Sigurinë e barnave e garanton shteti dhe jo fletërrufetë e tenderxhinjve

    391
    Sigal

    “Zëdhënësit” (kompani farmaceutike) e ministrit Beqja në mbrojtje të interesave të tyre ekonomike dhe jo të sigurisë së barnave

    Jo më shumë se 3 ditë më parë një përfaqësi e kompanive farmaceutike, që operojnë në tregun tonë, kanë ndjerë si “detyrim” të informojnë publikun mbi cilësinë e barnave dhe efikasitetin e tyre me anë të një deklarate për shtyp. Është e drejtë që këto kompani të mbrojnë interesin e tyre ekonomik duke shpërndarë deklarata të tilla në mbrojtje të biznesit të tyre, por dhe të ministrit të shëndetësisë Ilir Beqja. Gazeta “Telegraf” ka qenë ndër të parat media, e cila ka denoncuar rrezikun që mund të vijë nga heqja e autorizimit të prodhuesit dhe e vërtetimit të regjistrimit të barnave. Sipas përfaqësuesve të kompanive farmaceutike, të cilët u mblodhën në një tavolinë dhe e bënë publik këtë problem në 16 prill, këto ndryshime të bëra në dokumentet e tenderit nga ministri Beqaj, rrisin mundësinë që biznese të ndryshme të sjellin barna të pakontrolluara (falsifikuara), që mund të jenë të pasigurta dhe mund t’i sjellë kushdo. Mesa duket kemi një konflikt mendimesh, përsa i përket kompanive farmaceutike, që nga burime të sigurta na bëjnë të ditur se një pjesë e këtyre, që mbrojnë ministrin Beqja sot, kanë qenë të ulur në atë tavolinë duke e denoncuar atë në 16 prill. Këtu kemi të bëjmë me inkoherencë nga ana e tyre dhe nuk dihet se pse ky ndryshim i tyre pa kaluar ende muaji. “Mbrojtësit” e Beqjas dëshirojnë të tërheqin vëmendjen për disa deklarata dashakeqe e panikndjellëse të ndonjë përfaqësuesi “të paautorizuar”, por mesa është bërë e ditur nga kompanitë farmaceutike, ato pikërisht heqjen e autorizimit kanë denoncuar, sepse nëse mungon autorizimi i tregtimit nga kompanitë prodhuese “barnat që futen në Shqipëri nuk mund të jenë të kontrolluara dhe kompanitë që i prodhojnë ato nuk mbajnë dot përgjegjësi për cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin pa kontrolluar origjinën e tyre”. Ndërsa, po sipas specialistëve, mbajtësi i autorizimit të prodhimit mban përgjegjësi për këtë bar të regjistruar, kur e kontrollon importin nëpërmjet zinxhirit të tij dhe jo për importe paralele për shkak të pasigurisë në zinxhirin e farmakovigjilenës për arsye të falsifikimit të mundshëm të tij. Mbështetësit e ministrit Beqja ndihen “të fyer” dhe “të nëpërkëmbur” dhe dëshirojnë të sigurojnë qytetarët shqiptarë se operatorët e tregut farmaceutik të përfaqësuar në grupimin e tyre zotërojnë “kapacitetet e plota operative dhe ekspertizën e nevojshme administrative e profesionale, që garantojnë plotësisht cilësinë edhe efektshmërinë e barnave për furnizimin e spitaleve dhe për listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2014 e në vijim”. Ju zotërinj, mbrojtësit e ministrit Beqja, nuk mund të garantoni asgjë, dhe jo më sigurinë e barnave. Sigurinë e barnave dhe të çdo produkti të konsumueshëm për qytetarin e garanton vetëm ligji dhe shteti në mbështetje të ligjit, jo individi. Në momentin që ndërhyhet në ligj dhe shkelet ai, atëherë nuk ka siguri për askënd. Interesat e juaja sigurisht, që janë vetëm ekonomike, por nuk duhet të harroni se këto fitime i merrni pikërisht nga taksapaguesit shqiptarë dhe nëse lulëzon biznesi juaj është pikërisht se ekziston taksapaguesi shqiptar, i cili nëpërmjet sigurimeve shëndetësore paguan vetë për barnat që vetë konsumon dhe që ju zotërinj kërkoni t’i fusni në tregun tonë farmaceutik duke anashkaluar ligjin me ndihmën e ministrit Beqja. Që siç e thamë më sipër, është ligji dhe vetëm zbatimi i tij në mënyrë rigoroze sjell sigurinë te qytetarët shqiptarë. “Ndërsa shkelja e ligjit- siç e parashtruan specialistët në 16 prill- do të sjellë shkatërrimin e shërbimit farmaceutik shqiptar, favorizimin e klientëve personalë, ligjërisht distancimin e kompanive farmaceutike nga përgjegjësia për këto barna dhe më e rëndësishmja mundësia e dëmtimit të pacientit shqiptar. Farmacia është kuzhina e mjekësisë dhe shkatërrimi i saj sjell shkatërrimin e mjekësisë. Me gjithë seriozitetin, devotshmërinë dhe profesionalizmin e punës së mjekut për diagnostikimin e saktë të sëmundjes së pacientit, nëse barnat për kurimin e saj nuk janë efektive, përkeqësojnë jetën e të sëmurëve duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre”.

    Përsa më sipër, duhet theksuar se disa nga përfaqësuesit e këtyre, të ashtuquajtur përfaqësues të kompanive xhenerike, (mbrojtësit e Beqjes) kanë firmosur deklaratën bashkë me aktorët e tjerë të sistemit, kur paralajmëruan rrezikun që po i kanosej sistemit farmaceutik dhe pacientit, pra kundër shkeljeve ligjore të ministrit. Pse kanë pësuar këtë metamorfozë të çuditshme? Mos vallë kjo deklaratë është gatuar ne zyrat e ministrit Beqja dhe ka kaluar për firmë në dorë të këtyre fatkeqëve nga i njëjti furnizues, tashmë i preferuari i Ministrit Beqja, “Delta-Farma”?