Skandal/ OSHEE tani kërcënon qytetarët të paguajnë për së dyti herë

    503
    Sigal

    CEZ-i  në Sarandë dhe Delvinë kanë humbur, apo vjedhë  pagesat e qytetarëve  të marsit  2009

    Qeveria shqiptare, por edhe opozita e kanë pranuar që CEZ-i, jo vetëm e keqmenaxhoi kontratën e shpërndarjes të energjisë elektrike, por edhe mashtroi dhe abuzoi me qytetarët, duke i detyruar ata që të paguanin padrejtësisht, kamatat, mbifaturimet dhe të tjera zullume, ndaj edhe këto ishin shkqet që e detyruan qeverinë shqiptare që ta ndërpriste kontratën me CEZ-in, duke e zbuar nga Shqipëria.

    Premtimi i qeverisë, ishte se do rivendoste drejtësinë për qytetarët

    Premtimi i parë i qeverisë, atëhere, ishte se do të pranonte të gjitha ankesat e qytetarëve, do të rishqyrtonte të gjitha padrejtësisë që CEZ-i kishte bërë ndaj tyre. Mirëpo, praktikisht, as qeveria “Berisha” dhe as qeveria “Rama”, nuk bënë asgjë, përkundrazi, me veprimet arbitrare, pasojat e CEZ-it, i shkarkojnë financiarisht në kurriz të qytetarëve, duke i detyruar ata që të paguajnë dyherë faturat e dritave, në rastet që ato, ose kanë humbur, ose janë vjedhë nga CEZ-i, apo nga punonjësit e CEZ-it.

    Vidhen faturat e paguara në mars 2009, OSHEE detyron qytetarët të ripaguajnë
    Në qytetin e Sarandës dhe Delvinës, mbi 90 % e qytetarëve kërcënohen dhe detyrohen nga OSHEE-ja, që të ripaguajnë faturat e energjisë elektrike të muajit mars 2009, ( ka shumë raste që shumë qytetarë detyrohen edhe për muaj të tjerë), ngaqë në sistemin e tyre kompjuterik, ato dalin të papaguara. Mirëpo qytetarët i paraqesin OSHEE-së faturat e paguara, në muajin mars 2009, por OSHEE-ja, nuk pranon t’i quajë të rregullta ato fatura, edhe pse janë lëshuar nga CEZ-i, me pretekstin se këto fatura në sistemin e OSHEE-së dalin të papaguara.

    Kërcënimi me zbuarjen nga puna

    Ky ishte shkaku që të enjten u dha ultimatum nga drejtori i ZA-it Delvinë ndaj mësuesve, që deri dje, patjetër të paguanin edhe muajt që OSHEE i detyron ata, edhe pse janë paguar njëherë, të në kundërt, sipas ultimatumit që ka dhënë vetë MAS-i, të gjithë mësuesit debitorë sipas OSHEE-së, do të zbohen nga puna. Edhe kur qytetarët mundohen të kërkojnë një zgjidhje, drejtuesit e OSHEE-së në Delvinë dhe Sarandë tregohen arrogantë me ata, duke mos pranuar të diskutojnë apo të shqyrtojnë kërkesat, por vetëm urdhërojnë që të paguhen me detyrim, dhe, pastaj, mund të gjejnë kohën që të …shikojnë, shqyrtojnë, edhe …ankesat apo padrejtësitë! Madje, zyrat e OSHEE-së në Delvinë dhe Sarandë janë blinduar me roje përpara hyrjeve, për të ndaluar me çdo forcë qytetarët që të ankohen.

    Drejtësia nuk vepron

    Shuarja nga sistemi i kompjuterit të CEZ ( tani OSHEE) i pagesave të qytetarëve,  është një rast tipik i abuzimit, i vjedhjes të parave që qytetarët kanë paguar CEZ-it për detyrimet e tyre, pasi në faturat janë firmat dhe vulat e punonjësve të CEZ-it. Nëse CEZ-i vetë, apo punonjësit e tyre, pa dijeninë e drejtuesve, apo në bashkëpunim me ata, i kanë vjedhë paratë, ndërkohë që nuk i kanë rregjistruar në sistemin kompjuterik, kjo përbën vepër penale. OSHEE-ja, pikërisht, këtu duhet ta fillojë punën e saj, e jo në nëmyrë arrogante të kërcënojë qytetarët që të paguajnë për së dyti herë faturat, ngaqë OSHEE-ja nuk do të pranojë vjedhjen dhe dëmin ta kërkojë nga hajdutët e CEZ-it. Por, edhe nëse OSHEE-ja nuk pranon t’i denoncojë, sërish prokuroria duhet të veprojë  dhe të hapë padi penale ndaj hajdutëve të CEZ-it, duke u nisur nga ankesat dhe denoncimet e qytetarëve.

    Agron Mema