidhur ME farmaci të caktuara, ku janë vetë pronarë ose kanë lidhje të përbashkëta biznesi. Në spitale mungojnë deri detergjentet, çarçafët etj… Është situatë skandaloze, ndonëse ministri flet se reforma po ecën mbarë”,- shtojnë burimet për “Telegraf”.

PAK NGA DENONCIMET

Denoncimet për korrupsion në sistemin e shëndetësisë, abuzime të mjekëve e drejtuesve të institucioneve, deri me pasojë vdekje, janë të shumta. Po ashtu, në media e me letra, qytetarët kanë bërë ‘mal’ denoncimesh lidhur me situatën e rënduar në spitale… Po me gjithë këto skandale e denoncime, fatkeqësisht, konstatohet një nënvleftësim i pashpjegueshëm nga ministri Ilir Beqaj e njerëzit me pushtet në shëndetësi që ai mbanë pranë. Ja pak ‘grimca’ nga ‘mali’ i denoncimeve:

T. Lenja (Tiranë):-Dërgova motrën për një operacion në gju tek “Nënë Tereza”. Mjeku, që është dhe funksionar i lartë në arsimin shëndetësor, bëri operacionin, por na tha se duhet një ndërhyrje urgjente në zemër, ndërhyrje që sipas tij, nuk bëhej te ‘Nënë Tereza’ po në një spital privat. U alarmuam se na tha që ndërhyrja duhet bërë shpejt, për të evituar pasojat. Shkuam në spitalin privat që na rekomandoi. Atje gjetëm po atë, mjekun e ‘Nënë Terezës’. Punonte vetë atje. Na kërkoi 8400 euro e ja dhamë. Na dha dhe garanci jete. Po motra vdiq. Na kthyen vetëm 4000 euro. Nuk i bënë autopsi motrës, as ekspertizë mjeko-ligjore, por na thanë ta nisnim shpejt në Sarandë, ku banonte e ku i bëmë ceremoninë. Bëra denoncimin në Polici. Ndërhynë dhe nuk donin ta administronin… Së fundi e administruan. Po të nesërmen, mjeku iku në Francë ku ka vilën. Nuk po bëhet gjë. Mjeku më mori paratë dhe më vdiq motrën…!

Xhevahir G: Më sorollatën gjatë për gruan e sëmurë dhe më çuan në klinikë private për ta bërë operacionin  në zemër. Mjekët ishin të lidhur, bashkëpunonin. Nuk kisha asnjë lekë. U detyrova të shes shtëpinë për të paguar 10 milionë lekë të operacionit. Po ai që nuk ka shtëpi, është me qira, në një rast të tillë duhet të vdesë! Paguajmë gjithë jetën sigurimin shëndetësor, po nuk na hynë në punë.

Privati përdhos shtetin

Të njëjtët mjekë që shërbejnë në sistemin tonë shëndetësor, por që paguhen nga taksapaguesit shqiptar, kur të presin në spitalin shtetëror sillen si harbutë, ndërsa të përulen e të lëpihen kur shkon në klinikat e tyre private. Për këtë mjaftojnë ankesat e qindra pacientëve, të cilët janë trajtuar si të njerkut në spitalet shtetërore, ndërsa si mbretër në spitalet private, ku vetë mjekët i sugjerojnë. Z. ministër i Shëndetësisë, si ka mundësi që privati të përdhosë shtetin në këtë mënyrë?

Materniteti i Durrësit, si banjë publike

Nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë përfaqëson një spital lindje me maternitetin e qytetit të Durrësit. Qytetarët ankohen se ambientet spitalore janë për të vënë duart në kokë, në tualete nuk shkohet dot. E, pikërisht, atje, ku çdo gjë duhet të jetë sterile, pasi rrezikohet shëndeti i nënave, por për më tepër ajo i foshnjave që vijnë në jetë. Mirë mungesa e barnave, z. ministër, por pastërtia kaq e vështirë është për t’u mbajtur në spitalet tona?

Punonjëset sanitare të spitaleve shtetërore punojnë te privati

Burimet japin për “Telegraf” një lajm, i cili duhet verifikuar më parë. Sipas burimeve, thuhet se, punonjëset sanitare, të cilat marrin rrogën si të punësuara në spitalet shtetërore punojnë njëkohësisht, edhe në bizneset private të shefave të tyre në spitalet shtetërore. Kjo, në fakt, shpjegon dhe gjendjen skandaloze, për sa i përket pastërtisë në spitalet tona.

Edhe pse të sëmurë, qytetarët nuk marrin dot “KEMP”-in

Edhe nëse je në gjendje të rëndë shëndetësore, për të përfituar KEMP-in, do të duhet të rrish në radhë orë e ditë të tëra për të dalë në komision. Kështu, -babai i një vajze të sëmurë nga fshatrat e Tiranës, edhe pse ka humbur disa herë ndjenjat, nuk është futur dot në komision. Gjithashtu, dhe plot të moshuar, mbi 70 vjeç, nuk kanë arritur të dorëzojnë dot dokumentet. Qytetarët ankohen se përveçse hallit që u ka rënë në kokë dhe shëndetit të munguar, ata nuk marrin si duhet edhe shërbimin nga zyrat e shtetit.  Një KEMP nuk shkon më shumë se 9400 lekë dhe qytetarët thonë se kjo e drejtë po fitohet nga ata që nuk e meritojnë, nën moton e pastrimit të skemës.

APEL MINISTRIT

Normalisht, në një situatë të tillë të institucioneve e përkujdesjes shtetërore, ministri duhet të jepte dorëheqjen, ose kryeministri do e kishte shkarkuar. Siç ndodh në Shqipëri, kur qeveritarët vrasin në ‘ditë me diell’ e nuk tunden nga ‘istikami’, as që mund të pritet një gjest dorëheqje nga Ilir Beqaj. Por minimalisht, një gjë duhet të bëj: Të paktën, mos dalë më para kamerave të rendisë ‘sukseset’, pasi në realitet nuk qëndrojnë! Minimalja kjo…në Bilisht, të njohur në rrethe  më gjerë, me bindje të majta e pa parti… Por ata nuk i emëron kush… Se çfarë i duhet atij dhe detyra e drejtorit të spitalit, ai dhe ata që e vunë mund ta dinë më mirë. Për një gjë e them me plot gojën dhe jo vetëm unë: Aty ai ka ardhur për punë të tjera e jo për të përmirësuar shërbimin shëndetësor”

Agron LIKU