Simon Miraka: Projektligji për dosjet, i Veliaj, mbron interesat e qeverisë, ridënon edhe një herë të persekutuarit

    406
    Sigal

    Simon Miraka, kreu i Shoqatës të ish të Përndjekurve politikë, në intervistën për “Telegraf” pohon që projektligji i ministrit Veliaj për hapjen e dosjeve është thjesht për të zbuluar kush ishin bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe kësisoj ai po i ridënon edhe një herë të persekutuarit. Ky p/ligj nuk është bërë në konsultim me asnjë palë të interesuar dhe mbron vetëm interesat e qeverisë, siç pohon zoti Miraka dhe shton: “Pa ligjin e Lustracionit” kurrë shoqëria jonë nuk do të ndahet nga e kaluara komuniste”.

    Zoti Miraka, si palë interesi, ju jeni njohur me projektligjin e hapjes së dosjeve, që ministria e Mirëqenies e ka çuar në Parlament për t’u miratuar?

    – Ne kemi mbështetur projektligjin që ka shoqëria civilë dhe është mbështetur edhe nga 2 deputetët Doda dhe Idrizi. Në këtë projektligj kemi marrë pjesë edhe ne, si palë e interesuar. Pas disa ditësh, pasi u depozitua ky projektligj në Parlament, kemi mësuar që edhe qeveria po përgatitet për një projektligj të sajin. Projektligj paralel për të njëjtën gjë, mua më duket pak e çuditshme. Megjithatë, Shqipëria është vendi i paradokseve.

    – Po qeveria, a ju ftoi juve, si palë interesi, të diskutonit bashkërisht  projektligjin e saj?

    Një herë, kemi marrë pjesë në një diskutim të Ministrisë të Mirëqenies, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman, sepse nga kjo ministri pretendohet që do të merret modeli gjerman. Në atë takim ishte edhe ministri Veliaj. Atje u bë diskutimi rreth këtij projektligji.

    – Cili është gjykimi juaj për projektligjin për hapjen e dosjeve që ka paraqitur në Parlament qeveria?

    –  Unë jam skeptik në mënyrën e interpretimit që do t’i bëhet projektligjit për hapjen e dosjeve. Sepse në këtë projektligj të qeverisë, janë fokusuar të gjithë  vetëm në hapjen e dosjeve. Pra, hapja e dosjeve nënkupton gjetjen e bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe personave që janë ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Mirëpo, ne kërkojmë që me hapjen e dosjeve të shoqërohet edhe me ligjin e Lustracionit, sepse Ligji i Lustracionit do të thotë pastrimi i figurës. Domethënë, në administratën shtetërore, në administratën e lartë të shtetit dhe në atë vendore, të mos ketë më njerëz që kanë qenë pjesë e inkriminuar në kohën e diktaturës, siç janë prokurorë, hetues, gjyqtarë. Pra, në rast se ne fokusohemi vetëm te hapja e dosjeve, kjo do të thotë që ne, ende nuk duam të shkëputemi nga e kaluara, sepse duke pasur këta persona, që janë direkt përgjegjës për krimet e ndodhura dhe sot, të jenë sërish në administratën e lartë të shtetit, mendoj që është e turpshme. Në rast, se hapja e dosjeve nuk shoqërohet paralelisht dhe njëkohësisht edhe me ligjin e Lustracionit, do të thotë që del një projektligj që u bën sërish favor njerëzve që bënë krime në diktaturë.

    – Në këtë projektligj të hapjes së dosjeve të qeverisë, deputetët, që kanë qenë në strukturat e torturës të diktaturës, nuk preken. Juve, si ju duket?

    – Pikërisht pra, ky është një arsyetim i çuditshëm, sepse pretendojnë hartuesit politikë të këtij projektligji, se shkelen të drejtat e Njeriut. Me hapjen e dosjeve, do të thuhet, që filani ka qenë hetues, prokuror, apo pjesë e diktaturës, por më pas, do të varet nga institucioni nëse do ta propozojë këtë person që ka qenë pjesë e diktaturës në detyrën e lartë shtetërore, apo edhe deputet në Parlament. Nëse gjatë kësaj legjislature miratohet ligji dhe do të zbatohet, duke krijuar Komisionin për pastrimin e figurave, atëherë deputetët e inkriminuar nga diktatura do ta vazhdojnë mandatin, nuk do t’ju ndërpritet.

    – Në të vetmin diskutim që juve ju ftoi qeveria, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman, ju a i shfaqët këto mendime?

    – Po, unë i shfaqa këto mendime dhe u thashë, që ne nuk kemi pse t’i përkëdhelim tani këta njerëz, që janë pjesë e krimit të diktaturës.

    – Çfarë përgjigje morët nga ministri Veliaj?

    – Ministri Veliaj e anashkaloi problemin e shqetësimin që unë ngrita, nuk deshi të përgjigjej, duke thënë që ne do të zbatojmë, së pari, këtë ligj të hapjes së dosjeve  dhe më vonë, do t’i vijë radha ligjit të Lustracionit. Mua më duket e pakuptimtë kjo politikë e ministrit Veliaj, që të vëmë në zbatim këtë ligj, e pastaj t’i kthehemi ligjit të Lustracionit.

    – Sipas jush, nga sa mund të dini, përse qeveria nuk e mbështeti projektligjin që ka depozituar në Parlament shoqëria civile dhe 2 deputetët Doda dhe Idrizi?

    – Qeveria do të bëjë ligje, që i përshtaten qeverisë. Kushdo qoftë ajo. Ky projektligj i qeverisë për hapjen e dosjeve është në përshtatje të interesave të qeverisë dhe jo për t’i shërbyer shoqërisë, historisë dhe shkëputjes tonë përfundimtare nga e kaluara e diktaturës. Unë flas në mbështetje të shtresave të përndjekura. Sepse, sipas projektligjit të qeverisë, të kërkosh me hapjen e dosjeve, të gjesh bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët në shumicën e rasteve janë bërë me dhunë, do të thotë që ta ridënosh edhe njëherë atë dhe nuk kërkon që të dënosh dhunuesin.

    – Ju doni të thoni që, qeveria, përveç atij takimi që patët me ministrin Veliaj, nuk e ka marrë më mundimin që të konsultohet me palët e interesit për projektligjin e hapjes së dosjeve?

    – Jo, jo, nuk kemi bërë diskutim tjetër për këtë projektligj.

    – Po modeli gjerman, të cilit iu referua ministri Veliaj, çfarë ngjashmërie ka me këtë projektligj të qeverisë për hapjen e dosjeve?

    – Në të gjitha rastet që duan të referojnë diçka qeveritarët për këtë projektligj të tyre thonë “modeli gjerman, modeli gjerman”. Po në asnjë rast, nuk thuhet se cili është modeli gjerman? Çfarë ka bërë modeli gjerman? Unë di që modeli gjerman, edhe mësuesit i ka hequr nga shkolla, kur ata ishin bashkëpunëtorë të diktaturës. Në asnjë rast nuk është thënë nga qeveritarët, që “ne i referohemi modelit gjerman, por asnjëherë nuk është bërë e qartë modeli gjerman në këtë projektligj të qeverisë tonë për hapjen e dosjeve. Të na thonë qeveritarët; Kë ka përjashtuar modeli gjerman?

    – Në atë diskutim që ju bëtë, a u referua konkretisht modeli gjerman i hapjes së dosjeve?

    – Jo, jo, nuk u zbërthye, nuk u qartësua fare se çfarë përmbante modeli gjerman, nuk u bë asnjë analogji dhe me atë që duhet të arrijmë ne, duke e përshtatur në praktikën e historinë tonë modelin gjerman. Thjesht, na mbushën mendjen duke na thënë që kanë marrë modelin gjerman.

    – Në atë takim çfarë tha ambasadori gjerman, i cili ishte i pranishëm e dëgjoi mendimet e palëve?

    – Jo, nuk tha asgjë konkrete ambasadori gjerman, sepse pak ndenji dhe iku, por mbështeti çështjen e hapjeve të dosjeve në përgjithësi. E pa në aspektin e përgjithshëm, jo ndonjë analizë të thellë të çështjes.

    Projektligji i Veliaj do të gjejë vetëm kush ishin bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit

    Nëse ky projektligj i hapjes së dosjeve të qeverisë, do të miratohet në Parlament, ju çfarë produkti prisni në zbatimin e tij?

    – Sipas mendimit tim, ky projektligj i hapjes së dosjeve të Veliajt, është vetëm fokusimi i gjetjes së bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Është një luftë, që duan të mbyllin këtë diskutim, që ka 25 vjet që bëhet debat në shoqërinë tonë, edhe pse ka pasur përpjekje, siç ishte komisioni “Mezini”,  e më vonë, komisioni “Bezhani”, por asnjë nuk shkoi seriozisht deri në fund. Edhe në 2008 u paraqit një projektligj nga qeveria e kaluar, por edhe ky projektligj u hodh poshtë, për shkak se kishte konflikte interesash.

    – Faleminderit!

    Jakup B. GJOÇA