Si i detyron CEZ, qytetarët që të paguajnë fatura të pakonsumuara

    371
    Sigal

    Ankesat e qytetarëve nuk merren për bazë nga kompania CEZ, detyrohen të paguajnë lekët

    CEZ nuk është mjaftuar me dëmet që zhvatjet që po i bën çdo ditë qytetarëve nëpërmjet faturave të energjisë elektrike. Së fundmi e pamë që CEZ la pa ujë të pijshëm me dhjetëra familje anë e mbanë vendit me pretendimin se ujësjellësit janë debitorë ndaj kësaj kompanie. Normalisht kjo sjellje e CEZ ishte e patolerueshme, pasi shkaktuan një situatë kaosi për disa orë. Por dëmet që ka shkaktuar CEZ, nuk ndalen me kaq. Sa e sa pajisje shtëpiake ka prishur CEZ, në fikjen e herëpashershme të dritave në familjet e qytetarëve shqiptarë. Sa e sa fatura afrofe ka vënë CEZ, ndaj qytetarëve dhe që kanë rënduar në xhepat e qytetarëve? Këtë as që e llogarit CEZ. Por të gjitha këto padrejtësi ajo i bën sepse është e mbrojtur nga segmente të caktuara të shtetit. Normalisht pastaj që vazhdon që të vjedhë çdo ditë qytetarët. Ndërsa dëgjohet ndonjëherë që do i hiqet licenca dhe si përfundim asnjë masë nuk merret ndaj kësaj kompanie.

    Qytetarët: CEZ, nuk po na lë “dritë të bardhë”

    Ankesat e qytetarëve ndaj CEZ, janë të pafundme për shkak të padrejtësive që po u bën kjo kompani. Një ndër qytetarët që i ka provuar padrejtësitë e CEZ, është edhe  Nik Mleraj, banor i qytetit të Tiranës. Në një prononcim për “Telegraf” ai është shprehur se: “Jemi të pakënaqur nga CEZ-i sepse paguajmë shumë lekë për energjinë elektrikë. Madje po paguajmë lekë edhe kur nuk jemi në shtëpi. Mua personalisht më ka qëlluar që të paguaj faturën njëqind e njëzet mijë lekë në momentin që unë nuk kam qenë në shtëpi. Unë së bashku me familjen kam qenë me pushime dhe fatura e energjisë më ka ardhur aq lekë”. i pyetur në lidhje me ankesat që ka bërë ai është shprehur se nuk i janë marrë fare parasysh ankesat e njëpasnjëshme që ka bërë. “Kam bërë ankesë tek zyrat e CEZ, por nuk më kanë dhënë përgjigje dhe as zgjidhje. Më kanë thirrur 5 herë tek zyrat e tyre dhe si përfundim deri sa pagova lekët nuk më gjetën asnjë zgjidhje. Ndërsa për një muaj unë kam harxhuar dyzet e pesë mijë lekë, ndërkohë që unë nuk kam qenë në shpi përsëri këtë muaj për 15 ditë apo më shumë. Unë nuk besoj që ka drejtësi tek CEZ-i dhe që në momentin që ka ardhur në Shqipëri kjo kompani ne nuk po shohim dritë të bardhë”.

    CEZ, na ka nxjerr me dhunë nga zyrat e tij

    Rastet e abuzimeve të CEZ me qytetarët janë nga më të ndryshmet. Ato arrijnë deri aty sa qytetarët detyrohen që të paguajnë fatura energjie që nuk i kanë harxhuar asnjëherë. Një rast i tillë, vjen për gazetën “Telegraf” nga V. Shkalla banore e qytetit të Tiranës. Ajo tregon për “Telegraf” se: “kam blerë një shtëpi dhe prej dy vjet nuk kam jetuar. Madje shtëpia nuk ka qenë as e rregulluar asgjë, ka qenë e pabanueshme për dy vjet. Kur erdha tani në shtator që bëra kontratën me CEZ, më thanë që duhet të paguaja një faturë prej dyqind e tetëdhjetëmijë lekësh për kohën që s’kisha banuar në shtëpi”. Ndërkohë që, zonja tregon se ka bërë ankesa të pafundme dhe nuk ka marrë zgjidhje, madje deri sa pagoi faturat nuk i lidhnin kontratën. Ajo tregon më tej se: “Shkova tek zyrat e CEZ disa herë dhe derisa pagova lekët nuk ishte e mundur që të më lidhnin kontratën. Madje, një herë punonjësja e CEZ, i tha policit që nxirreni jashtë zonjën se mbarova punë me të”.

    OST: CEZ NA KA BORXH 5 MILIARDË LEKË

    Shoqëria OST, ka konstatuar me shqetësim situatën e djeshme të krijuar nga shoqëria CEZ Shpërndarje. Në njoftimin e bërë publik ditën e djeshme është theksuar se që prej fillimit te aktivitetit të saj, Shoqëria CEZ Shpërndarje, ka akumuluar ndaj shoqërisë OST sh.a, një borxh mbi 5 miliard lekë (respektivisht mbi 2 miliard lekë për vitin 2011 dhe 3 miliard lekë për vitin 2012), vlerë që i korrespondon shumës së faturave të palikuiduara të shërbimit të transmetimit, të cilën shoqëria CEZ Shpërndarje e ka përfituar nga OST me kushte optimale. OST, bën të ditur se “Ky detyrim i pashlyer ndaj OST sh.a., i cili ka përbërë dhe vazhdon të përbëjë, pakësim deri në mungesë totale të cash flow-t të OST-së; ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e rrjetit të transmetimit të OST sh.a.; ka shkaktuar pamundësi të realizimit të investimeve tepër të rëndësishme për OST-në, duke rrezikuar të pengojë përmirësimin e performancës së përgjithshme të shoqërisë, të cilën në fakt OST ka arritur ta garantojë duke siguruar fonde nga institucione të ndryshme financiare”. Ndërkohë që OST sh.a., bën të ditur se pavarësisht gjithë sa kësaj, nuk ka ndërprerë kurrë transmetimin e energjisë elektrike, si i vetmi mjet shtrëngues ndaj shoqërisë CEZ Shpërndarje, si një nga klientët e OST. Por ka zgjedhur gjithmonë rrugën gjyqësore dhe çdo mjet tjetër ligjor dhe të arsyeshëm. Po ashtu bëhet e ditur se: “Ajo nuk ka ndërmarrë asnjëherë, asnjë masë të jashtëligjshme dhe kaq flagrante, si ajo me të cilën ka vepruar sot shoqëria CEZ Shpërndarje. Duke ndërprere furnizimin me energji elektrike të ujësjellësve, shoqëria CEZ shpërndarje, ka shkelur detyrimet e saj ligjore, kontraktuale, detyrimet që mbart kjo shoqëri në bazë licencës që mban për të siguruar furnizimin me energji elektrike”.

    SINDIKATAT MBROJNË CEZ-IN DHE HARROJNË QYTETARËT

    Ditën e sotme në orën 10:00 kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, ka bërë të ditur në faqen e tij të rrjetit social se do të zhvillohet një protestë në shenjë solidariteti për punonjësit e CEZ, që janë arrestuar me urdhër të Ministrit të Brendshëm Noka. Protesta është njoftuar se do të mbahet përpara të  Ministrisë së Brendshme, për arsye se  punonjësit e CEZ, dhe çdo punonjës shqiptar kurrë nuk do të përdoren politikisht nga as kush. Por lind pyetja, po ndaj padrejtësive që po bën CEZ-i ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë a ka protestuar ndonjëherë kjo sindikatë? Normalisht që faktet tregojnë që nuk ka pasur ndonjë protestë të tillë në Shqipëri, për të mbrojtur qytetarët nga CEZ. Pasi dihet që nga shteti qytetarët janë të harruar, po sindikatat ku janë?. Por arsyeja është e thjeshtë, pasi burime të caktuara bëjnë të ditur se njerëz të afërt të kryetarit të Sindikatës, janë punonjës në këtë kompani. Prandaj nuk është ngritur zëri nga sindikatat kundër CEZ, që po vjedh shqiptarët çdo ditë.