Si gënjehen ish -ushtarakët për vite të tëra për marrjen e pensionit nga DRSSH-ja

    437
    Sigal

    Vëzhgim/Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, vonon dosjet e pensioneve

    Problemet e pensionistëve në vendin tonë janë nga më të ndryshmet. Përkrah masës së vogël të pensionit që nuk u del për të plotësuar nevojat më jetike të tyre, atyre u duhet të përballen edhe me probleme të tjera për marrjen e asaj mase pensioni që u takon për të marrë. Problemet për një pensionist fillojnë që nga marrja e dokumenteve, nxjerrja e kartelave në veçanti është kthyer në një çështje shumë serioze, pasi këto çështje nuk gjejnë zgjidhje shpeshherë. Dhe mosgjetja zgjidhje e këtyre çështjeve, i detyron të moshuarit që të presin me orë të tëra nëpër korridoret e zyrave. Problemet e pensionistëve i dëgjon më shumë teksa afrohet në korridoret e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Pensionistët ankohen për vonesa për marrjen e pensioneve, për vonesa në nxjerrjen e librezave, po ashtu ankohen edhe për mosllogaritjen e mirë të shtesave të vogla që u janë bërë në masën e pensionit. Teksa i sheh të ulur nëpër korridoret e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ato e tregojnë se i lodh edhe pritja me orë të tëra pas dyerve të institucionit përkatës për procedurat e pensionit. Ata shprehen se si shpërblim për punën e tyre të dekadave të shkuara, sot po marrin radhët e pritjes dhe indiferencën e punonjësve. Në sytë dhe në fytyrat e tyre shihen rrudhat e moshës, të cilat ua  rëndojnë më shumë ditët e pritjes për të marrë ato pak lekë që u takojnë për vitet e tyre të punës që kanë bërë. Por për një shumicë të madhe të moshuarish nuk është e thënë që të marrin lekët dhe të gëzojnë të qetë ditët e pleqërisë së tyre për shkak të burokracive të pafundme që ndeshen sot nëpër dyert e këtij institucioni.

    Ish-ushtarakët, nuk marrin pensionin për vite me radhë

    Një problem më vete mbetet dhe marrja e pensionit të parakohshëm për ushtarakët. Në një vëzhgim që ka bërë gazeta “Telegraf” mori rrëfime nga më të ndryshmet nga ish ushtarakë që kishin me vite të tëra që presin për të marrë pensionin e parakohshëm që u takon për të marrë. Zonja me iniciale A.XH. ish-ushtarake, tregon për “Telegraf” se: “Unë kam dy vjet që i kam plotësuar kushtet për të marrë pension të parakohshëm, por edhe sot nuk kam dalë, për arsye të zvarritjeve të gjërave që bëjnë këto të Sigurimeve Shoqërore”. Zonja A.XH, tregon se dosjen e saj me dokumente e ka dorëzuar  që në muajin maj të vitit 2012 dhe ende është në pritje për të marrë një përgjigje. “Vij çdo muaj këtu që të interesohem, dhe erdha sërish sot dhe më thanë që dosja ime është bllokuar. Por ajo është bllokuar pa asnjë lloj arsyeje. Sepse po këto punonjës më kanë thënë muaj më parë që dosja është në rregull, por po vonohet për shkak të procedurave” shprehet A.XH. Një tjetër ish ushtarak, shprehet së nuk funksionojnë gjërat si duhet, vijmë interesohemi për muaj të tërë dhe ende na thonë që s’kanë ardhur dosjet.. “ Unë kam mbi dhjetë muaj që vij pothuajse çdo ditë të interesohem këtu dhe nuk ka dalë dosja më thonë. Dhe nuk kemi asnjë mundësi tjetër për të gjetur të drejtën tonë. Po na sorollatin pafund për të marrë masën e pensionit që na takon” shprehet I.M nga Tirana.

    Ankesa bëhen, ankesat nuk dëgjohen

    Në lidhje me ankesat pensionistët dhe kryesisht ushtarakët shprehen se nuk i dëgjon njeri fare. “Kemi bërë ankesa nuk na dëgjon njeri, as që i marrin fare parasysh ankesat tona” shprehet një zonjë që interesohej për marrjen e pensionit suplementar. Të moshuarit theksojnë se na marrin emrat në disa raste dhe shkruajnë ankesat që kemi, por vetëm në letër ngelen ankesat e tyre, pasi nuk i merr njeri në konsideratë. Por në këto zyra sipas pensionistëve mbarojnë punë ato që kanë njerëz të tyre dhe që vijnë rekomandime nga x apo y person. Persona të tillë vijnë dhe hyjnë pa radhë, mbarojnë punë dhe ikin, ndërsa pjesa tjetër duhet të vijnë të presin me orë dhe me ditë dhe përsëri nuk mbarojnë punë në këto zyra. Por kjo është një padrejtësi që u bëhet qytetarëve dhe të moshuarve, të cilët kanë punuar një jetë të tërë dhe sot në një moshë të tillë duhet të presin nëpër korridore për të marrë atë që u takon.