Skandal me furgonat, vjedhin dhe braktisin pasagjerët

    404
    Sigal

    Flet av. Altin Goxhaj: Po vidhen hapur konsumatorët shqiptarë. Policia të marrë masa!

    Vjedhje të hapur ndaj konsumatorit i ka cilësuar kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve, z. Altin Goxhaj rastet skandaloze që po ndodhin së fundmi me udhëtarët, të cilët zgjedhin ende shërbimin e transportit me furgon për të udhëtuar. Megjithëse tashmë u bënë muaj që pas bllokimit të qarkullimit të furgonave, këta të fundit kanë zgjedhur rrugën ilegale për të punuar. Me gjithë vështirësitë e shumta që u hasën pas bllokimit të qarkullimit të furgonave, për mungesë automjetesh për të lëvizur, janë një sërë problemesh të tjera që po rëndojnë mbi qytetarët shqiptar. Një ndër to ka qenë dhe rritja e çmimit të biletës. Por, së fundmi është vejtur një rikthim i qarkullimit të furgonëve në mënyrë ilegale, ku shoferët përdorin manovra të tilla për t’i shpëtuar policisë, siç është dhe marrja e emrave shënim të pasagjerëve dhe paraqitja e tyre policisë për të treguar se janë të prenotuar në mënyrë private. Shpeshherë për t’ju shmangur policisë kanë rrezikuar dhe jetën e pasagjerëve, nga një aksident i mundshëm. Por, rasti i fundit më skandaloz, i bërë publik nga z. Goxhaj është ai i një nënë me fëmijë të lënë në mes të rrugës nga shoferi i furgonit në orët e vona të mbrëmjes. Sikur të mos mjaftonte kjo, në mënyrë të papërgjegjshme, shoferi i mbajti pagesën e biletës dhe i mori me vete dhe bagazhet. Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të qytetarit nga Vlora drejtuar kreut të ZMK-së.

    “Zoti Altin, po ju shkruaj për një ngjarje që i ndodhi nuses time dje për një udhëtim me mikrobus, për në Vlorë. U nis me dy fëmijë të vegjël, pasi nuk kishte autobus. Te ura e Sheqit, pa hyrë në Fier i çahet goma dhe duhet të prisnin një shofer tjetër qe t’i sillte një gomë. Vajti ora 7 e mbrëmjes dhe asgjë. Vjen një mikrobus tjetër, shoku i tij, ku për kamuflazh kishte vendosur një tabelë “Dëshmitarët e Jehovajit”, për t’u mos ndaluar nga policia, për në Vlorë. Meqë kishte fëmijë pasagjerët dhe shoferi i thanë të marrë nënën me fëmijë. U nisen dhe pasi kishte bërë një pjesë rruge i kërkojnë lekët për dy vende. Nusja kundërshton dhe i thotë të ndalojë që të vejë të marrë lekët të shoferi tjetër për pjesën e mbetur. Lë fëmijët në makinë dhe niset me vrap tek makina tjetër. Me një gjendje pa frymë nga vrapi i madh ndeshet me kundërshtimin e shoferit për të dhënë lekët. Në këtë kohë shoferi i dytë nuk pret shumë dhe zbret fëmijët nga makina, duke marrë me vete një valixhe dhe një çantë të madhe të nuses e ikën. Mendoni gjendjen e një nënë, fëmijët shumë larg nga ajo, në mes të rrugës nacionale me një fluks të dendur makinash si ditë e premte, që nuk dinin si të vepronin. Niset nusja, një vajzë dhe një burrë pasagjer për të ndaluar makinat dhe për të marrë dhe fëmijët. Një tmerr i vërtetë! Pasagjerët i zë ora 9 duke pritur, por asgjë, kanë frikë të nisen me një rrotë mangët! Të detyruar nisen me 50 km në orë deri në Fier. Nga telefonatat që i bënë më parë shoferit të dytë, valixhet dhe çantën i kishte lënë tek një dyqan që i njihte shoferi. Nusja e detyruar, bashkë me fëmijët shkon tek një e afërm në Fier për të kaluar natën. Ja kjo është gjendja, shoferët e autobusit e kanë bërësi urban gjithë rrugën. Në vendet e para janë zënë nga udhëtarët që janë nga Kavaja, Rrogozhina, Lushnja, Fieri për të zënë vendet e para dhe ne të Vlorës rrokoshitemi në fund. Shoferët e mikrobusave janë bërë ilegalë dhe cuba për të mashtruar njerëzit. Nuk kalojnë më nga autostrada për tu mos u kapur, por nga rruga e Ndroqit që e bëjnë Durrës – Tiranë 1 orë e ca. Kush doli i fituar dhe kush doli i humbur këtu? Cilin ligj kanë zbatuar dhe cilin kanë shkelur? Të lutem publikoje, mundësisht në gazetë”.

    Reagimi i av. Goxhaj: Po vidhen hapur konsumatorët!

    Policia duhet të filloj hetimet për rastin në fjalë. Kështu është shprehur av. Goxha në një prononcim për “Telegraf”, duke shtuar se në këtë mënyrë po vidhen konsumatorët shqiptar. Ai shton se, ky nuk është rasti i parë, pasi udhëtarët shqiptar nuk disponojnë të dhëna për identifikimin e mjetit të transportit. “Kjo është vjedhje e hapur që i bëhet konsumatorëve nga një veprimtari e paligjshme transporti të palicencuar. Këtu Policia duhet të filloje hetimin për shumë akuza ku kryesorja është braktisja në mes të rrugës e disa fëmijëve që ti ke për detyrë tu ofrosh shërbimin e transporti dhe sekuestrimi i mallit. Në lidhje me pagesën mban përgjegjësi furgoni i parë, i cili duhet të kryente pagesën paraprakisht te furgoni i dytë. Kjo nuk është hera e parë, por si gjithmonë konsumatorët nuk disponojnë të dhëna identifikimi siç është targa e mjetit apo emri i drejtuesit të mjetit, dhe nga ana tjetër ky është një shërbim i palicencuar”,- është shprehur kreu i ZMK-së, z. Altin Goxhaj.