Simon Mirakaj: “I këshilloj Tufës, të pastrojë dëshminë e penalitetit më parë, pastaj të më marrë postin”

    217

    Intervistë/ Simon Mirakaj, Drejtor i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë: Ja kërkesat tona për Qeverinë e re

    “I këshilloj Tufës, të pastrojë dëshminë e penalitetit më parë, pastaj  të kërkojë të drejtojë Institutin e të Përndjekurve”. Kjo është përgjigjja që i ka dhënë, në një intervistë për “Telegraf”, Simon Mirakaj disa të përndjekurve, me në krye Skënder Tufën, për kërkesën e bërë disa ditë më parë për largimin e Mirakës nga kreu i Institutit. Mirakaj tregon që për zgjedhjen e kreut të këtij instituti ka disa specifika, megjithatë ngelet në dorë të kryeministrit Rama, të vendosë, siç ai e mendon të arsyeshme. Përsa i përket akuzave se ka bashkëpunuar me PD-në, Mirakaj tregon se gjithçka kanë fituar sot ish të përndjekurit, është në sajë të PD-së, edhe pse, sipas tij, ka vend për përmirësim. Gjithashtu, Mirakaj ka parashtruar edhe kërkesat imediate të ish të përndjekurve për qeverinë “Rama”.

    Një grup ish-të përndjekurish janë ngritur dhe kërkojnë largimin tuaj nga kreu i Institutit. Si i përgjigjeni ju kësaj kërkese?

    Çdo drejtues institucioni nuk mund të marrë të gjitha duartrokitjet e sallës, por ka dhe fishkëllima, janë normale kritikat, jemi në demokraci. Ata, në fakt, kanë thënë një gjë të vërtetë, që unë nuk jam përfaqësues i tyre. Përsa i përket kërkesës së largimit, është e drejta e tyre, se jemi në demokraci, por jemi në një shtet ligjor, dhe emërimet dhe shkarkimet kanë rregulla si në të gjitha institucionet shtetërore. Pra, në momentin që Skënder Tufa, apo një tjetër, firmoset nga Kryeministri, sigurisht që unë do ta pres në zyrë, do t’i shtrij dorën dhe do t’i uroj punë të mbarë. Mirëpo, institucioni ynë ka një specifikë të veçantë. Drejtuesi i këtij institucioni duhet të marrë miratimin e shoqatave dhe ky miratim i çohet Këshillit të Ministrave, i cili e aprovon ose nuk e aprovon, pra i çohen tre emra që përfaqësitë e shoqatave kanë përzgjedhur nëpërmjet CV-ve të tyre. Pastaj, Këshilli i Ministrave nxjerr vendimin, aprovon Skënderin, Hysenin apo Hasanin, firmos kryeministri, zbardhet vendimi dhe emërohet drejtuesi i këtij institucioni.

    Ata ju akuzojnë që keni mbështetur dhe keni qenë palë me PD?

    E kam parë në media, faktin që kërkojnë largimin tim, se kam mbështetur PD-në. Nuk ka dokument që ka dalë nga Ministria e Drejtësisë që të mos ketë kontributin e administratës që unë kam drejtuar që nga 2007-a e deri tani, janë dhënë afërsisht 1000kuota për studime universitare, janë rreth 50 studentë që kanë kaluar nga universiteti privat në atë publik, janë rreth 20 veta që kanë marrë nga Bashkia kredi për strehim. Dhe këto i ka dhënë qeveria e djathtë. Është Partia Demokratike, e cila që në fillimet e saj, që në ’90, ’91 drejtoi protestat duke thirrur që të lirohen të burgosurit, të lirohen të përndjekurit. Kjo është arsyeja që kam mbështetur dhe do të mbështes Partinë Demokratike. Sepse që në fillimet e saj kanë qenë me qindra, apo me mijëra që kanë filluar shkollën, (ka qenë një sakrilegj shkolla për shtresën tonë), kanë qenë me qindra që janë punësuar që nga ’92, por dhe nga 2005-a në të gjitha përfaqësitë, duke filluar nga Kryetarja e Parlamentit, ministra, zv/ministra, drejtorë të përgjithshëm, pra kemi qenë pjesë e administratës. Sigurisht, nuk është bërë aq sa meritojmë, duke marrë parasysh historinë tonë të kaluar, ka vend për përmirësime siç kam thënë gjithmonë, edhe te ligji i dëmshpërblimit. Gjithsecili ka të drejtë, të shkojë aty ku gjen veten. Unë nuk kam të drejtë të kufizoj Skënderin, apo ndonjë tjetër se bashkohet me PS-në. Janë pasuri, si PS-ja ashtu dhe PD-ja për këtë vend. Pra, secili shkon atje ku gjen veten e vet. Kjo është bukuria e sistemit pluralist.

    Në fjalët e mësipërme i dhatë të drejtë, atij grupi që ju akuzon, në faktin që ju nuk i përfaqësoni ata. kë përfaqësoni ju? Çfarë doni të thoni me këtë?

    Unë përfaqësoj ata që janë vrarë në kryengritjen e Malësisë së Madhe, unë përfaqësoj ata që janë vrarë në kryengritjen e Postribës, unë përfaqësoj ata që janë syrgjynosur nëpër kampe, burgje prej viteve ‘45 deri në ’84-ën. Unë nuk përfaqësoj, ata që nuk duan që unë t’i përfaqësoj.

    Kur disa ish të përndjekur, ku ishte prezent dhe Skënder Tufa, hynë në grevë urie, a pati kjo grevë mbështetjen e institucionit tuaj?

    Të falënderoj për pyetjen. Unë kam shkuar te greva dhe u kam çuar disa paketa dhe u kam thënë: Që për kërkesa ekonomike, unë ju mbështes, se unë kam deklaruar se çfarëdo çmimi që të na jepet ne, është e pamundur të na jepet ajo çka ne meritojmë. Por, duke marrë parasysh kushtet me të cilat jetojmë, mendoj se ka një vlerësim, sepse jeta nuk ka çmim. Dhe në momentin që dolën me kërkesat për rrëzimin e qeverisë, unë që aty u shkëputa, por vazhdova punën për të plotësuar kërkesat ekonomike dhe në sajë të këmbënguljes sime, filloi dhënia e këstit të dytë për të gjallët në muajin mars. Megjithatë, në përgjithësi, unë jam kundër grevëssë urisë, sepse ne kemi qenë gjithë jetën në grevë, në mungesën e ushqimit, në mungesën e lirisë. Greva e urisë është masa më ekstreme, sidomos për shtresën tonë është e panevojshme.

    Qeveria e re sapo është dekretuar. Ju keni marrë ndonjë iniciativë për të të hyrë në negociata në zgjidhje të problemeve të ish të persekutuaarve?

    Mbrëmë është ulur për herë të parë Kryeministri i ri në karrigen e tij. Po mbrëmë është bërë mbledhja e parë e qeverisë së re, ministrat sot mund të kenë shkuar në dikasteret e tyre, kështu që është shumë shpejt që të fillojmë negociatat, por unë kam besim që dëmshpërblimet do të vazhdojnë. Shpresoj, se gjatë fushatës kanë premtuar, besoj dhe ju si media do të jeni në dijeni, që dëmshpërblimi do të jepet brenda 2 vjetëve dhe të shpresojmë në implementimin sa më të shpejtë të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit.

    Skënder Tufa, ka akuzuar qeverinë Berisha se u dha pension të posaçëm 5 ish-të dënuarve, ndërkohë që sipas tij këtë pension duhej ta përfitonin të 2 mijë të dënuarit politikë që janë gjallë. Çfarë mendoni ju për këtë?

    Dëgjo, unë nuk mund të hyj në interpretimin, ato janë mendimet e Skënderit dhe çdo njeri ka mendimet e veta. Unë kam lexuar ligjin e pensionit të posaçëm i cili thotë se marrin dhe ish të përndjekur politikë me specifika të veçanta, jo të gjithë njerëzit marrin pension të posaçëm. Të gjitha shtresat marrin pension të posaçëm: marrin kompozitorët e mëdhenj, por jo të gjithë marrin pension të posaçëm; marrin akademikët, por jo të gjithë marrin pension të posaçëm. Unë po të kisha mundësi të gjithëve do t’ia jepja, sepse e quaj të padrejtë p.sh. që të marrin pension suplementar ish ushtarakët, ku midis tyre janë dhe hetuesit tanë, operativët e sigurimit dhe mos ta marrin të burgosurit. Me këtë jam plotësisht dakord.

    Kush është Skënder Tufa

    Të them të drejtën më çudit pak puna e tij, jam interesuar për periudhën e burgut që ka bërë para ’90-ës dhe kam dëgjuar fjalë të mira për qëndrimin e tij. Në burg, atje, ka pasur dhe xhaxhain e vet, një burrë shumë i mirë, që më ka ardhur në zyrë dhe ai e ka mbajtur afër, siç është normale, nipin e tij dhe e ka shpëtuar nga përzierja me elementë negativë (të dënuar për vepra banale), mirëpo qëndrimi i tij ka qenë i mirë. Pas ’90-ës e prapa, unë nuk e kam takuar rastësisht dhe i kam thënë, miqësisht, të ketë kujdes, se kisha dëgjuar disa gjëra që s’më pëlqenin. Më vonë, kam marrë vesh që ra në burg në 2004-ën, të them të drejtën, sigurisht, që më erdhi keq. Pra, në vija të përgjithshme, se unë nuk e njoh mirë, por burgu i dytë që ai ka bërë, nuk e lejon që të futet  në administratë, prandaj unë i bëj thirrje që të shkojë në gjyq, të rishikojë çështjen, se ndoshta me ndonjë avokat të zotin mund të marrë pafajësinë, sepse për në administratë të kërkohet një dëshmi penaliteti. Prandaj, unë i bëj thirrje, miqësisht, që ta ketë prioritet këtë, nëse do të jetë në krye të këtij institucioni. Megjithatë, në rast se Kryeministri e merr në konsideratë kërkesën e atyre njerëzve, që Skënder Tufa të marrë drejtimin, unë e mirëpres, i shtrëngoj dorën dhe i uroj punë të mbarë.

    Kërkesat për qeverinë “Rama”

    Kërkesa e parë: Të jetë shumë e kujdesshme me administratën, sepse në administratë ka dhe ish të përndjekur, të cilët nuk janë në administratë vetëm për statusin e tyre, por janë në administratë, sepse i plotësojnë të gjitha kriteret që kërkon koha, sipas studimeve që kanë dhe sipas aftësive që kanë. Unë besoj, mendoj dhe jam i sigurt se kanë qenë ndera e administratës me të djathtën, por do të jetë vlera i çdo lloj administrate. Prandaj kërkoj nga kryeministri i ri që të mos bëj largime për motive politike, gjithmonë flas për shtresën e ish të përndjekurve, sepse ka në polici, ka nëpër dikastere, nëpër institucione. Janë njerëz që na përfaqësojnë me dinjitet veten e tyre, familjet e tyre edhe shtresën e ish të përndjekurve. Ndërsa kërkesa e dytë është vazhdimi i dëmshpërblimit. Gjithashtu pranimi i projektligjit për dëmshpërblimin, e cila në fakt është një kritikë për të djathtën. Se e kam thënë dhe herë të tjera projektligji kaloi që në maj 2012 në komision e ligjeve, por nuk kaloi në Parlament. Përsëri kam besimin që ndoshta në tetor mund të kalojë në Parlament. Këto janë kërkesat imediate, pastaj janë dhe të drejtat e studimit që u dhanë nga qeveria e djathtë si dhe të drejtat për master profesional me 50% të  tarifës. Kemi mjaft lehtësira ne shtresa e ish të përndjekurve, por gjithmonë ka pasur vend për kritika konstruktive, gjithmonë ka vend për përmirësim.