Si po i mashtron qeveria pronarët me fondet e kompensimit, metodika e re pa asnjë ndryshim

    365
    Sigal

    INTERVISTA/Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi, flet për kthimin e pronave

    Kompensimi i pronave mbetet i parealizuar për vitin 2012, ashtu siç duhet të realizohej sipas rregullores. Një gjë të tillë e bën të ditur për “Telegraf” Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi. Sipas zotit Vorpsi, fondi për kompensimin e pronarëve nuk ka pësuar ndonjë rritje, siç u tha nga Ministria e Drejtësisë. Ai ka sqaruar se fondi është ai që është miratuar që në fillim të vitit dhe ky fond ka shumë mundësi që nuk do të shpërndahet ashtu siç ishte përcaktuar, pasi duhet më tepër kohë. Ndërkohë që, në lidhje me metodikën e re, e cila përcakton çmimin e tokave nuk ka asnjë ndryshim, nga ajo e mëparshmja.

    -Zoti Vorpsi, Ministria e Drejtësisë, është shprehur se është rritur shifra e parave që do të shkojnë për kompensimin e pronarëve, ajo ka shkuar deri 3 miliardë lekë të vjetra. Sa e vërtetë është kjo dhe a mjafton kjo shifër?

    -Unë nuk e di, por nëse ministrisë i duken më shumë tre miliard lekë të vjetra në vend të treqind milionë lekë të reja, atëherë nuk e di është pune e tyre që i përdorin me këto terma se mbase u duken më shumë. Por di të them që shifra ngelet po aq është e pandryshuar.  Ky është një fond që ka qenë i parashikuar, në këto shifra që thuhen nuk ka asnjë shtesë fondi. Ai është një fond i parashikuar që në fillimin e vitit. Tani do të fillojnë procedurat, dhe nuk e di nëse do të mjaftojë koha për këtë vit. Por unë mendoj që nuk do të mjaftojë koha që të shpërndahet fondi për këtë vit, dhe besoj që një pjesë do t’i kalojë vitit tjetër.

    -Pra sipas jush është e vështirë që shpërndarja e fondeve të realizohet këtë vit, sa zgjasin procedurat?

    -Unë e shoh të parealizueshme këtë procedurë për aq kohë sa ka mbetur nga ky vit. E them këtë për arsye se janë paksa të gjata procedurat, duhet të bëhen aplikimet njëherë, pastaj nga fillimi i aplikimeve duhet të kemi parasysh që duhet një muaj kohë nga fillimi i këtyre aplikimeve. Kjo është ajo që mund të thuhet për momentin. Pra unë po e përsëri edhe njëherë që nuk ka asnjë shtesë fondi. Pasi po ai fond që ka qenë në fillim të këtij viti, po ai fond është edhe sot që ne po flasim. Por një gjë është e sigurt që edhe nëse aplikimi do të fillonte këtë vit procesi do të përfundojë vitin tjetër. Por kjo ka ndodhur edhe më parë që kemi ndarë shumat e dy viteve në një vit. Një situatë e tillë ka qenë në vitin 2011, pasi në këtë vit u ndanë lekët edhe për vitin 2010 që nuk u ndanë. Më shumë gjasa mund të ndahen edhe këtë vit. Më shumë gjasa diçka e tillë mund të ndodhë edhe për këtë periudhë. Por shumë që do të ndahet është shumë e vogël, kur themi është jashtëzakonisht e vogël dhe ku them kështu kam parasysh që është 4 herë më pak se shuma që është ndarë në vitin 2009. Mund të ju them që numri i pronarëve që do të përftojnë do të jetë i reduktuar në maksimum.

    -Sa është numri i pronarëve që do të përfitojnë, a mund të na e thoni numrin?

    -Unë mund të ju them që do të jetë shumë herë më i vogël. Dhe do të ishte më e udhës që të bashkoheshin dy fonde në një fond të vetëm dhe gjithçka ti ngelte vitit 2013. Kjo ndoshta edhe për një arsye tjetër, mbase edhe për faktin që është një vit elektoral dhe mund të vlejë më mirë kjo punë. Për dy vite bashkë 2010-2011 janë ndarë gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë lekë të reja dhe kanë përftuar një kompensim të pjesshëm 106 subjekte.

    -Po metodika e re që përcakton çmimin e tokave sa efikase është?

    -Është e vetmja metodë që ka qeveria në dorë për të vënë çmimin e tokës. Po unë po ju them që ajo është e pandryshuar. Qeveria miraton çdo vit nga një metodikë, por ajo është e afërt me atë që ishte. Nuk ka ndonjë ndryshim mendoj me aq sa kamë parë.