Si mund të ketë sistem online në shëndetësi, kur spitalet nuk kanë… kompjutera?!

    369
    Para tre vjetësh u premtua se të gjitha spitalet në vend do të kishin të instaluar sistemin online, ku mund të hidheshin të dhënat e pacientëve dhe se ky sistem online do të ishte i aksesueshëm nga të gjitha institucionet shëndetësore në vend. Asokohe u mendua se kjo risi do të ulte ndjeshëm radhët e gjata të pritjes së pacientëve në korridoret e spitaleve tona. Por, sot pas tre vjetësh asgjë e tillë nuk ka ndodhur, madje ende janë duke u bërë eksperimente për aplikim e këtij sistemi, kjo, pasi ende qendrat shëndetësore, madje dhe ato në kryeqytet nuk kanë një regjistër elektronik të pacientëve, çka tregon se kjo reforme e ndërmarrë për sjelljen e lehtësirave për pacientët ka dështuar, ashtu siç kanë dështuar dhe shumë projekte të tjera të ndërmarra në shëndetësi, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi. Me ndërmarrjen e kësaj reforme, të gjithë mjekët do të duhet të dilnin në terren për të gjetur familjet e paregjistruara, sot kur kanë kaluar më shumë se tre vjet ende nuk është bërë një lëvizje e tillë. Si mund të pretendohet që në spitalet e vendit tonë të aplikohet një reforme e tillë digjitale, kur pjesa më e madhe e qendrave shëndetësore në vendin tonë nuk janë të pajisura me kompjutera për të vënë në punë këtë projekt, nëse do ta quanim të tillë. Nuk flitet vetëm për qendrat shëndetësore në rrethe, ku ky projekt nuk njihet aspak, pasi këto të fundit vuajnë ende nga probleme të tjera akoma më imediate, por flitet dhe për qendrat shëndetësore në kryeqytet, ku ky projekt mbetet ende në fazën eksperimentale për shkak të mungesës së kompujterave në këto qendra shëndetësore. Pra, si mund të flitet për arritje dhe sisteme online kur ende spitalet e vendit tonë janë në gjendje të mjerueshme aq sa ende nuk janë të pajisura me kompjutera. Dështimet në sistemin e shëndetësisë po i lënë radhën njëra-tjetrës, ndërkohë që ministri i Shëndetësisë flet për arritje në këtë sektor, flet për shëndetësi falas dhe për lehtësim në marrjen e shërbimeve nga ana e qytetarëve në këto qendra shëndetësore, të cilat vetëm si të tilla nuk mund të quhen. Aplikimi i sistemit online në qendrat shëndetësore ishte mashtrimi i radhës, siç ishte pak kohë më parë dhe mashtrimi që ju bë qytetarëve me kartën e shëndetit, e cila zëvendësoi librezën e shëndetit, karta e cila u tha se do të ishte e plastikuar, ndërkohë që kjo e fundit rezultoi të ishte thjesht në letër e mbështjellë me një qese të hollë që mund të dëmtohet apo griset fare lehtë. E njëjta gjë ndodhi me sistemin online, që u tha se do të evitonte radhët e gjata në qendrat shëndetësore, ndërkohë që sot realiteti është shumë më ndryshe nga sa është premtuar, korridoret e qendrave shëndetësore janë të “pushtuar” nga pacientë që presin në radhë për orë dhe ditë të tëra. Kjo vetëm se, qendrat tona shëndetësore nuk janë të pajisura me kompjutera për të vënë në punë sistemin online që është premtuar që në vitin 2012.
    Sigal