Si ta përmirësojmë dhe pasurojmë standardin e shqipes

    878
    Sigal

    Debati për gjuhën shqipe dhe standardin e saj, në 40-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, flet Prof. Dr. Remzi Përnaska

     

     Si është bërë e njohur nga gazetat, radiot dhe televizionet shqiptare, në datat 26-28 qershor të këtij viti u mbajt në Tiranë një takim i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës për drejtshkrimin e shqipes. Le të urojmë dhe le të shpresojmë se takime të tilla do të jenë më të shpeshta se deri më sot. Është e para herë që, në rrugë institucionale, diskutohet për probleme shkencore sistemit të atij që tani quhet standard, pas njëzet vjet diskutimesh shpesh të politizuara vetëm për një pjesë të historikut të përftimit të standardit duke krijuar përshtypjen se ky standard që kemi është krijuar në kohën e diktaturës. Në kohën e saj, vetëm sa u sanksionua Gjuha letrare shqipe.

    Diskutimet shkencore për përmirësimin e drejtshkrimit të shqipes kanë marrë karakter politik, si brenda diskutuesve, ashtu edhe nga mediat, ngaqë nisën njëzet vjet më parë me një pjesë të historisë së standardizimit të gjuhës sonë, u nisën nga ajo pjesë që edhe mund të priste. Mirë që u nis kësisoj ky diskutim, por ai vazhdoi për njëzet vjet, vazhdon edhe tani. Diskutimi duhej të ishte nisur ose njëherazi me pjesën historike, ose më parë me mbrojtjen e standardit nga ndikimet e huaja dhe pakujdesitë në vënien në punë të tij. Pra, përparësi duhej t’i ishte dhënë mbrojtjes dhe pasurimit të standardit, por kjo nuk u bë. Gjuhëtarë dhe jogjuhëtarë janë shprehur për këto probleme në shtypin e përditshëm dhe në radio-televizion. Acarimet kanë krijuar përshtypjen se ka «shumë zhurmë për asgjë», edhe më keq, se ato janë të kota.

    Jo, ato nuk janë të kota, në fund të fundit, janë në dobi të zgjidhjes së disa problemeve që ndeh përmirësimi i mëtejshëm i standardit, pra për njërin prej tipareve themelore të kombit shqiptar, ka karakter të theksuar mbarëkombëtar. Ato duhet të vazhdojnë, të jenë të rregullta, sepse, si thotë edhe Nënë Tereza, duhen ndjerë si nevojë e parë për komunikim, sepse duhet t’i mbahemi parimit që e vërteta nuk është pronë as e imja, as e jotja, se ajo është në mes të debatit, si shprehej Volteri.

    Qysh në fillim, dua të theksoj se jam për mbajtjen, mbrojtjen dhe pasurimin e standardit që kemi.

    Të jesh për standardin, nuk do të thotë ta shohësh atë si Bibël ose Kuran. Është e vërtetë se si kod, si tërësi rregullash, ai nuk mund të jetë totalitar. Totalitarizmat duhen kërkuar gjetiu. Në këtë shkrim nuk po merrem me to, një herë tjetër po.

    Standardi, si pjellë e shoqërisë shqiptare, i kodifikuar në kohën e diktaturës, jeton, rritet, zhvillohet, sepse gjithë duke qenë sistem, mbetet sistem i hapur, ndaj duhet rivështruar hera-herës deri në ndryshime përmirësuese të vetë kodit, pra me limë në dorë dhe jo me sëpatën e dardharit. Nevoja për rivështrime është në natyrën vetë të standardit, ndaj edhe Kongresi i Drejtshkrimit e la rrugën të hapur për këto ndryshime përmirësuese.

    Standardi po merr dhe do të marrë edhe në të ardhmen nga gjuhët e huaja, pse të mos marrë edhe nga dialektet, sidomos nga gegërishtja? Standardi mund të gegëzohet në tiparet e përbashkëta, e theksoj në tiparet e përbashkëta, që ka me të, kurrsesi në tiparet ndarëse. Ky është gegëzim i natyrshëm, jo i stisur. Gegëzim të stisur nuk mund dhe nuk duhet të ketë. Kjo është njëra prej rrugëve të përmirësimit dhe të pasurimit të standardit, por jo e vetmja.

    Po ka ndryshime e ndryshime. Nga gjuhët e huaja duhet të marrim vetëm ato gjëra për të cilat standardi ka nevojë dhe jo gjithçka dhe pa doganë. Prurjet e nevojshme nga gjuhët e huaja e pasurojnë standardin, kurse ato të panevojshmet e zvetënojnë atë. Ne po huazojmë jo vetëm fjalë që nuk i kemi (kështu veprojnë edhe gjuhët “e mëdha”), por edhe fjalë e shprehje të panevojshme, që ua zënë vendin fjalëve dhe shprehjeve që tashmë shqipja i ka, si ndodh, p.sh., me fjalët ambient, aplikoj, draft, event, komportim, memorie, menaxhoj, prezencë, sfilatë, suportoj, surprizoj, etj., etj. mënjanuan bashkëpalësit shqiptarë mjedis, kërkoj (bëj kërkesë), projekt, ngjarje, sjellje, kujtesë, administroj, prani, parakalim, duroj, befasoj, etj., etj.

    Nën ndikimin e gjuhëve të huaja, habitorja dhe dëshirorja, që mungojnë në gjuhët nga huazojmë, po përdoren gjithnjë e më rrallë, si p.sh. shihemi për mirupafshim; fat të mbarë për paç fat. Gjithashtu, nën ndikimin e gjuhëve të huaja, folja u lind po përdoret gabimisht në diatezën vetvetore në vend të lindi, si moskalimtare, duke e motivuar me përdorimin në gjuhë romane, sllave, etj. Pra, Ky gjeni u lind në vitin… në vend të : Ky gjeni lindi në vitin … Po, por te këto gjuhë edhe folja vdiq përdoret vetëm në diatezën vetvetore, kurse në shqip kjo nuk është e mundur *Ky gjeni u vdiq fare i ri.

    Po kështu, nën ndikimin e gjuhës së folur të Shqipërisë së mesme, po përdoret folja deiktike iki për shkoj : Po iki në stadium për Po shkoj në stadium.

    Fjalët, sidomos emrat e përveçëm të huaj, po përdoren në shtyp e gjetiu si fjalë të pandryshueshme, pa “veshjen kombëtare shqiptare”, pa mbaresa. Në televizion, në tituj e nëntituj po përdoren shpërfytyrime të sistemit trajtëndryshues të shqipes, sidomos të lakimit të emrave të përveçëm sa për shembull  arrestimi i Mlladiç në vend të arrestimi i Mlladiçit; Çfarë i ka ndodhur Kevin!? në vend të Çfarë i ka ndodhur Kevinit!?; …që nga koha e Big Bang për  që nga koha e Big Bang-ut. Këta përbindësha gjuhësorë që i gjen sa të hapësh televizorin, me fare pak kujdes mund të mënjanohen prej secilit titullshkrues.

    Puna po shkon aq larg sa edhe pasthirrmave shqipe, këto klithma të vetvetishme të shpirtit, siç i quan edhe Faik Konica, ua kanë zënë vendin pasthirrma gjegjëse të huaja, sidomos në ligjërimin e vajzave si uau! për uaaaa!; ups! për ah!, oh!, uh!

    Së fundi, po futen frazeologji të panevojshme, sepse kemi bashkëpalësit e tyre si : shkopi dhe karota në vend të me kulaç e me kërbaç, rrota e pestë e karrocës në vend të vrima e fundit e kavallit, etj. etj., sidomos në përkthime e veçanërisht në ato të filmave.

    Ndryshe qëndron puna me prurjet nga dialektet. Pranohet përgjithësisht se rruga është e hapur për leksikun. Në këtë pikë standardi ka marrë, por duhet të marrë edhe në të ardhmen fjalë jo vetëm dialektore, por edhe krahinore nga mbarë shqipja. Është mbarësi që botohen fjalorë, sidomos dialektorë dhe krahinorë për treva të shqipes.

    Por standardi duhet të marrë nga gegërishtja dhe toskërishtja edhe nga fusha të tjera, nga morfologjia dhe sintaksa.

    Ndryshime përmirësuese që nuk i bien ndesh sistemit të standardit janë edhe ato që vijnë nga dialektet, në rastin tonë, kryesisht nga gegërishtja në tiparet bashkuese me toskërishten që është vënë në bazë të standardit. Kështu, p.sh., standardi mund të marrë nga toskërishtja një ndërtim të tipit i për t’u provuari me vlerën që mbetet për t’u provuar, ndërtim që aq bukur e përdor një gegë si Selman Riza qysh para Luftës së Dytë Botërore. Standardi vetë është i prirë të marrë nga gegërishtja edhe kategori të tjera. Po ndalemi te fare pak syresh. Duhet parë, p.sh., mundësia e rigjallërimit të asnjanësit të tipit të menduarit aq i gjallë në gegërisht dhe që për të ka kaq shumë nevojë regjistri abstrakt, logjika dhe filozofia, si edhe fusha të tjera të ligjërimit; duhet studiuar mundësia e futjes së disa trajtave mbiemërore gege, të tipit i hapët që semantikisht nuk është i njëjtë me i hapur, pra që sjell vlerë të re : Ania doli në det të hapët; jeshile e çelët, etj. Gjithashtu, mund të shihet mundësia e përdorimit më të shpeshtë të formave të mbipërbëra të kohëve të foljes  (kam pas punuar, kisha pas punuar, pata pas punuar), aq të gjalla në ligjërimin popullor dhe artistik të gegërishtes, forma që edhe vetë ata gjuhëtarë që i kanë anashkaluar në gramatikat e veta, i përdorin në shkrimet e tyre, sepse sjellin saktësime, pra vlera gramatikore. Për të mos e zgjatur, po themi se ka edhe kategori të tjera të gjalla në gegërisht që mund t’i marrë me dobi standardi.

    Nuk besoj, nga ana tjetër, se ndryshime përmirësuese janë edhe ato që vijnë nga tipare dalluese të gegërishtes nga toskërishtja. Kështu, mendimi se paskajorja e tipit me punue mund të futet në standard nuk më duket i pranueshëm, sepse, meqë ka të bëjë me tipare dalluese midis dy dialekteve tona, nuk e pranon vetë sistemi i standardit. Si dihet, standardi në vend të paskajores gege të tipit me punue përdor lidhoren që i ka të gjitha vlerat e paskajores dhe lidhores gege, pra, futja e paskajores gege në standard nuk sjell vlera të reja. I vetmi motivim për futjen e saj do të ishte vlera simbolike si formë përfaqësuese e foljes nëpër fjalorë, gramatika dhe përqasje me gjuhë të huaja që kanë paskajore. Standardi si formë paraqitëse të foljes ka trajtën e vetës së parë të numrit njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore.

    Por futja e paskajores si tipar dallues dialektor sjell detyrueshëm edhe futjen e  tipareve të tjera dalluese në fonetikë e sidomos në fonologji, rrafsh ky i dorës së parë për dallimin e dialekteve dhe të standardit me gegërishten, dhe, në radhë të parë, të togzanores -ue- që ndërton pjesoren, trajtat e formave të pashtjelluara të foljes dhe mbiemrat prejpjesorë e ndajfolje të gegërishtes.

    Dihet se standardet ngrihen dhe pasurohen mbi tipare bashkuese dhe jo dalluese. Tiparet dalluese janë në bazë të krijimit të standardeve, pra futja e paskajores do të thotë më së forti krijim i një standardi të ri me bazë gegërishten, çka, për rastin konkret të shqipes, do t’i krijonte një vëlla standardit gjallues, që në fund të fundit do t’ia rriste koston në kohë, se standardet nuk krijohen në kabinete, megjithëse kabineti, institucioni, autoriteti janë të nevojshëm dhe elitarë.

    Standardi gjallues na ka renditur te kombet e qytetëruara, do të duhej kohë që një standard i dytë ta bënte të njëjtën gjë. Ja edhe një herë arsyeja që miratoj çdo hap të kujtdo për të mbajtur standardin.

    Një rrugë e dytë është homogjenizimi i vetë kodit, i vetë rregullave të standardit, thjeshtimi sa të jetë e mundur edhe më i madh i tyre. Kështu, në sitemin grafik, del e nevojshme të shenjohen me një mjet grafik takimet e rastësishme sidomos të bashkëtingëlloreve s, z me bashkëtingëlloren h dhe të bashkëtingëlloreve g dhe n me j : mes’hollë ose mes-hollë; brez’humbur ose brez-humbur; lag’ja (si emër dhe si folje në të pakryerën); dardan’ja (ne jemi për të parat dhe jo si drejtshkrimi meshollë; brezhumbur; lagia; dardania). Gjithashtu, në sistemin grafik duhet shënuar theksi aty kemi dallim semantik : dorëzáne : dorëzan’ja dhe dorëzaní : dorëzanía (dorëzán,-i : dorëzaní,-a), e jo dorëzani për të dyja kuptimet.

    Në këtë hulli, mund të shihet shkrimi simbolik i shkronjës së madhe në emrat e përveçëm, të shprehur me një togfjalësh, si në emërtimet e institucioneve, emrave gjeografikë, etj. Por këtu një gjë duhet mbajtur parasysh mirë : në gjuhën shqipe, togfjalëshi që shpreh një emër të përveçëm, në ndyshim nga gjuhët e huaja, është i hapur : Republika e ShqipërisëRepublika jonë e Shqipërisë. Krahaso me : Notre République d’Albanie, dhe kurrësesi *République notre d’Albanie, etj. Pra, shkronja e madhe në këto raste, përveç vlerës simbolike, ka edhe vlerë kufivënëse, është njëfarë albanizmi, çka nuk mund të thuhet për shumë gjuhë të tjera që merren për gjedhe.

    Nevojë rishikimi ka edhe shkrimi ose jo i zanores së patheksuar ë që është diskutuar kaq shumë e që po diskutohet shpesh joshkencërisht edhe sot. Duhet treguar kujdes i veçantë, sepse kemi të bëjmë me tipar dallues midis toskërishtes dhe gegërishtes nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, midis standardit dhe gegërishtes. Rishikim brendasistemor, po jo me sëpatën e dardharit. Zbatimi i dy parimeve për të, fonetik dhe morfematik, sjell vërtet pështjellime. Duhet zbatuar vetëm njëri. Ne do të ishim për parimin morfematik gjithandej, jo vetëm te ë-ja e patheksuar, parim që, në fund të fundit, është më i kthjellëti, më i tejdukshmi, më transparenti, më ekonomiku, po kjo le të diskutohet prej specialistëve. Po shtojmë kalimthi se parimi fonetik në vetvete lejon që të kërkohet përputhje e plotë midis drejtshqiptimit dhe  drejtshkrimit, kurse morfematiku nuk e parakupton domosdoshmërisht një gjë të tillë, lejon largime midis drejtshqiptimit dhe drejtshkrimit, ndaj edhe është vënë në bazë të  shumë gjuhëve të Europës. Këtu duhen kërkuar edhe disa nga arsyet e diskutimeve të ë-së së patheksuar në gjuhën tonë.

    Në morfologji, mbetet detyrë e mprehtë njëjtësimi (homogjenizimi) edhe më i madh i shumësit të emrit, që është aq i përthyer në shqip, gjetja e rregullave më përgjithësuese dhe më të lehta. Po kështu, duhet parë se ç’mund të kodifikohet te dysorët, sidomos te mënyra habitore. Po kështu, për foljet e tipit përgatis që në të kryerën e thjeshtë (përgatita), në pjesore (përgatitur), te mbiemrat prejpjesorë (i, e përgatitur) dhe te emri prejfoljor (përgatitje) dalin më -t-, mund të zbatohet parimi morfematik dhe të shkruhen me -t në vetën e parë të kohës së tashme të mënyrës dëftore.

    Norma sintaksore është më e hapur, së paku për dy arsye kryesore : së pari, sepse nuk është hetuar sa dhe si të tjerët dhe, së dyti, sepse është rrafshi më i lartë, më i përgjithshmi dhe i përbashkëti se të tjerët, pra mbetet i hapur thuajse si edhe leksiku. Në këtë rrafsh, standardi mund të toskëzohet dhe gegëzohet, kuptohet me mëshim mbi të dytin. Nga gegërishtja janë marrë dhe mund të merren me dobi shumë e shumë ndërtime, si, p.sh., rrjedhoret pa parafjalë me funksion përcaktues ose rrethanor i dalë mendsh; bir nëne, etj.; ndërtime me parafjalën prej para emrash frymorësh dhe përemrash : prej mësuesit, prej meje, disa prej të cilëve, etj. dhe parafjalën nga ta përdorim me emra jofrymorësh : nga malet, nga sëmundjet, etj. Ka edhe shumë e shumë ndërtime të bukura sintaksore thjesht shqiptare që mund të merren edhe nga gegërishtja, edhe nga toskërishtja.

    Nëse rruga është e çelur për gegëzim të ndërtimit sintaksor të standardit, kjo nuk duhet të jetë edhe për prurjet sintaksore nga gjuhët e huaja. Këtu duhet kujdes i veçantë, se janë më të vështira për t’u kapur prej masës së përdoruesve të standardit dhe të dialekteve. Ndikimet e huaja në fushën e sintaksës shfaqen gjithandej, por janë më të shpeshta në drejtim (reksion), sidomos atë parafjalor. Kështu, p.sh., këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit po përdoret ndërtimi për momentin që nuk njihej më parë, ndërtim ky jo në natyrën e shqipes, në vend të tani (për tani), hë për hë, në këtë çast, etj. Po përdoret vend e pa vend parafjala mbi, nën ndikimin e gjuhëve të huaja sigurisht. Përdoren ndërtime me parafjalën ndajfoljore pavarësisht të ndjekur nga një emër në rrjedhore : pavarsisht pengesave, në vend të lokucionit parafjalor pavarësisht nga të ndjekur nga një emërore : pavarsisht nga pengesat, në një kohë kur thuhet Varësisht nga pengesat, por jo edhe : *Varësisht pengesave.

    Problem po bëhet reaksioni i foljes. Sot disa folje përdoren me kallëzoren pa parafjalë ose me  dhanoren : Votoj partinë demokratike, për Votoj për partinë demokratike; Mijëra amerikanë telefonojnë NASA-n, për Mijëra amerikanë i telefonojnë NASA-s, etj. Gazeta Panorama shantazhon Olldashin për Gazeta Panorama bën (ushtron) shantazh mbi Olldashin; Një kamion përplasi një veturë për Një kamion u përplas me një veturë; …është e mundur që Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Europian për …është e mundur që Shqipëria të bashkohet me Bashkimin Europian, etj., etj.. 

    Nën ndikimin e gjuhëve të huaja, sidomos ato romane, folja bëj përdoret e shoqëruar me emra në rasën kallëzore të shquar : Nuk më ka pëlqyer të flas për këto gjëra që të mos bëj viktimën, Ai bën interesantin, etj. Se deri ku shkohet me përdorimin e kësaj foljeje, le të gjykohet nga kjo fjali e nxjerrë nga shtypi, fjali që edhe të shkolluarit mund edhe të mos e kuptojnë : Kuvendi i Republikës bën sens të impenjohet për çështje kardinale.

    Largim nga standardi është edhe ndërtimi me foljen modale duhet të ndjekur nga pjesorja dhe një emër në rasën kallëzore, si te këta dy shembuj të nxjerrë nga gazeta : …andaj, gjithë energjinë duhet investuar në ruajtjen e institucioneve; Për ta kuptuar dhe zbërthyer Enver Hoxhën, duhet kuptuar edhe padronin e tij ideologjik: Josif Visarionoviç “Stalinin”. Standardi kërkon që emri të vihet në rasën emërore : energjia, padroni.

    Ndikimi i huaj duket edhe në rendin e fjalëve dhe të gjymtyrëve si në togfjalësh, në fjali, ashtu edhe në njësi më të mëdha thënësore. Kështu, p.sh., në gjuhën shqipe, në disa emërtime si Rajoni i policisë numër 3 (përkthyer fjalë për fjalë nga gjuhë të huaja), ndërtimi vetë do të thotë se kemi tri polici; për të hequr dykuptimshmërinë, do të duhej emërtimi Rajoni numër 3 i Policisë.

    Po kështu, në disa tipe fjalish të vararura kohore, kushtore, lejore, etj., fill pas lidhëzës vjen kallëzuesi e jo kryefjala, por nën ndikimin e gjuhëve të huaja në këto ndërtime, kryefjala del para kallëzuesit : Kur ushtria turke u turr drejt Krujës, Skënderbeu priste në male, në vend të Kur u turr ushtria turke drejt Krujës, Skënderbeu priste në male. Le të krahasohet me një ndërtim të mirëfilltë shqiptar : Kur vijnë mendtë, nuk i hanë as qentë dhe jo:  Kur mendtë vijnë, nuk i hanë as qentë.

    Një anë tjetër e mbrojtjes dhe e pasurimit të standardit është gjetja e ndërtimeve dykuptimshe dhe pastaj gjetja e ndërtimeve zëvendësuese jodykuptimshme. Kështu, duhet pasur kujdes me përdorimin e pjesëzave dhe të lidhëzave : Tani që ia mbushën mendjen, ai do të mbjellë edhe grurë në çati. Ndërtimi në vetvete do të thotë se deri tani ai ka mbjellë shumë gjëra në çati, këtyre do t’u shtojë edhe grurin. Për të ndrequr këtë moskujdesje do të duhej : Tani që ia mbushën mendjen, ai do të mbjellë grurë edhe në çati, pra jo vetëm në arë, por edhe në çati. kaq shumë i është mbushur mendja. Po kështu, ndërtimi : Hajdari ua kishte humbur gjurmët karabinierëve, mund të thotë barabar si Hajdari i ndiqte karabinierët, gjurmët e të cilëve i humbi, ashtu edhe Karabinierët e ndiqnin Hajdarin që ia doli t’i fshehë gjurmët e veta. Ndërtime të tilla duhen parafrazuar, si bëmë më sipër, për të pasur ndërtime njëvlerëshe. Ndërtimet dykuptimshme janë të dobishme për regjistra të tjerë të ligjërimit.

    Me probleme normëzimi del edhe përshtatja në të gjitha format e saj. Këtu kodifikimi ka ende punë për të bërë.

    Shkurt, në rrafshin e sintaksës, standardi ka ende për të marrë nga dialektet e të folmet për saktësime e ngjyrime të mëtejshme.

    Këto që u parashtruan, janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve që ndeh përmirësimi dhe pasurimi i standardit. Ka edhe probleme natyrash të tjera që lidhen me pasurimin e standardit, por edhe kaq sa u tha do të mjaftonte për t’u bindur se standardi, si kod, ka ende për të marrë gjëra dhe për të pasuruar vetveten. Le të merremi me rrugë  të tilla që e pasurojnë standardin dhe le t’i lëmë diskutimet e politizuara.

    Prof.  Dr.  Remzi  Përnaska