Simon Mirakaj: Asnjë dëmshpërblim deri tani, lista e Financave është mashtrimi i radhës

    479
    Sigal

    Flet z. Simon Mirakaj, kryetar i Shoqatës të ish të Përndjekurve për listën e dëmshpërblimeve, integrimin e të përndjekurve dhe hapjen e dosjeve

    Asnjë ish i përndjekur nuk ka përfituar dëmshpërblim deri më tani. Lista me emrat që përfitojnë këstin e parë, zbardhur nga Ministria e Financave, është mashtrimi i radhës, pasi aty janë emrat e trashëgimtarëve përfitues të ish të përndjekurve. Këtë e thotë në një intervistë për “Telegraf” z. Simon Mirakaj, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë në Shqipëri. “Këta nxjerrin listat e trashëgimtarëve, që marrin dëmshpërblimin nga prindër të humbur nëpër kampe, burgje, apo janë të ekzekutuar, nuk ka asnjë listë të dalë për dëmshpërblimet” shprehet Mirakaj. Shou i ministrit Veliaj për listën me 44 emra, pushimet nga puna të ish të përndjekurve, integrimi i kësaj shtrese, si dhe domosdoshmëria e hapjes së dosjeve janë disa nga problematikat e trajtuara në këtë intervistë me z. Mirakaj.

     Si qëndron problemi me dëmshpërblimet, të kujtojmë këtu protestat e të burgosurve politikë, si dhe problematikat e tyre të bëra edhe mediatike?

     Siç e kam theksuar dhe herë të tjera, krijimin e një tryeze të rrumbullakët nga Partia Socialiste me një grup ish të përndjekurish para fushatës zgjedhore e kam quajtur si një hap pozitiv, se duke iu referuar të shkuarës, Partia Socialiste nuk ka denjuar të merret me problemin e ish të përndjekurve: Ajo nuk ka marrë pjesë në aprovimin e Ligjit për Dëmshpërblimin; njëkohësisht ka qenë kundër edhe rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit. Kjo ka qenë dhe arsyeja që këtë tryezë të rrumbullakët unë e kam parë si një hap pozitiv. Por mbas fitores së të majtës, në 23 qershor, të gjithë shpresuam në mbajtjen e premtimeve elektorale në lidhje me problemet e ish të përndjekurve politikë, por faktet tregojnë të kundërtën. Ka një mosimpenjim serioz në problemin e dëmshpërblimit, jo vetëm këtu, por edhe në largimin nga puna të kësaj shtrese që plotësojnë të gjitha kriteret që kërkon koha, d.m.th. janë me arsimin përkatës. Përsa i përket dëmshpërblimit, nuk kemi asnjë listë të dalë për dëmshpërblim, sepse ka një reaksion zinxhir: Është Ministria e Drejtësisë, ku një grup specialistësh shqyrtonin dosjet e aplikantëve dhe nëse ato dosje ishin të rregullta me dokumentacionin, sipas ligjit, atëherë formohej lista e dëmshpërblimit, e cila i kalonte qeverisë. Qeveria nëpërmjet një VKM-je ia kalonte Ministrisë së Financave për ekzekutim. Pra, ne nuk kemi asnjë listë të dalë deri më sot, sepse specialistët janë pushuar nga puna dhe problemi tjetër është është se Instituti i të Përndjekurve kaloi në varësinë  e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe tani ata po merren me inventarizimin e dosjeve. Njëkohësisht, edhe sektori i dëmshpërblimit që ishte pranë Ministrisë së Financës u shkri dhe nga 10 persona në këtë sektor, tani janë vetëm 3 dhe kjo është arsyeja që s’ka asnjë listë për dëmshpërblimet. Vetëm një listë me 44 veta ka dalë nga Ministria e Financës pas kaq muajsh dhe u bë një shfaqje, ku merrte pjesë ministri Veliaj, zv/ministrja dhe drejtori i Institutit. Ne nuk kemi në asnjë rast nga ish qeveria që në nxjerrjen e listave të ketë marrë pjesë ministri, apo zv/ministri, apo drejtori i Institutit. Nuk ka nevojë të bësh shfaqje, por të bësh punë.

     Po lista që ka dalë nga Ministria e Financave për ish të përndjekurit që nuk kanë marrë asnjë këst?

    Edhe ky është mashtrimi tjetër. Herë pas here dalin lista me 1 mijë, me 2 mijë, me 3 mijë. Këta nxjerrin listat e trashëgimtarëve, që marrin dëmshpërblimin nga prindër të humbur nëpër kampe, burgje, apo janë të ekzekutuar, nuk ka asnjë listë të dalë për dëmshpërblimet. Ky është mashtrimi që po bëhet nga Ministria e Mirëqenies Sociale duke nxjerrë listat e  trashëgimtarëve dhe thonë; ja emrat që do të marrin, apo që kanë dokumentacionin mangët. Nuk ka asnjë listë të dalë që nga qershori që e majta ka marrë zgjedhjet e deri më sot.

     Nuk është bërë asnjë dëmshpërblim?

    Asnjeri nuk ka marrë. Ka dalë vetëm një listë me 44 emra. Sigurisht, nga momenti që del lista deri sa ti shkojë shuma e lekëve, pra një e teta e shumës, në llogaritë bankare që kanë hapur, në bazë të ligjit, do një periudhë 2-3 javore. Këta 44 veta, që e kanë gjetur emrin, mendohet që nga fundi i muajit prill ose fillimi i majit të marrin lekët. Kam dëgjuar një intervistë të z. Veliaj ku thotë se në muajin shtator do mbarojë kësti i parë, por duke bërë një llogaritje, me këtë ritëm të deritanishëm, absolutisht nuk mundet që për 4 muaj të mbarojë këstin e parë dhe sikur të nxjerrë lista me nga 100 emra nuk e përfundon dot këtë proces deri në shtator.

     Gjithmonë i mëshohet dëmshpërblimit, por a është e drejtë kjo për ish të përndjekurit?

    Integrimi i kësaj shtrese nuk bëhet vetëm duke i dhënë dëmshpërblimin. Integrimi i kësaj shtrese bëhet edhe duke i dhënë punën. Ndërsa e majta, për fat të keq, i ka larguar nga puna. Janë një pjesë e madhe që kanë qenë në administratë sipas aftësive, kurrikulave të tyre dhe janë larguar nga puna.

    Të hapen dosjet! Po glorifikohet krimi

     Përsa i përket hapjes së dosjeve, shpeshherë, thuhet që hapja e dosjeve do të shkaktojë probleme dhe tragjedira. Këto janë për të mbuluar të vërtetën, sepse nëse do të kishte ndodhur ndonjë gjë, edhe pse mund të justifikohej deri diku, nga pjesa e masës së gjerë, që u ndëshkua nga diktatura, do kishte ndodhur sapo u shemb komunizmi, sapo ra perdja e hekurt dhe fituan lirinë. Por, absolutisht nuk kemi dëgjuar që të ketë ndodhur ndonjë tragjedi apo hakmarrje, jo sot, pas 23 vjetësh demokraci, hapja e dosjeve do të shkaktojë të tilla probleme. Këto janë për të justifikuar mosveprimin e tyre. Hapja e dosjeve është një domosdoshmëri, sepse ne kemi raste dhe kemi dëgjuar që kanë marrë dekorata prokurorët, të cilët kanë marrë pjesë në dënimin e kësaj shtrese për motive politike. Kanë marrë dekorata dhe janë bërë “Qytetarë nderi”, apo “Nderi i kombit” nga Presidenti i Republikës njerëz që kanë dëshmuar dhe janë bashkëpunëtor të sigurimit, ka emra rrugësh me këta njerëz, madje kanë marrë dhe pension të posaçëm. Në vend që të marrin një ndëshkim moral, ka një vlerësim, i jepet një glorifikim dhe madhështi veprimit të tyre. Ne kërkojmë që, të paktën, të ndëshkohen moralisht. Kjo vjen ngaqë shoqëria jonë nuk është fort e ndjeshme ndaj këtij problemi, sepse në një shoqëri me një nivel më të lartë të ndërgjegjes, deri më sot ato dosje duhej të ishin hapur. Sepse në Parlament ne kemi dëgjuar shpeshherë që i bëjnë akuza njeri-tjetrit dhe që akuza të jetë me vend (ka raste që bëhen dhe kot për të sulmuar njeri-tjetrin politikisht), atëherë e vetmja gjë që i jep vulën kësaj është hapja e dosjeve, sepse nuk jemi te vetmit, janë të gjitha vendet postkomuniste që e kanë bërë këtë detyrim ndaj popullit të vet. Gjithkush ka të drejtën ta shikojë tjetrin në sy.