Simon Mirakaj: “Largimi im ishte politik, megjithatë, ndihmoni ish të përndjekurit!”

    377
    Sigal

    Flet ish-kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj: Puna me ish-të përndjekurit, zëvendësimi dhe falënderimi im për bashkëpunimin

    Pse u largua nga Instituti i ish të Përndjekurve Politikë, puna disa vjeçare me këtë shtresë intelektuale  të mohuar nga qeveria komuniste, trishtimi që ish-prokurorët nuk tregojnë për varret e personave që janë ekzekutuar, falënderimet për të gjithë ata që kontribuuan për dëmshpërblimin e tyre dhe prania në promovimin e librit “Brenga ime shqiptare” e një italiani, kushtuar të atit të tij që la eshtrat, ende të pagjetura në Shqipëri, janë rrëfyer në një intervistë për gazetën “Telegraf”, nga ish kreu i këtij institucioni, zoti Simon Mirakaj. Me fisnikërinë që karakterizon këtë njeri që ka hequr një kalvar vuajtjesh në regjimin diktatorial, nuk ka asnjë hatërmbetje për zëvendësimin nga detyra, ku kontribuoi, por e vetmja dëshirë e tij është dhe ngelet që të ndihmohen dhe të financohen ish të përndjekurit që të gjejnë eshtrat e familjarëve të tyre.

     Z. Mirakaj me vendim qeverie ju u larguat nga posti i drejtuesit të Institutit të të Përndjekurve?

    Sigurisht që kur kalon në një kohë të gjatë në drejtimin e një institucioni, sidomos me një specifikë të veçantë që ka Instituti i të Përndjekurve me problematikën e madhe që ka kjo shtresë, sigurisht që, gjithë kjo kohë bën që të hysh deri në palcë në problematikën që ka shtresa e të përndjekurve nga e cila vij dhe unë vetë. Në fillim nuk ndjehesh mirë, nuk kemi pse ta fshehim, megjithatë, zëvendësimet janë të nevojshme, ajo që është e rëndësishme për mua është që çdo person që të ulet në atë karrige sipas aftësive dhe mundësive që i krijohen gjithmonë, këto aftësi të jenë në shërbim të shtresës së ish- të përndjekurve politikë. Personi që është emëruar në vendin tim, sigurisht, vjen nga një familje e mirë, fisnike nga Librazhdi, është një person që ka një kalvar të gjatë vuajtjesh, vetë ka bërë 15 vjet burg, është i vëllai i poetit të pushkatuar edhe babai i tij ka qenë në burg. Unë sinqerisht, do t’i uroj suksese në punën e vet dhe nëse do të kërkojë ndihmën time, unë sigurisht do të më ketë në krah, gjithmonë në shërbim të shtresës së ish të përndjekurve politikë, qoftë ai, apo kushdo qoftë, por derisa emri i tij është përmendur atëherë unë kam kënaqësinë që t’i uroj detyrën dhe t’i çoj përpara të gjitha ato premtime të marra nga Partia Socialiste që e ka emëruar në vendin tim, të jenë premtime reale të mos jenë premtime, iluzione, mos të mbesin në letër.

    A ishte vendim politik ky?

    Sigurisht! Mendoj se është vendim politik përderisa erdhi nga zyrat e FRD-së. Do të kishte qenë e mira ashtu siç jam zgjedhur dhe unë, që të kishte propozime nga shoqatat, sepse kështu e përmban rregullorja që të ketë një konsensus dhe të mos ketë problematika apo përplasje për emërimet. Por duke qenë se unë e njoh si njeri i uroj detyrën, por gjithmonë, e mira do të kishte qenë që të ishin pyetur shoqatat, të ishte marrë mendimi i tyre, të ishin paraqitur 2-3 emra për një vend drejtues dhe pastaj zgjidhet sipas kurrikulave më i miri.

    A i plotëson kriteret e Drejtorit të Institutit, Bedri Blloshmi?

    Unë nuk mund të them nëse i plotëson apo jo. Unë e kam parë si person se nga vjen, çfarë origjine ka, por unë kam jetuar larg tij dhe nuk e di se çfarë ka mbaruar. Megjithatë, besoj se dhe ai vetë nuk mund të pranojë asnjë post drejtuesi pa asnjë lloj niveli. Do të ketë probleme me njerëz të ndryshëm me gazetarë, me njerëz  intelektualë të shtresës sonë, me njerëz të thjeshtë duhet të dish të gjesh gjuhën me gjithsecilin, e këtë e bën një njeri që ka një përgatitje, ka një intelekt, përveç shpirtmadhësisë, por të dyja duhen gërshetuar edhe niveli intelektual edhe shpirtmadhësia sidomos në pozicionin e drejtuesit të Institutit të ish të Përndjekurve Politik, pasi ka një problematikë jashtëzakonisht të madhe.

     Posti që mbanit, ju “detyroi” të kishit takime me krerët e shtetit dhe të parin takim që keni bërë ka qenë me kreun e Legjislativit, Kryeparlamentarin z. Meta, a vijuan takime të tjera?

    Po kam bërë takime dhe me ministrin e Drejtësisë, sepse Ministria e Drejtësisë bashkë me Ministrinë e Financës janë dy dikastere që mbajnë peshën kryesore për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve. Përveç diskutimit me ministrin e Drejtësisë për problemin e dëmshpërblimit, pra me legjislacionin e dëmshpërblimit, unë kam diskutuar edhe për largimet nga puna që kanë bërë padrejtësisht dhe kur them padrejtësisht, është e mbështetur në arsyetim, jo padrejtësisht vetëm në aspektin politik, por padrejtësisht në aspektin politik dhe aftësitë profesionale të këtyre njerëzve që kanë qenë në institucione.

     Zoti Miraka këto ditë ju ishit për vizitë në Itali për promovimin e librit të një ish të përndjekuri. Mund të dimë diçka më shumë rreth këtij botimi? 

    Në Shqipëri ka tragjedi nga më të ndryshmet.  Në disa takime shpesh them që, nëse do të ishte gjallë Shekspiri do t’i kishte lakmi këto tragjedi që kanë ndodhur padrejtësisht në vendin tonë. Ndër to është dhe tragjedia e këtij italiani, Xhuzepe Terruzit, i cili ka punuar në Vlorë si drejtor banke dhe me ardhjen e komunizmit në ’46-n arrestohet. Ai detyrohet të ndahet nga gruaja dhe djali një vjeç. Pas dënimit përfundon në burgun e Burrelit dhe në ’52-shin vdes. I biri me rënien e “perandorisë së të keqes” -siç edhe e ka quajtur Presidenti amerikan Ronald Regan, komunizmin-  kthehet në Shqipëri në kërkim të eshtrave të babait duke marrë informacione të ndryshme nga bashkëvuajtësit e të atit, si z. Petrit Velaj, Engjëll Kokoshi që nuk jeton më dhe deri në këto momente që po flasim nuk ka pasur mundësi për të gjetur eshtrat e babait vet. Gjatë kërkimit,  duke pyetur, duke marrë informacione nga të burgosurit që kanë jetuar në burgun e Burrelit nuk ka arritur ende që të gjejë eshtrat e të atit. Të gjithë të burgosur kujtohen se, të vdekurit në burgun e Burrelit varroseshin tek një qershi që nuk ekziston më sot. E keqja është se, këta njerëz përveç emrit njeri nuk kanë asgjë të përbashkët me ne. Nuk kanë kurajon që të tregojnë vendndodhjen e këtyre njerëzve dhe për fat të keq nuk ka asnjë ligj që t’i imponojë këta njerëz  që të tregojnë. Ndërsa i biri i Xhuzepes ende shpreson. Fundja, shpresa vdes e fundit. Edhe ne do të japim kontributin aq sa kemi mundësi, për gjetjen e eshtrave të njeriut të shtrenjtë, që e la jetim ende foshnje. Tragjedia te këta njerëz është sepse iu mohojnë përveç eliminimit fizik, iu mohojnë edhe të drejtën e varrit. Kjo është me të vërtetë mjaft tronditëse, që t’i marrësh jetën tjetrit në mënyrë të padrejtë dhe të paktën familjarëve mos t’u japësh as kënaqësinë që një ditë të caktuar të shkojnë te varri dhe të vënë një tufë me lule, kjo është monstruoze. Megjithatë, njeriu gjen forca dhe kapet te dashuria e munguar padrejtësisht, te malli dhe te kujtimet pasi vetëm këto nuk vdesin kurrë dhe të mbushin boshllëkun e shpirtit.  Edhe djali i Xhuzepes, për të gjetur një farë ngushëllimi në vetvete ka shkruar një libër për historinë e të atit dhe e ka titulluar  “Brenga ime shqiptare”. Më dërgoi një ftesë që unë të merrja pjesë në 11 nëntor në Romë, ku jeton, për promovimin e këtij libri, ku morën pjesë ambasadori ynë z. Neritan Ceka, ish -ambasadori Bova, gazetarë të ndryshëm, intelektualë edhe shqiptarë që jetojnë në Romë. Ndër të pranishmit përshëndeti dhe një shqiptar që jeton në Milano, që ka qenë dhe ai në burg dhe në kampet e internimit. Promovimi kaloi shumë mirë, megjithatë kemi shpresën që një ditë të gjejmë eshtrat e babait të Xhuzepes të prehen në atdheun e tij në Itali.

     Po për të bërë këtë duhen pikërisht ato ndryshime në projektligj, që ju keni përmendur?

    Nuk është në atë projektligj, por në 2008-n, u krijua një Task-Force për gjetjen e eshtrave, anëtar i së cilës isha dhe jam ende. Mirëpo Task-Forca nuk u mbështet financiarisht dhe mbeti në letër. Pra, duhet një mbështetje financiare që të bëhen gërmime se ka raste, për shembull, ku mua më është thënë nga dikush që ka dijeni se ku janë ekzekutuar personat e revoltës së Spaçit dhe më tregoi vendin, por nuk kishim mundësi financiare për të bërë gërmime. Deri tani gërmimet janë bërë nga familjarët vullnetarisht.  Edhe për zbulimin e eshtrave të revoltës së Qafë- Barit, shpenzimet i dhanë familjarët. Kështu që nuk mund të gërmohet nëse shteti nuk të mbështet financiarisht. Pasi mendimet janë të ndryshme, një njeri të thotë që janë këtu, një tjetër të thotë që janë në vend tjetër. Për fat të keq në arkivin e Ministrisë së Brendshme nuk kanë lënë asnjë gjurmë, asnjë skicë që të gjesh ndonjë informacion. Janë vetëm dënimet gjyqësore është emri i prokurorit, emri i grupit gjykues, prandaj them që nuk ka një ligj për ata që jetojnë se ndoshta dhe nuk jetojnë më, t’i imponosh apo t’i detyrosh sepse goditjen e fundit e jep prokurori. Emrat e tyre janë dhe vetëm ata mund të tregojnë vendin. Mirëpo kur s’ka një ligj nuk mund t’i detyrosh, pasi këta vetëm frymë marrin, por nuk janë qenie njerëzore, që lënë familjarët të mbajnë varret “hapur” në shpresë për t’i gjetur këto eshtra. Kështu që, është për të ardhur keq, ka pasur përpjekje, ka pasur lot gëzimi që i kanë gjetur eshtrat, por ka pasur dhe lot kur nuk i kanë gjetur.

    Falenderimet në emër të të përndjekurve

    Unë me rastin e intervistës tuaj, do të doja, sinqerisht, pa asnjë lloj elozhi, pasi nuk jam natyrë që bëj komplimente shumë dhe që flas shumë, por desha të falënderoj në mënyrë të veçantë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit për bashkëpunimin që kemi pasur dhe në veçanti ish- Kryeministrin Sali Berisha. Në këto falënderime zë një vend të veçantë dhe gazeta “Telegraf”. Sinqerisht, ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur sepse nëpërmjet jush, ish të përndjekurit janë sensibilizuar për të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në ligj, gjithë emrat për daljen e listave. Kështu që unë, përzemërsisht, falënderoj stafin e kësaj gazete, për të gjithë kontributin që keni dhënë për shtresën e ish të përndjekurve dhe sigurisht që, do ta jepni edhe në vazhdim!

    Vijon numrin e ardhshëm

    Largimet nga puna

    Përbuzja e gruas së Xhuzepes për Enverin

    Hakmarrja e Enverit, nga z.Agron Tufa