Sigurimet Shoqërore sorollatin pensionistët e sëmurë për një vërtetim

    671
    Sigal

    DRSSH Korçë nuk i lëshon qytetarëve vërtetime për masën dhe datën e daljes në pension

    40 ditë dhe 75 % të masës së pensionit të babait ka harxhuar deri më tani një qytetar i Devollit për një vërtetim për masën dhe datën e daljes në pension dhe ende asgjë. Zakonisht, qytetarët shqiptarë shohin me shqetësim paratë e harxhuara për një shërbim të munguar nga institucionet shtetërore, por për këtë qytetar nga Devolli, koha është shumë e rëndësishme, pasi jeta e babait të tij është në rrezik (sepse vuan nga një sëmundje e rëndë) dhe ka nevojë urgjente për mjekim të specializuar në një nga spitalet e Greqisë. Që spitali i Greqisë të shtrojë z. H.Mancka (babain e letërshkruesit), ka kërkuar një vërtetim për masën dhe datën e daljes në pension (meqë është pensionist). Por, djali i z. Mancka nuk ka mundur ta marrë atë vërtetim, me gjithë ecejaket dhe kërkesat e vazhdueshme në DRSSH-në Korçë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për një takim me drejtoren znj. Ana Verushi. Për t’u njohur më nga afër me këtë histori të dhimbshme, po zbardhim të plotë letrën e qytetarit nga Devolli, ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”.

     Një histori për një vërtetim… Kjo histori mos i ndodhtë askujt!

    (Përshtypje për Ana Verushin, drejtore e DRSSH-së Korçë dhe Fatos Zhurka)

    Pa dashur t’ju mërzis, pa dashur të më keqkuptoni, kjo që po shkruaj shumë gjatë është një e vërtetë. Jam banues në Devoll dhe prej vitesh emigrant në Pire (Greqi). Babai im H.Mancka, fatkeqësisht vuan nga një sëmundje e rëndë që në Shqipëri nuk mund të mjekohet. Vendosëm familjarisht që me shpenzimet tona të vazhdojmë mjekimet në një spital në Greqi. Gjetëm mirëkuptim dhe nga spitali në Greqi na u kërkua plotësimi i disa dokumenteve. Pikërisht këtu fillon çudia!

    Autoritetet spitalore në Greqi kërkuan vërtetim për masën dhe datën e daljes në pension. Po, çfarë ka ndodhur? Më poshtë po ju tregoj se sa herë kam shkuar në zyra të ndryshme, sa lekë kam paguar (Jo ryshfet) thjesht kosto për transport, pulla dhe një vërtetim, ku të jetë shënuar edhe data e daljes në pension e babait, nuk e mora.

    Pa ditur kujt t’i drejtohem përsëri detyrohem të kërkoj ndihmë nga dikush, qoftë dhe mediat, pasi sëmundja po avancon dhe babai çdo ditë përkeqësohet.

    Po rendit përpjekjet e mia të deritanishme:

    • Interesohemi pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në Devoll. Marr përgjigje se ky lloj vërtetimi merret në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë (paguaj për transport 300 lekë të reja).
    • Shkoj në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë, më drejtojnë në sportelet e Postës Shqiptare (këtë procedurë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Devoll nuk e njihnin fare). Paguaj 400 lekë te reja.
    • Bëj aplikimin në Postë për një vërtetim në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe paguaj 400 lekë të reja.
    • Pas 7 ditësh marr përgjigje. E përkthej këtë lloj vërtetimi (ka zhgarravina dhe korrigjime), e noterizoj, e legalizoj në Ministri dhe Konsullate. Paguaj gjithsej 2100 lekë dhe 30 Euro.
    •  E dërgoj në Greqi. Të gjitha në rregull, por në dokument nuk shënohet data e daljes në pension.
    • Duke e menduar një lapsus, interesohem dhe kërkoj përsëri një dokument, ku të shënohet data e daljes në pension. Fillimisht në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Devoll. Përgjegjësja e Agjencisë znj. Pavliqoti më dërgon në Drejtorinë Rajonale Korçë. Paguaj 300 lekë.
    • Në këtë Drejtori, z. Fatos Zhurka (një person që gjoja u interesua për të kryer shërbim) më drejton përsëri në Postë (paguaj 400 lekë taksi).
    • Bëj kërkesë në Postë dhe pas një jave marr të njëjtën përgjigje, por me një shënim. Këtë lloj vërtetimi mund ta siguroni pranë Drejtorisë Rajonale Korçë. I kërkoj takim drejtores Ana. Nuk pranoi as të dëgjonte. Për këtë kam dokumente, por ka edhe filmime nga kamerat e Drejtorisë Rajonale Korçë ( Paguaj 400 lekë).
    • Shkoj në Drejtorinë Rajonale dhe Fatosi më shpjegon se po lodhesha kot. Këtë vërtetim, më tha, s’ ke për ta marrë kurrë.

    Shëndeti i babait nuk premton shumë historira. Deri tani kam harxhuar, pa patur një dokument, ku të shënohet data e daljes në pension e babait tim, 25 ditë, 4900 lekë dhe 30 Euro.

    I pamësuar me zyra dhe vërtetime, pasi jam larguar nga Shqipëria në moshën 12 vjeç, kërkoj ndihmë nga miqtë. Nuk do shkruaj emra, por kushdo që dëgjonte këtë histori, nuk më besonte. Si është e mundur, më thonë, që Sigurimet Shoqërore nuk lëshojnë vërtetim për datën e daljes në pension?!

    Konsultohem me ish punonjës të sigurimeve shoqërore dhe më sugjerojnë të tërheq një librezë pensioni.

    • Paraqitem në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Devoll për të marrë një librezë pensioni. Nuk kishte dhe më drejtojnë në Drejtorinë Rajonale Korçë ( Paguaj 300 lekë).
    • Shkoj në Drejtorinë Rajonale Korçë. Libreza nuk kishte. Përsëri Fatosi luan me hallin tim (paguaj 300 lekë).
    • Kërkoj fletë të llogaritjes së pensionit, por drejtore Ana, as na priti në zyrë, por as na sqaroi dhe në telefon.
    • Bëj një kërkesë për fletë-llogaritje të pensionit, më japin ditën tjetër një Vendim të Caktimit të Pensionit (i disponoj dhe i ka firmosur Fatos Zhurka). Paguaj 600 lekë.
    • I përkthej, noterizoj. Paguaj 2000 lekë. I dërgoj në Greqi me faks dhe më thonë se janë të pavlefshme për faktin se nga autoritetet zyrtare në Shqipëri duhet një vërtetim i printuar, ku të shënohet data e daljes në pension, shuma e pensionit, (jo me shkrim dore) i vulosur, i legalizuar në Ministrinë e Jashtme, i përkthyer dhe legalizuar në Konsullatën Greke.

    Në total, fazën e dytë harxhoj 15 ditë dhe 1200 lekë. Si përfundim, ky vërtetim të cilin akoma nuk e kam, më ka kushtuar 40 ditë, 6100 lekë dhe 30 Euro. Po të llogaritim që pensioni i babait është 13 000 lekë, do të thotë 75 % e shumës së pensionit.

    I shqetësuar dhe meqenëse kam jetuar shumë vite në Greqi, hap Fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe lexoj në faqen 1342, në lidhje me kuptimin shqip të fjalës “vërtetim”. Aty shkruhet “ Pohoj se diçka është e vërtetë, pasi e kam shqyrtuar ose e kam kontrolluar, provoj me fakte, me dëshmi a me prova vërtetësinë e diçkaje, tregoj se një dokument është i saktë dhe ka vlerë të plotë, duke u nënshkruar”.

    Mund të më thoni, të nderuar miq, çfarë jo të vërtete kam kërkuar që Drejtore Ana Verushi dhe z, Fatos Zhurka vazhdojnë të këmbëngulin se nuk e marr dot?

    E nderuar drejtore, sëmundja e babait po bën të vetën. Zoti le të bëjë mrekulli dhe pastaj ky vërtetimi yt dhe i Fatosit nuk do më duhej kurrë drejtore. Mbaje ta kesh! Zoti ju ndihmoftë edhe juve!

    som

    Si përfundim, ky vërtetim të cilin akoma nuk e kam, më ka kushtuar 40 ditë, 6100 lekë dhe 30 Euro. Po të llogaritim që pensioni i babait është 13 000 lekë, do të thotë 75 % e shumës së pensionit