Si mund të festohet 100- vjetori i Pavarësisë pa varret e fëmijëve të Babait të Kombit?!…

    479
    Sigal

    Prof. Nedim Vlora, nipi i Ismail Qemalit përsërit kërkesën: Vlora të gjejë eshtrat e gjyshit dhe t’i varrosë në Kaninë!

    Ndërsa afron kremtimi i ngjarjes së madhe për Kombin shqiptar, 100 -vjetori i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, nipi i Ismail Qemalit, prof. Nedim Vlora, nga Bari i Italisë, ka përsëritur kërkesën e tij në adresë të Bashkisë së qytetit dhe shoqatës “Ismail Qemal Vlora”, të gjenden kockat e gjyshit të tij, djalit të parë të Ismail Qemalit, Mahmud Bej dhe të promovohet varri në Kaninë me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë.

    Profesor Vlora, ekskluzivisht për “Telegraf”

    Profesor, ku ka ngecur problemi?

    Kam kërkuar disa herë, me gojë dhe me shkrim, kam biseduar me Shoqatën Kulturore Atdhetare “Ismail Qemali”, që drejtohet nga prof. Bardhosh Gace, që si bashkia, shoqatat dhe komuniteti i Vlorës, të bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjetur kockat e gjyshit, djalit të parë të Ismail Qemalit, Mahmud Bej, por nuk kam marrë ndonjë përgjigje as me gojë dhe as me shkrim. Gjykoj se nëse Vlora, Shqipëria e Kombi ndjejnë detyrim për Ismail Qemalin, fëmijët e tij, që janë po aq patriotë dhe të angazhuar me çështjen kombëtare, padyshim, në prag të kësaj ngjarje të madhe, 100 -vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Mahmud Bej, do të kish një varr në Kaninë, në tokën e të parëve tanë. Heshtja do të thotë se nuk ka impenjim, se në 100- vjetorin e kësaj ngjarje të shënuar për Kombin, Mahmud Bej është përsëri pa varr dhe se askush nuk e di se ku prehen eshtrat e tij.

    Me që ra rasti, mund të tregoni ndonjë detaj për Mahmud Bej, gjyshin tuaj, që e bëri për herë të parë baba Ismail Qemalin?

    Sigurisht, lindja e parë që të bën baba, aq më tepër kur lind edhe djalë, që për shqiptarët përbën një eveniment të rëndësishëm, është një gëzim i madh, ngjarje e shënuar. Kështu edhe për Ismail Qemalin, lindja e djalit ishte një festë e pazakontë. Kjo edhe për faktin se në atë kohë, ishte me rëndësi lindja e djemve, pasi, jo vetëm që do të përcillte emrin e familjes, por do të ishin në krah të etërve duke kontribuar dhe përpjekur për Shqipërinë, Kombin e tyre, që e kishin aq të shtrenjtë. Ismail Qemali, nuk bëri një djalë, por 6 djem, që gjatë gjithë kohës iu vunë në krah dhe bashkërisht realizuan ëndrrën e madhe të shqiptarëve: Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

    Përse u vendos pikërisht në Bari të Italisë, gjyshi juaj dhe përse nuk u kthye në Shqipëri?

    Meqë gjyshi im, Mahmud, ndiqte një politikë në favor të pavarësisë, ai u burgos nga Sulltani Abdul Ahmid II, duke e dërguar në burgun e Bitlis, në Anadoll, ku qëndroi 7 vjet (nga 1901-1908). Pasi doli nga burgu, i sëmur nga tuberkulozi dhe u vendos në Nicë, Francë. Nëse themi që rastësia bën mrekullinë, kjo i përket gjyshit tim. Teksa ai qëndronte në hotelin Place, i zunë sytë një vajzë të bukur. Ai ishte duke pirë kafe me të atin, Ismail Qemalin dhe dy vëllezërit, Tahir dhe Et’hem, kur të gjithë shohin të zbresë nga shkallët e hotelit vajza e re dhe e bukur, Alice, që ishte vajza e pronarit të hotelit. Ky hotel frekuentohej nga politikanë të shumtë evropianë, nga artistë evropianë dhe nga njerëz të rëndësishëm të Francës dhe Evropës. Ajo tërhoqi vëmendjen e të tre vëllezërve, por Ismail Qemali preferoi që vajza t’i drejtohej Mahmudit. Midis tyre lindi një dashuri me shikim të parë, por që u konsolidua më tej, çka solli martesën e çiftit dhe celebrimin në vitin 1913. Ai ishte 41 vjeç dhe ajo 18 vjeçe. Më 21 janar të vitit 1914, çifti i ri solli në jetë një djalë, të cilin e quajtën Ismail Kemal Galib Aleksandër. Sapo lajmi i mbërriti në Vlorë, Ismail Beu ai la Qeverinë dhe u nis menjëherë për të mbërritur në Nicë. Për lindjen e djalit të parë, nipit të parë të Ismail Qemalit, u qëlluan 24 topa. Mahmudi dhe Alice patën edhe dy fëmijë të tjerë, Blanke Paulette dhe Suzan. Si pasojë e sëmundjeve që mori në burg, Mahmudi vdiq në Vlorë, në vitin 1921. Bashkëshortja e tij, gjyshja ime, Alice, që ishte katolike, mbeti me tre fëmijët e vegjël, dhe vendosi të sistemohej në Bari, që ishte qyteti më i afërt me Shqipërinë.

    Prof. Bardhosh Gaçe, flet për “Telegraf”

    Problemi që shtron prof, Nedim Vlora është i njohur për institucionet e shtetit, bashkinë, shoqatën Kulturore Atdhetare “Ismail Qemali” dhe komunitetin vlonjat. Madje, jo vetëm është i njohur, por është një brengë, që nuk është bërë e mundur gjetja e kockave të Mahmud Bej Vlorës. Kush nuk do ta dëshironte gjetjen e kockave dhe bërjen e varrit të Mahmud Beut në prag të 100 -vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Por kjo është e pamundur.

    Pse? A është varrosur në Vlorë, djali i parë i Ismail Qemalit

    Po, është e vërtetë, ka vdekur dhe është varrosur në Vlorë në vitin 1921, tek varrezat e vjetra, varrezat publike të qytetit, që kanë qenë në vendin ku sot ndodhet fakulteti i Mjekësisë, përballë Prefekturës. Por tragjikja është se këto varreza janë prishur në vitin 1940 dhe në atë vend janë ndërtuar pallate. Aty kanë qenë varrezat e qytetit, kanë qenë edhe patriotë të tjerë.

    Si është e mundur prof. Gaçe, të zhduken varret, populli ynë e ka traditë që përkujdeset për varret, të afërmit, patriotët?

    Këtë pyetje që më bëni juve mua, i a bëj edhe unë shpesh vetes, por kjo ka ndodhur. Bëhet fjalë në vitin 1940, Shqipëria një vit më parë ishte pushtuar nga Italia Fashiste, luftëra të tjera e prisnin, kësisoj nuk u bë e mundur ruajtja e kockave dhe vendosja e tyre në varrezën që do të bëhej më pas. Sigurisht që është e dhimbshme jo vetëm për Nedim Vlorën dhe pasardhësit e Ismail Qemalit, por për tërë komunitetin vlonjat dhe mbarë shqiptarët, që patën këtë fat edhe kockat e Mahmud Bej Vlorës, që është jo vetëm djali i Ismail Qemalit, por njëherësh edhe një patriot i madh që ka kontribute me vlerë për çështjen e Kombit.

    Një pyetje të fundit prof. Gaçe, ka qenë një ide që do të grumbulloheshin në Kaninë varret e fëmijëve të Ismail Qemalit, madje në mos gabohem, këtë nismë e ka marrë shoqata “Ismail Qemali” që drejtoni ju, do të konkretizohet?

    Është shprehur një ide e tillë, dhe do të ishte gjë e bukur që, së paku fëmijët e Ismail Qemalit të ishin në tokën e të parëve, në vendin ku u varros Ismail Qemali për herë të parë, por duket se pasardhësit nuk janë në një mëndje. Nga një anë kanë të drejtë, pasi është në traditën e shqiptarit, që të afërmit e larguar nga kjo jetë, t’i kenë sa më afër dhe t’i nderojnë.