Situatë alarmante nëpër qendrat shëndetësore të fshatrave

    394
    Nga një vëzhgim i kryer në disa zona të vendit, u konstatua se qendrat shëndetësore të ndërtuara kryesisht pas viteve ’90, ngjajnë padyshim si kotecet e pulave, apo si ata vend-rojet e ushtarëve, ku kryhet shërbimi ushtarak! Në fakt, ata (qendrat shëndetësore), veç këtyre vend-rojeve, i ngjajnë dhe kabinave të policisë private që ruajnë objekte të ndryshme apo dhe kabinave-karrocë të atyre tregtarëve që pjekin dhe shesin kokoshka nëpër rrugët e qyteteve. Nuk është fjala për qendrat shëndetësore nëpër qytete, pasi ata deri diku janë të ndërtuara me parametra për sa i përket të paktën kubaturës së ambientit, pavarësisht se kanë mungesa në drejtim të kushteve të tjera. Por këtë radhë objekt i këtij shkrimi do të jenë qendrat shëndetësorë nëpër fshatrat e vendit. Çdo kush që mund të ketë udhëtuar nëpër fshatra të ndryshëm, padyshim që i ka rënë në sy edhe qendrat shëndetësore të ndërtuara në qendër të çdo fshati apo qendër banimi. Gjithashtu, padyshim edhe jeni befasuar kur në qendër të fshatit keni parë një objekt të ndërtuar me përmasa 2×2 m, me mbishkrimin ”Qendër Shëndetësore”. Këto objekte të cilët janë ndërtuar për të kryer funksionin e qendrave shëndetësore nëpër fshatra, askush që mund të kalojë aty pranë këtyre qendrave, nuk mund t’i dallojë si të tilla, nëse nuk lexon këtë mbishkrim. Pasi në të kundërt, ata të duken si një kotec pulash apo vend- roja e fshatit që kanë qenë dikur të funksionueshme. Këta qendra shëndetësore të ndërtuara në të gjitha fshatrat e vendit e që janë me kapacitet vetëm 4 m2, jo vetëm që janë sa një kotec pulash, por ata nuk kanë asgjë brenda, veç infermieres së punësuar, sa për të marrë rrogën. “ Mirë që janë ndërtuar vetëm 4m2, por janë gjithë lagështirë dhe nuk kemi asgjë brenda, kemi vetëm një karrige dhe një tavolinë të vogël, as me ilaçet më të domosdoshme nuk na furnizojnë, madje në shumicën e rasteve na mungon edhe aspirina apo paracetamoli, përpiqem që të blejë me lekët e mia ndonjë pako paracetamoli dhe ta mbajë për ndonjë rast urgjent kur më vijnë pacientët”, shprehet një infermiere, që nuk do të identifikohet për arsye të frikës së largimit nga puna, në një nga qendrat shëndetësore të fshatrave në rrethin e Matit. Nuk është vetëm rasti në fjalë, por pothuajse në të gjitha qendrat shëndetësore të fshatrave, është e njëjta panoramë rrëqethëse. Është me të vërtetë për të ardhur keq tek sa njihesh me këtë situatë aq absurde sa dhe alarmante, që qendrat shëndetësore nëpër fshatrat e vendit tonë në shekullin e 21, të jenë në kushte skandaloze. Ministria e shëndetësisë në vazhdën e hedhjes së shumta dhe të vazhdueshme të tenderave qindra milionëshe, do të bënte mirë që të hedh dhe një tender për përmirësimin e gjendjes dhe situatës nëpër qendrat shëndetësore të fshatrave. Apo kjo situatë është krijuar në kuadrin e premtimit të rilindjes për një shëndetësi “FALAS”. Do të ishte në nderin e ministrin të shëndetësisë, “BEQAJ”, që ta lexojë këtë mesazh “Promocional”!
    Sigal