Situata politike lëviz ambasadorët, takim Lu-Cutillo

584
Tensioni politik në Tiranë është shtuar për shkak të zhvillimeve lidhur me dosjen “Tahiri”, ndërsa ende nuk ka një qëndrim nga selitë më të rëndësishme diplomatike. Gjatë ditës së djeshme janë vënë re lëvizjet dhe konsultimet e para. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, është raportuar se ka vizituar kolegun e tij italian, Alberto Cutillo. Për bisedën mes dy diplomatëve nuk janë mësuar detaje, ndërsa media ka raportuar se në qendër të saj ka qenë situata politike dhe zhvillimet e pritshme në Shqipëri. Takimi Lu-Cutillo merr edhe më tepër peshë, teksa Italia është përfshirë intensivisht në dosjen “Habilaj”, ku ka rezultuar edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pikërisht hetimet dhe arrestimet në vendin fqinj i dhanë startin edhe hapjes së dosjes hetimore në Tiranë dhe kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e Tahirit. Prokuroria shqiptare ka deklaruar se po bashkëpunon intensivisht me kolegët e saj italianë, të cilët goditën edhe bandën e Habilajve. 

Pak javë më parë, ishte ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, që foli për gjendjen e krimit të organizuar dhe organizatat mafioze në vend. Ai kërkoi nga qeveria goditjen e tyre, ndërsa përmendi edhe emrat e disa bosëve të krimit, të cilët janë të lirë. Ishte pikërisht deklarata e diplomatit amerikan që shkaktoi jo pak shqetësim në politikën shqiptare, ndërsa opozita akuzoi qeverinë për lidhje me krimin dhe përdorim të tij në zgjedhjet e shkuara parlamentare. Nga ana e saj, qeveria deklaroi se po harton një plan të posaçëm për goditjen e grupeve kriminale dhe pasurisë së zotëruar prej tyre. Ndërkohë më 18 tetor shpërtheu edhe ai që po cilësohet si skandali “Habilaj-Tahiri”. 
Sigal