Simon Miraka: Së shpejti fillon dëmshpërblimi për këstin e dytë, ja afatet dhe procedurat

    374
    Sigal

    INTERVISTA/Kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, flet për grevën

    Kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka në një intervistë për “Telegraf” i ka cilësuar të drejta kërkesat e grevistëve. Sipas zotit Miraka shumë shpejt do të fillojë shpërndarja e dëmshpërblimit për këstin e dytë për personat nën 65 vjeç. Ndërkohë që, ai deklaron që  opozita asnjëherë nuk e ka mbështetur këtë kategori.

    -Zoti Miraka, para dy ditësh ndodhi një incident i rëndë me personat që janë në grevë. Si e komentoni incidentin e ndodhur?

    -Prej disa ditësh një grup prej 20 vetësh kanë hyrë në grevë urie dhe normalisht kërkesat e tyre janë kërkesa ekonomike. Unë jam shprehur dhe në media të tjera, po shprehem dhe për gazetën tuaj që protestat janë pjesë e demokracisë. Më duket e padrejtë ngaqë vijmë nga një shtresë që kemi bërë grevë prej 45 vjetësh dhe të sakrifikojmë sot më duket një gjë jo shumë sublime. Jo se kërkesat e tyre nuk janë të drejta, por jeta nuk blihet me asnjë çmim dhe ne të përndjekurit nuk do të marrim asnjëherë atë që kemi dhënë. Por duke parë rrethanat, të cilat jemi, duhet të kemi parasysh që kemi ardhur nga një shtet i shkatërruar. Mendoj se që nga ardhja e qeverisë së djathtë ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të integruar këtë kategori në shoqëri. integrimi i kësaj shtrese është mjaft i vështirë deh të gjithë e dinë ata që kanë jetuar në atë kohë. Kjo shtresë 80% ka qenë shtresë e pasur në atë periudhë. Më rënien e komunizmit kjo shtresë u gjend e zbuluar. Dhe kjo shtresë u përkrah nga qeveria madje u është dhënë edhe dëmshpërblim si me para kesh, po ashtu u dha edhe me letra me vlerë.

    -Ju po thoni që qeveria aktuale ka përkrahur të përndjekurit, ndërkohë që, premtime dëgjojmë dhe nga opozita, si i cilësoni këto?

    -Po ti referohemi historisë njëzetvjeçare duhet të themi që nuk është herezi që interesohet Partia Socialiste. Por që të jesh i besueshëm duhet të kesh fakte për ato që thua. Unë dua të kujtoj që Partia Socialiste, nuk ka bërë asgjë për këtë kategori për 20 vjet, jo vetëm sot që është në opozitë, por edhe kur ka qenë në pushtet ajo nuk ka bërë asgjë, as shpi, as punësim. Ligji i dëmshpërblimit është bërë nga qeveria që është sot dhe është bërë në 2007 dhe normalisht që ai ka pasur kontestime dhe rregullime. Dhe tani pritet që të shkojë në parlament ligji dhe të bëhet shpërndarja e kësteve dhe t’u jepet përparësi atyre personave që kanë probleme shëndetësore dhe normalisht që do të marrin më parë dëmshpërblimin. Por përderisa ligjet janë të miratuara që para 8 vjetësh. Ka filluar dëmshpërblimi që në 2009 dhe duhet të përfundojnë në 2017. Por ne mendojmë që me shitjen e “Albpetrol”-it ne do t’i bëjmë një kërkesë qeverisë që një pjesë e kësaj shume të kalojë për dhënien e dëmshpërblimit.

    -A ka pasur ndonjë reagim nga qeveria pas ndodhjes së incidentit për përshpejtim të dëmshpërblimeve?

    -Ne i kemi paraqitur një listë qeverisë të personave që kanë probleme për të marrë lekët dhe ne kanë premtuar që shumë shpejt do të fillojë dhënia e këstit të dytë. Po ashtu ligjet do të kalojnë në parlament dhe do të fillojë shumë shpejt dhe gjërat janë në vijën e duhur. Ka qenë një vendim që do të merrnin dëmshpërblim personat që ishim mbi 5 vjeç dhe ajo listë mbaroi dhe do të fillojë dëmshpërblimi për personat poshtë 65 vjeç.

    MINISTRIA E FINANCAVE/ TË PËRNDJEKURIT PO MANIPULOHEN POLITIKISHT, JA SA LEKË KANË MARRË!

    Ministria e Financave në një dalje publike ditën e djeshme akuzoi ish-të përndjekurit se janë manipuluar politikisht, pasi ato kanë marrë këstin e parë që iu takon me ligj. Dorian Teliti, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave në një dalje publike për mediat deklaroi se ish- i përndjekuri Gjergj Ndreca që ndodhet i shtruar në spital mashtron pasi ai ka marrë nga qeveria shumën e parave që i takon, ndërkohë që edhe Pal Përshtjefni, i akuzuar për zjarrvënie të shokut ka marrë shumën që i takon. “Më lejoni t’ju informoj se personi të cilin e ndezën flakë për qëllime kriminale, z. Gjergj Ndreca me nr. dosje 17709 ka marrë këstin e parë të pagesës në shumën 291.750 lekë të reja ose afërsisht 3 mijë dollarë, ndërkohë që nga ligjet e mëparshme, po të qeverisë se djathtë, ka përfituar 700 mijë lekë letra me vlerë (7.000 dollarë), të përdorura për privatizime të pronave publike për të cilat do të keni një informacion më të plotë në ditët në vijim. Perikli Shqevi, i cili është zjarrvënësi që i ndezi flakën shokut të tij Ndreca, i datëlindjes 1957 me nr. dosje 16.878 ka marrë deri sot 585.753 lekë ose 5800 dollarë si dhe 1.129.973 letra me vlerë (mbi 11.000 mijë dollarë) “,- deklaroi Teliti. Ai njoftoi se, do të vijojë sipas ligjit shpërndarja e këstit të dytë të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, pasi qeveria ka marrë çdo masë për lëvrimin e fondeve për dëmshpërblimin e të gjithë kësaj shtrese, ndërkohë sqaroi se grevistët nuk kanë marrë këstin e dytë të dëmshpërblimit për shkak të moshës. “Në bashkëpunim me përfaqësuesit dhe shoqatën e të përndjekurve politikë janë vendosur edhe prioritetet e pagesave për personat që janë gjallë dhe mbi 65-vjeç për të përfituar këstin e dyte, ndërkohë në ditët në vijim do të fillojnë pagesat edhe për personat nën 65-vjeç. Në total të gjithë janë paguar për këstin e parë 8.350.245 lekë (afërsisht 83 mijë dollarë) dhe nga kësti i dytë kanë përfituar deri më sot 2.734.466 lekë (afërsisht 28 mijë dollarë), por sikurse ju thashë është një proces që vazhdon pandërprerje. Të gjithë personat e listuar më sipër kanë përfituar deri më sot edhe 14.282.370 letra ose afërsisht 143 mijë dollarë. Fondi i vëne ne dispozicion deri më sot prej 65 milion dollarësh është një proces i pandërprerë dëmshpërblimi”,- theksoi Teliti.