Si kundërshtova urdhrin për një çek me 200 mijë dollarë për llogari të Partisë Demokratike

636
Bashkim Koçi
Unë njoh një njeri, i cili për çka është përpjekur për t’i bërë ballë korrupsionit, për çka është përplasur e kacafytur me të keqen, me pushtetarë e sahanlëpirës të politikanëve, zor se e gjen një të dytë në këtë vend, në këtë të nëmurën Shqipëri. Ai quhet Gjolek Zeneli. Historia e jetës së tij është paksa tragjike, çuditërisht e ndërthurur me episode rrëqethëse e me pasoja familjare, në shumicë të pariparueshme. Më në fund shqiptari i ndershëm Gjolek Zeneli e ka kuptuar se gjendet i mundur, i kapitur, i helmuar nga dëshpërimi. E ka venë me shpatulla përtokë mafia, ata që ai dikur mendonte se “nuk do ta kishin të gjatë në një shtet demokratik”. Ai bëri përpjekje sfilitëse, nuk la rrugë e shteg për të vajtur tek e vërteta, por nuk mundi. Tani Gjoleka ndjehet i lodhur, i pashpresë. I ka mbetur vetëm ajo që nuk mund t’ia rrëmbejë kush, as robi e as shteti: urrejtja me zemër e këtij regjimi të pistë. Gjolek Zeneli nuk është Profet dhe, kësisoj, nuk mund të dijë se kur do të jetë fundi i botës. Ai di një gjë tjetër, që fundi i një shteti vjen kur ai shtet udhëhiqet nga njerëz të pandershëm, nga ata që për interesa të vockla janë në gjendje t’i venë kazmën gjithçkaje, rregullit, ligjit, madje edhe Kushtetutës. Ai e di mirë këtë gjë edhe sepse ka më shumë se 25 vjet që u mundua me të gjitha energjitë njerëzore e intelektuale për qenë korrekt me ligjin, por që nuk mundi, nuk ia arriti dot. Për të mos tjerrë vetëm fjalë rreth bëmave të këtij personazhi, tashmë të dorëzuar përpara fuqisë të pushtetit të korruptuar, më duhet të sjell fakte e ngjarje që vërtetojnë se ky njeri është njëri ndër ata shqiptarë që e do demokracinë, që e do vendin e tij, Shqipërinë.

Drejtor i Parkut të Eksportit

Gjolek Zeneli në vitet që sapo nisën proceset demokratike, mbante përgjegjësi goxha të larta në hallkat e ekonomisë shqiptare. Ai ishte drejtor i Parkut të Eksportit, i cili në vitin1988 kaloi në vartësi të “Transshqipit”, nga vartësia e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme që ishte deri atëherë. Ishte ndërmarrje e madhe, me më shumë se një mijë punëtorë. Në inventarin e saj kishte miliona dollarë pasuri, si mjete transporti, mallra që lëviznin nga jashtë-brenda e nga brenda-jashtë, pa përmendur asete të tjera me vlera të mëdha. Fillimin e proceseve demokratike Gjolekë Zeneli e mori seriozisht, ashtu siç dëshironim të gjithë, “Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Mirëpo “berishianët”, siç dëshiron t’i quajë Gjoleka, e filluan “demokracinë” me grabitje, me shkatërrime, me përvetësim të pasurisë së popullit në mënyrën më të turpshme. Ai sjell shifra marramendëse, të paperceptueshme për kohën. Flitet për miliona dollar. Gati të gjitha ndërmarrjet e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme u vunë në shënjestër si me komandë, duke rrëmbyer gjithçka. Kryebanditët ishin vetë drejtorët, kryesisht personeli drejtues, të cilët, mesa duket, kishin marrë sinjale partiake për të rrafshuar, vjedhur e tjetërsuar me të gjitha mënyrat mjete monetare e materiale. Këtu fillon edhe jeta me plot peripeci, shumë tronditëse të Gjolek Zenelit. Ai nuk pranoi, nuk iu bind urdhrave partiakë, konkretisht të Partisë Demokratike, për të vepruar kundër ligjit. 

Qysh në fillim. Urdhrin për të firmosur një çek në shumën 200 mijë dollarë për llogari PD-së, të Sali Berishës, Gjoleka e priti paksa i çuditur dhe qysh atëherë kuptoi se vetëm kështu nuk mund të ndërtohej demokracia, se vetëm me këto praktika idiotësh nuk mund të vihej në Evropë. Këtë urdhër ai e kundërshtoi, e neveriti. Mirëpo këtu, në këtë çast, fillojnë edhe përndjekjet çnjerëzore ndaj këtij njeriu të ndershëm e patriot. I vunë disa emra e nofka të pabindurit Gjolek. Por ajo që e kishin më për zemër e që u bënte punë për ta vënë përpara, ta shkelnin me këmbë, ishte “Gjoleka nuk e do demokracinë”. Por ai nuk u tërhoq. Kërkesën për të ndryshuar çmimin e blerjes të 300 autobusëve nga një firmë italiane, nga 4500 në 6500 dollarë, e ktheu mbrapsht, duke u thënë sy më sy “ ju po e çoni vendin drejt shkatërrimit, po e degradoni sistemin që kërkojmë të vendosim sa pa lindur akoma”. E kush pyeste më për drejtor Gjolekën, horrat e kishin marrë fuqinë, çdo gjë varej nga ata, komandohej nga ata. Përfundimisht u përvetësuan 600 mijë dollar, ndërsa Gjolek Zeneli, për rezistencën që bëri, u flak në rrugë si i papunë. Grabitja vazhdoi në të gjitha “xhepat” ku kishte para, dollar e materiale me vlerë. Për një kontratë të lidhur me gjermanët (DHL), nga allishverishet që u bënë, u morën 200 mijë dollar të tjerë gjoja për të ndihmuar partinë. Po nga marrëveshja me një kompani tjetër gjermane, (Chencer) të fushës së transportit hekurudhor, po me allishverishe, iu grabitën shtetit, popullit, 500 mijë dollarë. 
Emra ministrash dhe drejtorësh

Gjoleka sjell emra ministrash e drejtorësh të asaj kohe, të cilët, nëse do të kemi ndonjëherë drejtësi, duhen marrë prej veshi si përvetësues të pasurisë ku kemi patur pjesë të gjithë. Shtete të mëdha, me sistem të konsoliduar demokratik, edhe tani, pas më shumë se 70 vjetësh, dënojnë e demaskojnë njerëz që u kanë sjellë dëme, që kanë kryer krime në fusha të ndryshme të jetës gjatë kohës së luftës së Dytë Botërore. Dëmi më i madh që i është bërë ekonomisë shqiptare, sipas tij, është ai i përvetësimit të mjeteve të transportit tokësor e detar. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për miliona dollar. Janë shitur e përvetësuar 250 makina transporti 25 tonësh të tipit Benz, Skania e Skoda çeke. E njëjta praktikë grabitje ka ndodhur edhe me Flotën Tregtare. Janë shitur apo kthyer në skrap 25 anije me kapacitet mijëra tonëshe. 

Transporti i tregtisë së jashtme, nga një sistem i fuqishëm për kushtet e vendit tonë, u katandis në kuotën zero. Për të kapur një post sa më të lartë, për të fituar para, njeriut i duhet të bëjë shumë kompromise dhe të pësojë shumë poshtërime, por që të arrihet deri këtu, pra të marrësh atë që nuk të takon ta kesh, të bësh mall e gjë me djersën e një populli të tërë, e ndërkohë të livadhisësh i lirë, të të bëjë edhe karshillëk si njeri që kontribuon për demokracinë, kjo nuk ka vend të rrish. Fakte tronditëse vijnë edhe nga një ndërmarrje tjetër, ajo e Mineral Inpeksit. U shitën e u përvetësuan sasira të mëdha mineralesh të destinuara për eksport. Gjolek Zeneli sjell shifra që të bëjnë të mendosh se korrupsioni ka hedhur rrënjë qysh në fillim të proceseve demokratike dhe është frymëzuar e mbështetur nga politikanët që po e mbajnë peng edhe sot reformën në drejtësi. Bëhet fjalë për 300 mijë ton krom, 150 mijë ton koncentrat dhe 250 ton tela bakri. Në këtë vjedhje prej vandalësh Gjoleka ngre gishtin dhe akuzon të gjitha partitë që kanë drejtuar e qeverisur vendin. Pyetja që mund të bëjë lexuesi i këtyre radhëve është: more çfarë bën, ku ndodhet tani ky Gjolek Zeneli, i cili paska luftuar mafien qysh sa kishte lindur? Gjolek Zeneli, i nderuar lexues, ndodhet në shtëpinë e tij këtu në Tiranë në gjendje të sëmurë, i shkatërruar moralisht, i bindur se në këtë vend nuk ka dhe nuk do të ketë drejtësi. Sa për informacion dëshiroj të them se ai për luftën dhe përpjekjet që bëri kundër mafies dhe korrupsionit (madje edhe sot) është “shpërblyer” dy herë i dënuar me burg dhe një herë i dënuar me vdekje, me pushkatim. Është paksa e pabesueshme, por e vërteta është kjo çka po them. Krahas kësaj përndjekjeje të pashembullt të Gjolekës si person, mafia iu kundërvu për ta shkatërruar me themel, familjarisht. Dy vajzat e tij, për shkaqe nga më monstruozet, e që këto shkaqe janë denoncuar në organet e drejtësisë, tashmë janë invalidë, me shëndet përfundimisht të pariparueshëm.
Gjithçka që bëri për të mposhtur korrupsionin, Gjolek Zenelit iu kthyen në të kundërt


Mosbindja për t’u bërë pjesëtar i grupit të mafies, apo të paktën të mbyllte gojën, u shoqërua me të gjitha presionet dhe në të shumtën e rasteve kërcënuese. Ne që kemi përjetuar regjimin e Berishës në vitet kur ai ishte në pushtet, e që Gjoleka nuk tërhiqej për të denoncuar grabitësit e pasurisë të shqiptarëve, e kuptojmë dhe e përfytyrojmë fare mirë çdo të thoshte një letër poshtë derës me përmbajtjen: “Mos i fusni hundët atje ku nuk duhet. Ke goca, mos harro!”. Mos të anashkalojmë edhe tjetrën që pas këtyre kërcënimeve, atij iu tentua t’i rrëmbenin njërën nga vajzat. Rrëmbyesi u edintifikua, me emër e mbiemër, me adresë të plotë, por atij nuk iu fut gjemb në këmbë. Të njihesh me historinë që ka shoqëruar dy vajzat, të dyja të shkëlqyera me mësime, madje njëra prej tyre e diplomuar në mjekësi, është shumë tronditëse. Për çka dinte, e që i denoncoi të gjitha në organet e drejtësisë, Gjoleka duhej me patjetër të eliminohej fizikisht.

 Sipas tij, janë bërë disa tentativa për t’ia arritur qëllimit, por falë zgjuarsisë dhe vigjilencës që ka treguar, nuk e futën dot në grackë. E vetmi rast që mund ta realizonin këtë dëshirë të tyren ishte sajesa që iu bë se ai ishte shkaktari për vdekjen e 11 personave nga alkooli metilik, të importuar nga Greqia. Gjoleka thotë se këtë sajesë e qëndisën bukur, por që ai ende nuk e shpjegon dot sesi në orën që priste të hante koqen e plumbit, dëgjoi zërin e drejtorit të burgut 313: “Gjolek Zeneli je i lirë, çështja tënde mbyllet!”. Njeriu, qoftë edhe nga natyra e tij, ka besim tek e drejta. Ajo zhytet, thotë populli, por nuk mbytet, vonon, por nuk harron. Ndoshta edhe Gjolek Zeneli i beson këtyre thënieve, por për çka ka treguar realiteti në lidhje me historitë e tij, ai nuk ka më besim. Madje ai shprehet në mënyrë kategorike se “drejtësia ka vdekur, i duhen bërë homazhet që meriton!”. E ka këtë bindje të palëkundur sepse përpjekjet e tij për të vënë drejtësi e kanë çuar deri në Stratzburg, aty ku pretendohet se drejtësia ka shtëpinë e saj. Jo, ai nuk e ka këtë bindje, madje thotë së edhe Gjykata e Stratzburgut ka lënë shteg për të depërtuar mafia. Presim një farë reforme që pritet të bëhet, thotë ai, por nuk kam shpresë se mafiozët do të përfundojnë në burg, aty ku i dëshiron t’i shohë populli. Korrupsioni është plaga më e rëndë, gati-gati kanceroze, për vendin dhe për shoqërinë. Nuk po e shërojmë dot. Ata që kanë vënë kokën në satër për ta mposhtur, janë të paktë, të papërfillshëm, siç sollëm në këtë shkrim emrin e Gjolek Zenelit. Por do të ndjehemi të gjithë mirë nëse bëjmë dallimin midis tyre: personi i korruptuar ka një çmim, personi i ndershëm ka një vlerë. E, ky Gjolek – Zeneli ynë, e ka një vlerë! Të tjerat le t’i gjykojë lexuesi.
Sigal