Si ka ndryshuar jeta në çift gjatë 40 viteve të fundit

    411
    Sigal

    Dëshira për të pasur kontrollin mbi të gjitha situatat e çiftit, përfundon me një ashpërsi të tepruar dhe e bën të pamundur shprehjen e emocioneve e instinkteve

    Çifti ka ndryshuar shumë këto 40 vjetët e fundit, por nuk është përmbysur ende. Ç’mund të themi për këtë? Ndoshta nuk kemi gjetur ende diçka më të mirë. Që të funksionojë një martesë, duket një punë e vështirë dhe e përditshme (që ka vetëm 50 % gjasa për sukses), por duhet që çiftin edhe ta mbrojmë, e kjo jo vetëm për arsye morale, por edhe psikologjike.

    Unë jam i pari që e bëj këtë e që jam martuar prej më se 30 vjetësh. Gjithashtu, e bëj sepse e njoh stresin që shkakton rritja e fëmijëve, lodhja për të mbijetuar mbi sëmundjet  e “tërmetet” ekonomike, për të triumfuar mbi xhelozinë e për ta mbajtur erosin në kohë, përveç dashurisë romantike. Tek e fundit, unë nuk mund të bëj gjë tjetër, veçse të jem dakord me shkrimtaren Anne Rojfe, kur thotë: “Shpresa se jeta na rezervon një shpirt binjak vdes e fundit dhe ndoshta ajo duhet mbrojtur”. Ndoshta duhet t’i japim të drejtë asaj, duke parë se pavarësisht nga divorci i parë, ajo është rimartuar, ka pesë fëmijë e ka gjetur kohën e dëshirën për të shkruar një libër që është një elozh për martesën.

    Të gjithë përpiqemi që t’i japim një kuptim ekzistencës tonë dhe mendojmë se ka një lidhje të ngushtë midis jetës private e lumturisë. Por, siç pyet filozofi anglez John Armstrong: “Nëse të gjithë aspirojnë për dashurinë, përse është aq e vështirë ta fitosh atë dhe më e vështirë akoma ta mbash gjallë?” Ndoshta, dashuria është vetëm një ideal, dhe është vështirë që ajo të mbijë në jetën reale. Është po aq e vështirë gjithashtu, përputhja e seksit me zemrën.

    -Ethet e erosit dhe siguria e ndjenjës

    A është vështirë që këto të dyja të përputhen në një marrëdhënie çifti? Sigurisht, është shumë e komplikuar. Këtë e dëshmojnë disa letra që kam marrë kohët e fundit nga dy vajza tridhjetë vjeçare.

    Xhulja është fejuar që kur ishte 20 vjeçe dhe ka pasur marrëdhënie intime vetëm me të fejuarin. Por ajo lodhet shumë, për të arritur në orgazëm: në kaq vjet marrëdhënie ka mundur vetëm dy herë, dhe kjo ka ndodhur gjatë pushimeve. Xhulja është e bindur se partneri i saj duhet që t’i kuptojë dëshirat e nevojat e saj vetëm me një shikim, dhe fakti i thjeshtë që ata janë të dashuruar, zgjidh çdo problem. Pakënaqësia seksuale e ka bindur atë të mendojë se kjo nuk është dashuria e vërtetë dhe po mendon se do të jetë më mirë që të njihet me një tjetër. Në realitet, problemi i Xhuljes është më kompleks. Ajo tregon se në fakt, ka pasur vështirësi ne arritje të orgazmës, përveçse në rastet e disa praktikave autoerotike, të cilat i ka zbuluar që në adoleshencë. Paaftësia e saj për të provuar kënaqësi është shenjë e një seksualiteti ende të papjekur, prandaj Xhulja duhet të hetojë brenda vetes për të kujtuar se si e ka zbuluar masturbimin dhe të analizojë fantazitë që e shoqërojnë atë. “Eliminimi” i të dashurit nuk do t’i vlejë asaj për të sqaruar sado pak seksualitetin e saj.

    -Po dashuria a mund të zgjasë?

    Pyetje kjo prej një milion dollarësh. Personalisht, do përgjigjesha po. Pyetja ime është dhe titulli i librit të fundit të një analisti nga New Yorku. Një tjetër psikoanalist, Otto Kernberg, i drejtohet për ndihmë ligjeve të subkoshiencës për të treguar se dashuria mund të zgjasë vetëm në qoftë se ajo nuk lidhet me sensin e “stabilizimit” të individit e me parashikimet për jetën tonë, për të cilat të gjithë kemi nevojë, por vetëm me ndjenjën e zbulimit të përditshëm të risqeve, të jetuara këto si veprime kurajoze e pa ndjenjën e frikës. Pra, dashuria mund të zgjasë nëse ajo është si deti, me rryma të forta në thellësi e tallaz në sipërfaqe. Qëndrueshmëria dhe paqëndrueshmëria e ndjenjës mund të bashkëjetojnë nëse tek çifti sundon ndjenja e besimit. Por shumë persona në vend që të kenë besim te partneri, u pëlqen që ta kontrollojnë atë.

    -Më do, apo më kontrollon?

    Ka individë që në marrëdhëniet ndërpersonale ngatërrojnë autoritetin me autoritarizmin, pra kontrollin me të drejtën e zotërimit. Të jesh zot i vetes-kjo të çon te koncepti i vetvendosjes, pra te bota e brendshme personale, tek ndërgjegjësimi për pasuritë e tua e limitet, kurse kontrolli të çon në drejtime të tjera; tek gjëra që janë jashtë nesh. Vetëm kur kemi një lloj besimi tek aftësitë tona mund të flasim për të drejta zotërimi dhe për nevojën për të ushtruar pushtet autoritar mbi tjetrin. Në të vërtetë, kush zotëron situatat dhe emocionet, vepron në përgjithësi me urtësi. Kurse, ai që tenton të kontrollojë, bie në veprime që mund të jenë tiranike për partnerin. Për fat të keq, dëshira për të pasur kontrollin mbi të gjitha situatat e çiftit, përfundon me një ashpërsi të tepruar dhe e bën të pamundur shprehjen adeguate të emocioneve e instinkteve.

    -Ne, “arkitektët” e çiftit

    Sot jemi bërë “arkitektë” të çiftit thotë Salomon Nasielski, një psikolog belg. Modeli familjar tradicional që burri të përgjigjet për gjithçka jashtë shtëpisë, dhe gruaja për punët brenda shtëpisë, është vënë thellësisht në diskutim. Në mënyrë të veçantë, nga gruaja, e cila tashmë punon jashtë shtëpisë, jo vetëm për nevojë por dhe për t’u ndjerë e realizuar, mbi të gjitha. Edhe pse shpesh herë, e kapur nga paniku se duhet të preokupohet për dy gjëra në të njëjtën kohë; punën dhe familjen (në vend që të merret vetëm me njërën). Sot, nuk ekziston më “gruaja” dhe vetëm kaq, pra “gruaja perfekte”, e mbyllur në kuzhinë midis fërnellave. Prandaj, çdo çift duhet të krijojë strukturën e vet, “të vizatojë” shtëpinë e vet dhe atëherë gjithçka do të shkojë mbarë: që nga apartamenti intim, por i vogël e pak mbytës deri te jeta e hapur e trendy në hapësirat “private” e vilën e fshatit, si një strehëz e izoluar nga bota. Sigurisht, është e vështirë ta krijojmë kështjellën e ëndrrave që kur nisim të dashurojmë, por, gjithashtu nuk mund ta kthejmë dot çiftin në një “depo vjetërsirash” që nuk hyjnë në punë.

    Mbi të gjitha, duhet të përmirësojmë komunikimin në çift, sepse nëse burrat nuk kanë nevojë të flasin për të shprehur dëshirat e tyre për intimitet, tek gratë ndodh e kundërta.

    Nëse gratë kanë marrë pushtetin në sferën private, komunikimi bëhet shumë i rëndësishëm. Le të kujtojmë disa parime bazë:

    Së pari, kur flasim me partnerin, është mirë ta fillojmë tregimin me një “unë mendoj se..” me tepër se sa me një “ti” të lëshuar partnerit në fytyrë (si “ti ke bërë kështu”, “ti ke thënë kështu”). Këshilla tjetër është të eliminojmë diktatin (“po nuk hoqe dorë nga pija ose nga ngrënia e tepruar…”, “po nuk e rruajte mjekrën…”) bashkë me pasojat që rrjedhin prej tij, të qarta apo të nënkuptuara qofshin ato e që janë të barasvlershme me ultimatumin “përndryshe nuk ka seks!” Përveç kësaj, është e rëndësishmen të evitohen frazat, të cilat plagosin, sepse ato godasin autostimën. Një grua, adhuruese e kuzhinës, do të mbetej më e ofenduar nga një kritikë e tipit: “Mamaja ime dinte ti bënte më mirë se ty makaronat”, se sa nga një koment mbi parfumin apo veshjet që përdor. Edhe një burrë narcis, e i bindur që ka gjithmonë të drejtë, do të turbullohej e do të bëhej xheloz po qe se gruaja do t’i përmendte shpesh si shembull emrin e një miku të vet. Le të kujtojmë se komunikimi është i ndryshëm në dy sekset: burri në përgjithësi flet për fakte e ndodhi dhe për seksin, kurse gruaja flet për ndjenjat. Përpos kësaj, burri flet më lehtë për të tashmen, kurse gruaja për të ardhmen. Tek e fundit, çifti ka një ekuilibër të brishtë, i cili duhet forcuar nga brenda edhe për arsye që të mbrohet nga forcat “shpërbërëse” të jashtme siç janë:

    -Karakteri gjithmonë e më i hapur i stimujve erotikë, nisur nga fakti se publiciteti dhe T.V. sot na shtyjnë drejt seksualitetit pulsional, të përqëndruar tek dëshira e jo tek marrëdhënia.

    -“Familja e zgjeruar”, që lind nga dy martesa të dështuara e që mund të shfaqë probleme, n.q.s fëmijët e njërit partner hyjnë në jetën e çiftit “të ri” me gjithë dëshirat e të drejtat e tyre.

    Marrë nga libri “Jeta në çift”, Willi Pasini