Simon Mirakaj:Mosmiratimi i projektligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve një paradoks. Nuk ka justifikim për të djathtët

    356
    Sigal

    Intervistë/Flet Simon Mirakaj, Drejtor i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë: Dëmshpërblimi nuk është borxh, as i të djathtës, as i të majtës, por i shtetit shqiptar

    Deri më tani janë dëmshpërblyer rreth 12 mijë ish të përndjekur, ndër këta, 7 mijë kanë marrë dhe këstin e dytë. Ndërsa kanë mbetur pa marrë këstin e parë të internuarit e periudhës ‘45-‘54, ata që kanë mangësi në dokumentacion dhe të pushkatuarit pa gjyq, pothuajse shumica e tyre, që i përfshin ligji. Këto statistika i konfirmon për “Telegraf”, Simon Mirakaj, Drejtor i përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë. Mirakaj shprehet i zhgënjyer për projektligjin që deri më sot, edhe pse e ka kaluar komisionin e ligjeve, nuk ka kaluar në Parlament. “Për fat të keq ky projektligj nuk ka kaluar, ashtu dhe siç thashë është një paradoks, nuk ka asnjë lloj justifikimi për të” shprehet Mirakaj. Ndërsa për Ligjin e Lustracionit, përfaqësuesi i ish të përndjekurve thotë se “unë e kam thënë dhe për fat të keq jam bërë pesimist në këtë drejtim, siç duket nuk u intereson të dyja palëve që ky ligj të miratohet, sepse nuk kemi dëgjuar në Parlament, as nga e majta, as nga e djathta që të mbështesin ligjin e Lustracionit”.

    Z. Mirakaj cilat kategori të ish të përndjekurve janë dëmshpërblyer deri tani dhe cilat kanë ngelur pa u dëmshpërblyer?

    Ligji i dëmshpërblimit 9831 kishte parashikuar dëmshpërblimin e të burgosurve me 2000 lekë të reja ose 20 mijë lekë të vjetra, të pushkatuarit me gjyq, të pushkatuarit pa gjyq, internimet e periudhës ‘45 –‘54. Në ligj ishte e parashikuar që dëmshpërblimi fillonte në mars të 2009 dhe saktësisht filloi në 15 mars të 2009. Qe një kalvar i gjatë deri në ardhjen e këtij momenti për dokumentacionin. Në ligj parashikohej dhe një afat kohor për aplikim për marrjen e dëmshpërblimit nga 18 dhjetori i 2007-s deri në 1 korrik të 2009-s. I gjithë ky dokumentacion u atashua në Ministrinë e Drejtësisë ku ishte një komision që merrej me shqyrtimin e këtyre dosjeve të parashikuara sipas ligjit.

    Ju thatë që ishte një kalvar i gjatë puna e dokumentacionit?

    Kalvar i gjatë për dokumentacionin, sepse kërkohej hyrje-dalje nga burgu, certifikata kur është arrestuar, certifikata kur ka dalë, një kalvar me të vërtetë i gjatë, sepse Ministria e Drejtësisë i kishte të gjitha këto. Pra gjithë këta njerëz shkonin te Drejtoria e Burgjeve që ishte në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe përsëri këto dokumente ia kalonin Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë shumica e të interesuarve aplikuan, pra siç e thashë më sipër, filluan të marrin këstin e parë, pra gjithmonë 1/8 e shumës që i takonte gjithsecilit për vitet e burgut dhe jo më tepër se 10 milion të vjetra. Pra ky ishte tavani dhe filluan me marrë dëmshpërblim. Deri në këtë moment që flasim ne, janë dëmshpërblyer rreth 12 mijë ish të përndjekur, ndër këta, 7 mijë kanë marrë dhe këstin e dytë.

    Po kush ka mbetur pa dëmshpërblim?

    Kanë mbetur pa marrë këstin e parë të internuarit e periudhës ‘45-‘54, kanë mbetur pa marrë disa që kanë mangësi në dokumentacion dhe të pushkatuarit pa gjyq, pothuajse shumica e tyre, që i përfshin ligji, sepse ligji përfshin të pushkatuarit nga 30 nëntori i ‘44-ës deri në ’91-n. Ne bëmë një kontestim në ligj dhe u hartua një projektligj, ku kërkuam ndryshimin e afatit nga 30 nëntori ’44 në 25 tetor ’44 deri në ‘91, shumica e tyre janë ekzekutuar në Tiranë dhe përveç të tjerash kërkuam që mosha mbi 85 vjeç të merrte gjithë shumën e lekëve që i takon pas viteve të burgut duke zbritur këstin e parë, kërkuam gjithashtu që të ishin pjesë e dëmshpërblimit dhe fëmijët e birësuar. Një tjetër pikë e rëndësishme e këtij projektligji ishte njohja për dëmshpërblim e ish-të dënuarve me nenin 64 apo 67 për terrorizëm. Për fat të keq ligji 9831 mban jashtë dëmshpërblimit disa të burgosur që në diktaturën e komunizmit quheshin vepra terroriste dhe në këto nene veprimet e tyre do të quhen vepra politike dhe do të marrin dëmshpërblime si gjithë të tjerët. Dhe siç ju thashë ky projektligj kaloi komisionin e ligjeve në maj të 2012-s dhe për fat të keq nuk kaloi në Parlament.

    Pra ky projektligj është ende në sirtar?

    Ende në sirtar. Unë nuk mund ta justifikoj dot këtë. Ka një pjesë, për shembull, e të burgosurve që kanë marrë pjesë në revoltën e Qafë-Barit, i janë zbritur disa vite burgu për shkak se i përfshin ky nen. Disa të tjerë mund të kenë mbetur jashtë dëmshpërblimit fare. Për shembull Sazan Hadëri që bashkë me Adem Allçin dhe Dhori Gernjomin kanë thyer burgun e Burrelit për të fituar lirinë. Sazani u ekzekutua, ndërsa dy të tjerët u plagosën dhe u kapën. Dhe ka mbetur jashtë dëmshpërblimit, se e përfshin ky nen. Pra të sakrifikosh jetën për lirinë dhe të quhesh terrorist, një të burgosur me duar të lidhura. Për fat të keq ky projektligj nuk ka kaluar, ashtu dhe siç thashë është një paradoks, nuk ka asnjë lloj justifikimi për të.

    A jeni interesuar, se pse s’ka kaluar ky projektligj?

    Ne jemi interesuar, jo do të kalojë sot, jo nesër, jo pas një muaji. Fakti është që deri në këto momente nuk ka kaluar. Unë kam një informacion që nuk është zyrtar që mund të kalojë në shtator. Shpresoj se do të kalojë.

    Pra çfarë prisni nga Parlamenti i ri, përveçse miratimin e këtij projektligji?

    Ne presim që qeveria e re të paraqesë programin dhe shpresojmë që në këtë program të jenë të përfshirë dhe ish-të përndjekurit, pra për vazhdimësinë e ligjit për dëmshpërblimet. Unë di që në tryezat që ka krijuar e majta me ish të përndjekurit, është diskutuar dhe është hedhur teza që të shihet mundësia e përshpejtimit të dhënies së dëmshpërblimit, madje ata dolën me një tezë që moshat mbi 75 vjeç për burrat dhe 70 për gratë të marrin të gjithë shumën, ndërkohë që vetë ne e kemi kërkuar për moshën mbi 85 vjeç. Ne shpresojmë që premtimet e dhëna të bëhen realitet, por gjithsesi, e kam thënë dhe herë të tjera këtë, dëmshpërblimi nuk është se është borxh i së djathtës ose i së majtës, por është borxh i shtetit shqiptar dhe shpresoj që ky ligj do të vazhdojë, me të njëjtat ritme të paktën.

    Ju mendoni që dëmshpërblimet do të mbyllen të gjitha në vitin 2017?

    Sipas ligjit ai duhet të mbyllet në 2017, por në rast se flitet për integrim të kësaj shtrese nuk është dëmshpërblimi që i integron ish të përndjekurit. Integrimi vjen duke i dhënë pronën, sepse një të burgosuri apo një të internuari, apo një të pushkatuari i është marrë dhe prona që ka pasur, shtëpia etj etj. Pra integrimi vjen duke i kthyer dhe pronën, integrimi vjen edhe duke i punësuar, pra janë disa prioritete që duhet të ketë kjo shtresë, sipas statusit që ka. Një pjesë e këtyre njerëzve janë dhe pa arsimin përkatës që i kërkon koha dhe kjo nuk është faji i tyre, kanë qenë arsimdashës, por janë futur në moshë të re nëpër burgje dhe kështu kanë ngelë pa arsim.

    Mesa unë di në vendimet e qeverisë për kuotat universitare, ka pasur dhe kuota të veçanta për të përndjekurit.

    Ne kemi marrë vazhdimisht nga Ministria e Arsimit kuota edhe full-time në vitin akademik 2005-2006, më vonë kemi marrë edhe part-time. Gjatë kësaj kohe kanë shkuar në universitetet publike afërsisht 1000 studentë. Edhe tani në mbledhjen e Këshillit të Ministrave janë aprovuar 150 kuota pa shkëputje nga puna, pra është një ndihmesë e madhe në këtë drejtim. Dhe shpresoj që kjo të vazhdojë dhe nga e majta.

    Çfarë kriteri keni vënë ju kur i keni shpërndarë këto kuota të Arsimit të Lartë Publik?

    Prioritet u kemi dhënë fëmijëve të të persekutuarve, por gjithmonë kur paraqesin një status dhe një certifikatë që të ketë lidhje me statusin, pra u kemi dhënë fëmijëve të të pushkatuarve me gjyq, të internuarve, kulakëve, pra të gjithë studentëve që i përkasin shtresës së ish të përndjekurve që janë paraqitur këtu, kur kemi pasur mundësi. Sigurisht që kjo është shoqëruar dhe me një ulje të kostos së tarifës së studentëve, ata kanë paguar 50 % të tarifës. Ne kemi pasur kuota dhe në master profesional dhe këto kanë pasur 50 % zbritje të tarifës dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë nga e majta.

    Ju thatë që ish të përndjekurit duhet të integrohen. Ju i keni bërë këto kërkesa në tavolinë me të majtët?

    Sigurisht që kur të vijnë në qeveri do të bëhen këto kontakte. Shpresojmë të bëhen këto kontakte me kryeministrin e ri apo ministrat përkatës sipas profilit. Do ketë kontakte qoftë për shkollimin, për dëmshpërblimin, qoftë për strehimin e cila varet nga bashkia. Ka mjaft që kanë marrë kredi pasi i kanë plotësuar kriteret, ka kërkesa për strehim, janë bërë streha sociale. Pra të gjithë ata ish të përndjekur që kanë plotësuar kriteret dhe i kanë paraqitur kërkesat pranë minibashkive, kanë marrë kredinë dhe shpresoj që do të marrin dhe strehim kur të fillojë. Unë jam pjesë e komisionit të vlerësimit dhe kjo është meritë e kryetarit të bashkisë z. Basha, që për herë të parë në komision merr pjesë dhe një përfaqësues i ish të përndjekurve. Ndërsa në lidhje me dëmshpërblimin, desha të them që asnjëherë të përndjekurit nuk do të marrin atë çka i kanë dhënë këtij shteti, absolutisht asnjëherë… Megjithatë ka pasur përpjekje që në ’92-n, jo me të drejta studimi, jo me punësimin, janë dhënë atëherë letra me vlerë, edhe lekë kesh. Sigurisht që shumicës i kanë mbetur letrat me vlerë, por ka nga ata që kanë përfituar, privatizuar fabrika etj.

    Dhe së fundi, çfarë do i thonit ju qeverisë në ardhje?

    Qeverisë që po vjen do i them “suksese”, sigurisht. Unë e kam thënë që ne jemi të djathtë, kemi dhënë kontributin tonë në të djathtën, do ta japim djathtas, por kjo nuk do të thotë që qeverisë së majtë nuk do i urojmë suksese. Le të shpresojmë për ato premtimet që ka dhënë, t’i mbajë.

    Miratimi i Ligjit të Lustracionit nuk i intereson as të majtës dhe as të djathtës. Gjykata Kushtetuese plot me hetues të diktaturës

     Po përsa i përket ligjit të Lustracionit?

    Ligji i Lustracionit, unë e kam thënë dhe për fat të keq jam bërë pesimist në këtë drejtim, siç duket nuk u intereson të dyja palëve që ky ligj të miratohet, sepse nuk kemi dëgjuar në Parlament, as nga e majta, as nga e djathta që të mbështesin ligjin e Lustracionit. Për fat të keq në Shqipëri nuk po aprovohet ky ligj, ndërsa në të gjitha vendet e Europës postkomuniste është aprovuar dhe kjo ka bërë që nëpër Gjykata të ketë dhe njerëz të inkriminuar, që edhe pse kanë kaluar 22 vjet në demokraci ata kanë vazhduar të jenë dhe sot të veshur me pushtet.

    Ndonjë emër konkret?

    Kemi rastet e këtyre që janë zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese, që kanë qenë pjesë e hetuesisë në kohën e diktaturës dhe bëhen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sot. Pra në vend që të ndëshkohen moralisht, ata ngrihen në detyrë.

    Dhe këto kanë ndodhur tani që janë në pushtet të djathtët?

    Po, po, kjo është ironia e fatit, prandaj dhe unë jam bërë pesimist, sepse pikërisht ata ngrihen në detyrë nga e djathta.

    A kemi demokraci ne, ndërkohë që siç ju dhe vetë e pohuat, drejtohemi dhe gjykohemi nga njerëz të inkriminuar?

    Jo, jo, po s’ka si të ketë demokraci. Demokracia këtu është defektoze, përderisa ti nuk bën ligjin e Lustracionit që të gjithë ata njerëz që janë shkaktarë të kaq shumë vuajtjeve, se tani dihet “janë hap petët e byrekut” kur thotë populli, sesa të pushkatuar ka, sesa të internuar ka, njerëz të pafajshëm, një prej të cilëve jam dhe vetë, 44 vjet me dokumente të Ministrisë së Brendshme, por janë me mijëra, me qindra, janë njerëz të varur të pafajshëm, intelektualë, të thjeshtë, të burgosur. Por nuk është puna se tragjedia mbaronte me atë që binte në burg edhe kaq, pasojat binin mbi familjen, mbi fëmijët, kjo është tragjedia e vërtetë. Ne nuk themi që nëpër gjykata apo dikastere të shkojnë vetëm fëmijët e ish të përndjekurve, jo. Të shkojnë fëmijët e ish të përndjekurve që i plotësojnë të gjitha kriteret që kërkon koha. Pra nuk kërkojmë parcializime, por të shkojnë të gjithë ata që e meritojnë dhe që nuk kanë lidhje me të kaluarën, pra nuk janë të inkriminuar, le të jenë të majtë, të djathtë, të qendrës, mjafton që nuk janë njerëz që të kenë lidhje me të kaluarën dhe të jenë të inkriminuar.

    Në qoftë se një ditë do të kalonte ky ligj, çfarë do të ndodhte?

    Absolutisht asgjë. A kemi dëgjuar gjë që të ketë ndodhur në Gjermani, Hungari…

    Sa do dilnin të inkriminuar?

    Tani kanë kaluar vite shumë dhe besoj se nuk do të jetë një numër i madh, se vitet e kanë bërë të vetën, megjithatë ka. Tani kemi dhe studentë të rinj që kanë mbaruar jashtë e brenda shtetit dhe nuk ka nevojë Gjykata e Lartë për pjesën e inkriminuar, as Gjykata Kushtetuese, as Prokuroria, se ka studentë që kanë mbaruar shkollën në Shqipëri, kanë bërë specializime jashtë, kanë një mentalitet europian, të qytetëruar dhe nuk kanë lidhje me të kaluarën. Në Europë shkohet i evropianizuar dhe jo me ngarkesat e së kaluarës. Nuk mund të jesh anëtarë i BE-së dhe të shkosh me njerëz të inkriminuar në Europë.