SI U RRËZUA MONUMENTI ME 8 TON BRONZ SPECIAL

116

Enveri, si u rrëzua monumenti me 8 ton bronx

DOSSIER/ 20 shkurt 1991. Si u rrëzua monumenti i udhëheqësit komunist, i ngritur në mes të kryeqytetit. Çfarë thonë pas 18 vitesh Meksi, Demeti, Doda dhe Stringa

Ai qëndronte atje dhe qenia e tij e murosur në një bronx të verdhë vazhdonte të ishte po aq dominuese. Një kalorës mesjetar në të djathtë ishte krejt në miniaturë, ndërsa dukej sikur aksi kryesor i qytetit vazhdonte të kontrollohej nga po ai. Diku më poshtë turma agresive tentonte t’i afrohej me një mundim të sforcuar. Përballë dy ekstremeve, kufiri që i ndante nuk kishte të bënte me asnjërën palë, as me kundërshtarët dhe as me atë vetë. Ky “kufi” edhe pse në mendjet e gjithsecilit ravijësohej si të ishte një vijë milimetrike dhe jo fort e rëndësishme për nga këndvështrimi fizik, ishte tepër i largët, absurd dhe krejt i paimagjinueshëm. E megjithatë ata vendosën ta preknin “kufirin” edhe pse shumica absolute e tyre kishin rendur nga periferia për të qenë pjesë e spektaklit në qendër të qytetit.

Krejt e pabesueshme, por ai u lëkund. Turma e irrituar nuk po u besonte syve, ndërsa dhjetëra “qen kufiri” dhe zjarrfikësja e blinduar mundoheshin të çanin radhët për t’i bërë njerëzit të tërhiqeshin. Megjithatë askush nuk u tërhoq. Sapo mblodhën veten nga paniku, të paktën 100 mijë njerëzit që ndodheshin në sheshin “Skënderbej” tentuan sërish drejt shkallëve të mermerta. Ishte çasti ku thirrjet frenetike u solidarizuan dhe po aq solidar ishin trupat e Ndërhyrjes së Shpejtë me uniforma laramane e skafandra në kokë që mbuloheshin me mburoja plastike. Trysnia që krijonte turma 100 mijë vetësh kishte arritur kulmin. Monumenti gjigand që kishte zënë pamjen kryesore të sheshit u anua në të majtë të tij dhe që nga ai çast askush s’kishte fuqi të përmbante dufin e turmës që u çlirua me një britmë therëse gëzimi kur të tetë tonët e bronxit që himnizonin udhëheqësin komunist u përplas me një zhurmë shurdhuese në syprinën dhe shkallët prej mermeri që rrethonin përmendoren. Përplasja ishte fatale. Krejt papritur vepra solide u nda në dy pjesë, trupi në njërën atë dhe koka që u rrokullis më poshtë, çuditërish pa shkaktuar asnjë viktimë këtë herë. Miti kishte rënë përfundimisht… Ose vetëm kështu ishte besuar…

Ngjarja

20 shkurti i vitit 1991 ka hyrë në kujtesë si dita kur u rrëzua monumenti i diktatorit në qendër të kryeqytetit. Ndërsa në dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri u lejua pluralizmi politik, në qendër të kryeqytetit, me një lartësi prej 7 metrash, e derdhur ne bronz, shtatorja e Enver Hoxhës ishte ende në këmbë. Byroja Politike kishte nxjerre një urdhër për të mbrojtur me çdo kusht monumentet. Dekreti numër 7459 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve” u firmos me 22 janar te vitit 1991 nga Ramiz Alia. Lëvizja antikomuniste e dhjetorit te vitit 1990 dukej sikur i përgjumur disi, derisa një iniciativë e studenteve të Universitetit të Tiranës rindezi atmosferën. Me 18 shkurt ’91-shit, 723 studentë e pedagogë hynë në grevën e urisë, duke kërkuar, në kuadër të depolitizimit, heqjen e emrit të Enver Hoxhës universitetit. Komisioni i grevës, i përbërë nga Arben Lika, Arian Manahasa,  Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, kërkoi veç të tjerave anulimin e dekretit që mbronte monumentet e diktatorit dhe lirimin e të burgosurve të fundit të ndërgjegjes që mbaheshin ende ne qelitë e Spaçit e Burrelit. Ndërkaq drejtuesit e opozitës kishin firmosur me Ramiz Alinë paktin e stabilitetit për shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri ne zgjedhjet e ardhshme.

Përshkallëzimi

Shqipëria rrezikohej nga një luftë civile. Shoqata me emrin “Vullnetarët e Enverit” kishte filluar të vringëllonte armët, duke deklaruar se “Enveri duhej mbrojtur, qoftë edhe me gjak”. Njerëz të armatosur të ekstremit të majtë e të djathtë shiheshin përditë në rrugët e qyteteve shqiptare. Më 20 shkurt, përpjekjet e pushtetit për të thyer rezistencën e studentëve kishin dështuar. Me gjithë problemet shëndetësore që u shfaqën, grevistët ishin të vendosur të mos tërhiqeshin. Jo vetëm kaq. Sindikata e Pavarur e Shqipërisë kishte kërcënuar me një grevë të përgjithshme, e cila mund të paralizonte gjithë vendin. Mijëra qytetarë të Tiranës dhe të rretheve të afërta mbërrinin çdo ditë në Qytetin Studenti, duke inkurajuar grevistët dhe duke organizuar demonstrata me pjesëmarrje gjithnjë e më masive. Në këto kushte, pakti i stabilitetit mes qeverisë dhe opozitës dukej tepër i brishtë për të përballuar një lëvizje të tillë popullore dhe shumë prej politikaneve të rinj filluan të bënin lëvizje individuale, duke u rreshtuar përkrah të ngujuarve. Turma fryhej çdo minute, derisa rreth mesditës filloi të drejtohej për në qendër të kryeqytetit. Turma theu barrikadat policore të vendosura në rrugën e Elbasanit dhe gjatë bulevardit kryesor, duke mbushur sheshin “Skënderbej”. Një numër i madh policësh ishin vënë në mbrojtje të statujës prej bronzi. Policia reagoi, duke bërë të tërhiqeshin demonstruesit e parë, por pas tyre turma rritej gjithnjë e më shumë. Për minuta të tëra turma u përpoq të rrezonte masivin e bronztë, derisa në ndihmë erdhi një kamion. Në kujtesën e shqiptareve do të mbeten çastet kur monumenti i Enver Hoxhës filloi të lëkundej, derisa ra. Demonstruesit i hodhën monumentit një kavo çeliku dhe e tërhoqën për ta çuar në “Qytetin Studenti”. Kështu ishte dhe fundi.

Po çfarë përfaqëson 20 shkurti? Ç’do të thotë rënia e një miti? Ja çfarë kanë rrëfyer në impresionet e tyre për gazetën  “Telegraf”, katër nga protagonistët e atyre ngjarjeve të ethshme të viteve 1990-1991.

Omer Stringa

I pyetur rreth kësaj dite të veçantë për shqiptarët, dekani i fakultetit ekonomik Omer Stringa thotë: “20 shkurti është jo vetëm dita e triumfit të demokracisë, por mbi të gjitha dita e rënies së idhujve. Ky është thelbi që në Shqipëri nuk ka idhuj dhe askush nuk mund të privatizojë demokracinë. Së dyti, padyshim është liria. 20 shkurti tregoi se ata u ndanë nga diktatura që i mbajti të ndrydhur për 50 vjet me radhë”

Mesila Doda

“Ne u bëmë pjesë e atyre që na ra rasti të ishim në atë periudhë, ku u bë edhe rrëzimi i monumentit të diktatorit Enver Hoxha. 20 shkurti për mua ishte dita e rrëzimit të komunizmit për të gjithë shqiptarët. Me këtë akt të gjithë mendonim që të shkëputeshim përgjithmonë nga komunizmi, por koha tregon se akoma nuk kemi arritur të shkëputemi plotësisht. Për shqiptarët ajo ishte një periudhë që nuk urojmë të kthehet më kurrë.

Arben Demeti

“20 shkurtin e shoh në dy etapa: Shqipëria me dhe pa Enverin. Ishte një periudhë që duhet të ndante shqiptarët nga miti i krijuar për shumë vite me radhë, pra populli duhej të ndahej një herë e mirë nga figura e një diktatori. Studentët të ndjekur nga qytetarët e Tiranës arritën që në mënyrë spontane të rrëzonin monumentin e Enverit duke përmbysur kështu me dhunë mitin e një diktatori. Në aspektin personal ka qenë dita më e lumtur po ashtu mendoj se e njëjta gjë vlen edhe për popullin shqiptar, ndaj dhe kam kërkuar që 20 shkurti të jetë festë kombëtare”.

 

Aleksandër Meksi

“20 shkurti është dita e shembjes së monumentit të diktatorit, sepse studentët duke u nisur nga konviktet e tyre dhe së bashku me popullin e Tiranës arritën ta rrëzonin atë. Nuk është dita e rrëzimit të komunizmit por është dita ku shqiptarët rrëzuan përmendoren për t’i thënë jo komunizmit. Ishte dhunimi dhe rrëzimi i një individi për të treguar se shqiptarët nuk e duan komunizmin dhe dhunën. Për mua personalisht figura e Enver Hoxhës nuk ishte një mit, por një personazh i urryer për popullin shqiptar. Por nuk duhet harruar se për një pjesë të shqiptarëve rrëzimi i monumentit të Enverit ishte perëndimi i një miti”.

Rrëfen Shaban Hadëri: Monumenti i Enver Hoxhës 8 ton bronx special

Për bustin e Enver Hoxhës që ishte vendosur në qendër të Tiranës, skulptori Hadëri mendohet kur e pyet. Ndjen dhimbje për veprën e tij, jo për figurën e Enver Hoxhës. E kujton shpesh atë moment të 20 shkurtit kur turmat e irrituara hoqën zvarrë trupin prej bronxi të diktatorit. Sipas tij ajo ka qenë një nga ditët më të vështira. Nuk kapërdihet lehtë kur një punë disavjeçare përfundon nëpër labirinthe rrugësh, apo kanale pa emër. Aq më tepër ku sipas tij, koka e bustit nuk dihet ku është. Atë ditë nuk doli nga shtëpia. Ishin ditë të vështira, ditë, të cilat njeriu nuk dinte ku të gjente vetveten. Ai bust i mori një pjesë të shëndetit. Ai bust e lodhi shumë dhe si përfundim, gjithë puna disavjeçare nuk e di se ku përfundoi. Vepra e artit, sipas tij, mbetet vepër arti. Ajo nuk duhet politizuar. Por si u vendos që skulptori i njohur të realizonte monumentin e Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit? Shaban Hadëri për “Telegraf” rrëfen: “U bë një konkurs kombëtar. Morën pjesë rreth 140 piktorë dhe skulptorë. Ishte një konkurs, ku çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Një konkurs që zgjati kohë. Ishte një impenjim i madh. Në fund fitova unë dhe piktori Vilson Kilica. Pra bashkuam idetë, mendimet. Ndërsa për punimet u bëmë një grup i tërë. Punë në grup. Të gjithë punonin me përkushtim. Nuk luhej dot në atë kohë me figurën e Enver Hoxhës. Pyesnim pafundësisht njeri tjetrin për çdo gjë të vogël. Derdhja bustit të Enver Hoxhës u bë në Tiranë, por bronxi u ble në Itali. Pra kanë qarkulluar shumë zëra se derdhja është bërë në Itali. Jo. Aspak. Unë shkova vetë posaçërisht në Itali për të blerë bronxin, pasi duhej i cilësisë më të mirë. Shkova në disa vende dhe së fundi blemë 8 ton bronx të cilësisë më të mirë. Pikërisht në Romë shkova në disa uzina prodhimi. Pastaj derdhjen e bëmë në Tiranë. Lartësia e bustit ishte parashikuar 7 metër. Ishte një punë kolosale. Pra lartësia pa bazamentin ishte 7 metër. Bazamenti ishte një tjetër punë e vështirë. Duhej përshtatur sipas idesë së portretit dhe vendit ku do të vendosej. Nuk numërohen skicë-idetë edhe për këtë rast”.

NEW  YORK  TIMES 21/ 02/ 1991

Ramiz Alia: “Do të “gatuaj” një qeveri tjetër”

Duke ju përgjigjur gjendjes së vështirë të krijuara në të gjitha qytet e vendit Presidenti i Shqipërisë ka theksuar sot se do të emëroj një tjetër qeveri. “Kam vendosur të marr në duart e mia frerët e qeverisë dhe të krijojë një qeveri tjetër” , ka deklaruar Presidenti Ramiz Alia në një deklaratë të bërë në televizion shtetëror shqiptarë. Ai ka deklaruar se “ndryshimi ishte i domosdoshëm për paqen dhe për demokracinë. Duke theksuar se vendi ishte në një “pikë shumë kritike” ai ka kërkuar më shumë qetësi dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe nga partitë e sapo legalizuara opozitare. Studentët, të cilët vazhdojnë të protestojnë kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Reiz Malile, të Ministrit të Drejtësisë Enver Halili dhe shumë të tjerëve. Zoti Alia nuk ka deklaruar se kush do të ishte pjesë e Këshillit të ri të Ministrave, por ka theksuar se ka pasur një takim me të gjithë krerët e partive: “Duhet të punojmë të gjithë së bashku që të dalim nga kjo situatë”, është shprehur ai. Protestat janë përkeqësuar duke thyer të gjitha statujat e Enver Hoxhës, themeluesit të  Partisë Komuniste. Punonjësit e policisë, disa të shoqëruar nga qenë kanë lëshuar breshëri armësh në ajër ndërkohë që mijëra qytetarë i drejtoheshin monumentit të Hoxhës, i cili dominonte sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. Sipas shfaqjeve vizive në televizionin shtetëror një pjesë e policisë më pas është bashkuar me turmën për rrëzimin e monumentit. Turmat i drejtonin qiellit gishtërinjtë në formën e “V” dhe ulërinin slogane të partisë opozitare. Monumenti i rrëzuar në Tiranë dhe në Durrës simbolizonte rënien e shtypjes represive të dekadave të komunizmit, për rreth 3.2 milionë banorë. Njerëz të kontaktuar në Tiranë, të cilët nuk donin të identifikoheshin janë shprehur se të njëjtin fat me monumentin në Tiranë ka pasur dhe ajo e Korçës. Zoti Hoxha ka vrarë të gjithë kundërshtarët politikë gjatë 41 viteve që ishte në krye të vendit. Udhëheqja e tij ka përfunduar në vitin 1985, që është viti në të cilin ka vdekur. Duke prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe me Kinën në vitin 1970, ai e udhëhoqi Shqipërinë drejtë një izolimi total ekonomik dhe social. Megjithatë Hoxha është i dashur prej një pjese të madhe të popullsisë. Ndërkohë që zoti Alia hodhi poshtë 46 vite komunizmi dhe rregulli totalitar pas katër ditësh protesta. Ndryshimet përfshinë dhe zgjedhje të lira në mars të këtij viti. Një tjetër protestë ka përfunduar pasi Kryeministri Adil Çarçani deklaroi se do të riemëronin Universitetin “Enver Hoxha” të Tiranës, kjo si rezultat i kërkesës së 700 studentëve.

                                                                    ( Përgatiti për Telegraf: Leonard VEIZI)