Simon Miraka: “Arsyet e mosvotimit të projektligjit për të përndjekurit dhe afatet për dëmshpërblimin”

    382
    Sigal

    INTERVISTA/Flet  kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka për projektligjin

    Projektligji i përgatitur nga të përndjekurit politikë nuk ka kaluar ende në Parlament. Ky projektligj që ka të bëjë me disa çështje të rëndësishme për të përndjekurit politik ka kaluar në Komisionin e Ligjeve në majin e viti të kaluar, por ende nuk ka kaluar në Parlament. Në lidhje me këtë çështje ka folur në një intervistë për “Telegraf”, kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Zoti Miraka ka bërë të ditur se, është pajustifikueshme vonesa që është bërë. Përsa i përket dëmshpërblimit për këstin e dytë për trashëgimtarët ai është shprehur do të mbyllet brenda majit kësti i dytë për trashëgimtarët.

     -Zoti Miraka, prej kohësh është përgatitur një projektligj nga të përndjekurit politikë, i cili ka kaluar edhe në Komisionin e Ligjeve, por s’është miratuar nga Parlamenti. A keni ndonjë informacion se kur do të kalojë?

    -Ky projektligj ka kaluar në komisionin e ligjeve që në majin e vitit 2012, me disa ndryshime në favor të ish të përpjekurve. Siç ju thash edhe më lart që ai projektligj është kaluar në komisionin e ligjeve dhe unë nuk arrij që ta kuptoj se cila është arsyeja e vonës për tu miratuar në parlament. Shpjegimi im është që në komisionin e ligjeve është kërkuar që 85- vjeçarët të merrnin tërë shumën e parave që u kishte mbetur nga kësti i parë. Ndërsa pjesa e Partisë Socialiste në komisionin e ligjeve kërkoi që mosha të ulej në 75 vjeç për burrat dhe në 70 vjeç për gratë. Duke qenë se, buxheti ishte hartuar për 85- vjeçarët, atëherë mendoj që, kjo e krijoi këtë kolaps që ende nuk ka kaluar në parlament. Ky është shpjegimi im që është tregon arsyet e vonesës së miratimit nga Parlamenti.

     -Cilat janë disa nga pikat e këtij projektligji që janë më të nevojshme për të përndjekurit?

    -Pikat më kryesore janë ato që kanë të bëjnë me rastet që nuk u janë pranuar dokumentet për dëmshpërblim personave që nuk kanë aplikuar brenda afatit të caktuar kohor, për arsye se kanë qenë jashtë Shqipërisë, apo dhe personat që kanë probleme me shëndetin. Afati i aplikimit ka qenë nga data 18 dhjetori e vitit 2007 deri në 1 korrik të 2009-s. Në arkivën e Ministrisë së Drejtësisë janë afërsisht 2000 dosje apo më pak që janë jashtë afatit dhe ne në këtë projektligj që kemi përgatitur kemi kërkuar që të pranohen këto dosje. Një pikë, pra, është shqyrtimi i dosjeve jashtë afatit kohor. Një pikë tjetër ka të bëjë më rastet kur veprimet e disa të burgosurve politikë janë quajtur veprime terroriste. Është një absurditet dhe kjo kategori ka mbetur jashtë dëmshpërblimit, ose u janë zbritur disa vite burgu. Në këtë projektligj veprat e tyre quhen vepra politike dhe ato që kanë mbetur pa marrë dëmshpërblim do të marrin. Një pikë tjetër është njohja e komisionit trepalësh për vërtetimet e internimit apo pushkatimit pa gjyq etj. pikë tjetër është edhe kategoria e fëmijëve të birësuar që kanë mbetur jashtë dëmshpërblimit dhe në këtë projektligj është parashikuar që ato të marrin dëmshpërblim. Dhe më sa di unë Parlamenti deri në datën 10 apo 15 maj vazhdon punimet dhe më pas do të mbyllet, urojmë që të kalojë deri atëherë.

     -Si po ecën faza e dytë e dëmshpërblimit për trashëgimtarët dhe kur pritet që të mbyllet kjo fazë?

    -Kësti i dytë për trashëgimtarët është drejt mbylljes. Dhe sipas një urdhri brenda muajit maj do të jenë likuiduar të tërë trashëgimtarët që kanë për të marrë këstin e dytë. Tani sapo ka dalë një listë me 400 persona dhe ai urdhër do të përfundojë. Gjatë muajit prill do të dali edhe një listë me emrat e të pushkatuarve dhe të internuarve që kanë dokumentet e rregullta për dëmshpërblim.

     -Të përndjekurit politikë janë shprehur se, në zgjedhjet e qershorit do të mbështesin maxhorancën. Cilat janë disa nga arsyet që të përndjekurit janë pozicionuar në këtë krah politik?

    -Ne patëm një takim më të gjitha kryesitë e shoqatave dhe të gjithë unanimisht vendosëm që në zgjedhjet e 23 Qershorit të jemi mbështetës të së djathtës me në krye Partinë Demokratike. Arsyeja kryesore është se kjo parti i përket spektrit të djathtë si botëkuptim dhe në aspektin politik po flas. Ndërsa një arsye tjetër është edhe aspekti financiar, apo dhe shkollimi do të thoja që  janë bërë të mundura falë mbështetjes që ka dhënë krahu i djathtë. Po ashtu edhe dëmshpërblimi, apo dhënia e shtëpive është bërë i mundur falë se djathtës. Pra të gjitha benefitet janë përfituar nga e djathta. Por, megjithatë, ne asnjëherë nuk i ulim vlerat duke përmendur vetëm aspektin ekonomik, sepse e tërë sakrifica e të burgosurve nuk është bërë me qëllimin që po sakrifikojmë sot dhe nesër do të dëmshpërblehemi. Por ato kanë sakrifikuar në emër të lirisë dhe demokracisë.

     -Në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është vendosur një ministër që vjen nga shtresa e të burgosurve politikë. Si e vlerësoni këtë?

    -Kjo ishte një kënaqësi për gjithë të burgosurit politikë, që kanë kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh. Dhe ai na përfaqëson me dinjitet dhe kjo është pritur mirë nga të burgosurit.