Simon Miraka: Afati për marrjen e këstit të dytë për trashëgimtarët

    98

    Flet kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, për afatet e kësteve

     Kësti i dytë për personat që janë gjallë është drejt përfundimit. Për të marrë pagesën për këtë kategori kanë ngelur vetëm personat që kanë pasur probleme me mungesën e dokumenteve  ose e thënë ndryshme kanë pasur probleme me dosjet. Një fakt të tillë e bën të ditur për “Telegraf”, Simon Miraka, kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë. “Kësti i dytë është drejt fundit për personat që janë gjallë. Pra po përmbyllet kësti i dytë për këtë kategori dhe kjo është një gjë e mirë. Pritet të përgatitet edhe një listë për këtë kategori”, shprehet zoti Miraka. Por sipas zotit Miraka edhe ai numër i pakët që ka ngelur pa u paguar, ka ardhur për shkak se nuk janë dërguar dokumentet e rregullta pranë zyrave përkatëse. “Ata persona që janë gjallë dhe nuk kanë marrë ende pagesën për këstin e dytë, nuk e kanë marrë për shkak se nuk kanë plotësuar dokumentacionin e duhur” shton zoti Miraka.

    Kësti i dytë për trashëgimtarët

    Pas përfundimit komplet të këstit të dytë për personat që janë gjallë pritet që të fillojë kësti i dytë për trashëgimtarët e personave që nuk jetojnë. Shpërndarja e këstit të dytë për këtë kategori pritet të fillojë shumë shpejt sipas kreut të Institutit të të Përndjekurve Politikë zotit Miraka. Nuk kemi një datë të saktë, por e di që në muajin shkurt do të fillojë shpërndarja për këtë kategori”, shprehet zoti Miraka për “Telegraf”. Por kësti i dytë edhe për trashëgimtarët do të vazhdojë që të paguhet sipas radhës kronologjike që është paguar edhe kësti i parë. E thënë më qartë kësti i parë ka filluar në mars të vitit 2009 dhe ka pasur një radhë kronologjikë që është ndjekur në pagesat që janë bërë. Po kështu do të bëhet edhe pagesa për këstin e dytë, sipas radhës së pagesës së këstit të parë. Pagimi po bëhet duke zbatuar nenin 7 dhe 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave me prioritetin që ai përcakton. Deri tani janë të paguar të gjithë ish të dënuarit që jetojnë dhe që kanë dorëzuar tërë dokumentacionin sipas udhëzimit të Këshillit të Ministrave.

    Trajtimi me përparësi i të sëmurëve

    Tashmë të gjithë ata ish-të përndjekur që vuajnë nga të ashtuquajturat “sëmundje të rënda”, do të trajtohen me përparësi për pajisjen me dëmshpërblim, për vitet e burgut që kanë bërë gjatë regjimit komunist. Kështu, me anë të një udhëzimi të posaçëm të krijuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave, “Për dokumentacionin dhe procedurat e dhënies me përparësi të pagesës së dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë dhe familjarët e tyre, që vuajnë nga sëmundjet e rënda”, përcaktohen qartë të gjitha hapat që duhet të ndjekin përfituesit në këtë rast.

    Dokumentacioni i nevojshëm që duhet të plotësojnë të interesuarit

    Dokumentacioni dhe procedurat që nevojiten për dhënien me përparësi të pagesës së dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë nga regjimi komunist ose e familjarëve të tyre, të cilët vuajnë nga sëmundjet e rënda, do të jetë për kategoritë e mëposhtme;

    a- Të dënuarit politikë ose familjarët e tyre, të cilët nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) janë vlerësuar me humbje të plotë të aftësisë për punë.

    Për të përfituar përparësi në dhënien e pagesës duhet të paraqitet pranë Sektorit të Pagesave për ish të Përndjekurit Politik këto dokumento;

    -Vendimin e KMCAP, i cili vërteton humbjen e plotë të aftësisë në punë.

    -Ky është dokumenti bazë juridiko-mjekësor-administrativ që njeh të drejtën për përfitime sipas shkallës së humbjes së aftësisë në punë.

    -Dokumenti duhet të jetë i plotësuar saktë sipas kërkesave të formatit, me shkrim të lexueshëm, pa korrigjime.