Sindikata e Shërbimeve Policore së shpejti në grevë

    415
    Sigal

    Njoftohet Ministria e Punës, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Kryeministri për mungesën dialogut me Drejtorinë e Burgjeve

     Duke marrë shkas nga “notimi olimpik” i  kryeministrit Berisha, sindikata deklaron thyerjen e këtij “rekordi” me pritjen 4-vjeçare të nënshkrimit të Kontratës Kolektive, për t’i shërbyer anëtarëve tanë në Policinë e Burgjeve. Është plotësuar çdo detyrim ligjor që parashikon Kodi i Punës në favor të Kontratës Kolektive dhe jemi përballur me hakmarrjen primitive të drejtuesit të burgjeve Gazment Dibra edhe pasi kemi kërkuar “ndërmjetësimin” e Ministrisë së Spiro Kserës!…Kemi vuajtur 4 vite indiferencë e ndëshkim të anëtarësisë tonë në Policinë e Burgjeve dhe kemi fituar gjyqin politik që “pashai” i burgjeve kishte projektuar kundër FJALËS SË LIRË në vitin e integrimit europian të Shqipërisë. Në një kohë kur Kryeministri “djersin” nëpër kancelaritë perëndimore duke deklaruar shtetin “kampion të lirive” , në Tiranë drejtori i burgjeve kërcënon me burg politik një kryetar sindikate, vetëm pse ka ngritur zërin për LIRI SOCIALE. Në Shqipërinë “drejtuese semestrale” të KiE kërcenohet një sindikatë, vetëm pse doli në mbrojtje të fëmijëve që u kishte humbur jetën në aksident babai-polic për faj të transferimit antiligjor. Në Shqipërinë me “fryerje” ekonomike, rrogat e punonjësit të policisë po “hyjnë në ujë” çdo dlitë e më shumë dhe kërcenimi për “zërin ndryshe” po shtohet çdo minutë. Në një kohë kur çdo rrugë të çon në “TEG” për uljet sezonale, policët e burgjeve kanë 4-vite që nuk marrin uniforma dhe “fajin” e ka “Askushi”! Kur “Trojka e Ambasadorëve” shtyp asfalt çdo ditë në mes të vapës, për të bindur opozitën në heqjen e imunitetit, një vartës i Kryeministrit “bën të fortin” me Kartën Sociale Europiane, “bën të fortin” me Konventat 87 e 98 të ILO-s që janë ratifikuar nga vendi ynë, “bën të fortin” kundër vullnetit të qindra antarëve të Sindikatës tonë!  Sindikata ka njoftuar Ministrinë e Punës, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe së fundmi Kryeministrin Berisha për mungesën e Dialogut Social në drejtorinë e burgjeve. Kemi ardhur në fundin e neneve të Kodit të Punës dhe përsëri nuk del asnjë nga përfaqësuesit e shtetit që të kërkojë zbatimin e LIGJIT ! Të gjithë shtetarët janë “verbuar” për integrim dhe kanë harruar se 2 nga 12 kushtet e BE flasin për të Drejtat e Njeriut, pra për të Drejtat Sociale! Sindikatës i ka mbetur vetëm një rrugë për të protestuar në mbrojtje të Ligjit dhe të së Drejtës Sociale, rruga e grevës! Sot paralajmerojmë se dita e grevës po afron dhe në shtator do të caktojmë datën e vendin e zhvillimit të saj!