Si është festuar 28 Nëntori ndër vite

1579
Nga Ergys ALUSHI

Vijon nga numri i kaluar

28 nëntor 1932
Përvjetori i njëzetë i shpalljes së Pavarësisë, kishte në qendër të festimeve inaugurimin e varrit të ri të Ismail Bej Vlorës, të ndërtuar në lulishten e madhe të Vlorës, ku dikur kishte qenë shtëpia e lindjes e patriotit të madh dhe shtëpia e ngritjes së flamurit prej tij. Në orën 8 paradite të gjithë autoritetet civile e ushtarake, pi Mbretit, Gjeneral Gilardi, ministrat e qeverisë Hil Mosi e Milto Tutulani, përfaqësuesit e parlamentit Eshref Frashëri, Zoi Xoxa, Javer Hurshiti e Nush Bushati e të ftuar nga i gjithë vendi, shkuan në faltore për të bërë lutjet e zakonshme. Prej këtej shkuan në Sheshin e Flamurit, për ceremoninë e rastit e më pas morën rrugën për në fshatin Kaninë, ku do të kryhej ceremonia e zhvarrimit të Ismail Bej Vlorës dhe sjelljes së eshtrave të tij, në varrin e ri në Vlorë, vepër e Odise Paskalit. Në Kaninë, kur u hap arkivoli, trupi i njeriut që shpalli pavarësinë e Shqipërisë ishte ende i paprishur dhe shumë njerëz, sipas shtypit të kohës, bënë foto mbi trupin e heroit të tyre. Më pas trupin e vendosën në një arkivol të ri, të përgatitur enkas për këtë rast. Në këtë ceremoni është parë dhe është fotografuar për herë të fundit edhe Flamuri origjinal i ditës së 28 Nëntorit 1912. Flamuri iu dhurua prefektit të Vlorës, Abedin Nepravishta nga djali i Ismail Bej Vlorës, Et’hem Vlora, me dëshirën për t’ia dhuruar Ministrisë së Arsimit që të vendosej në Muzeun Kombëtar.

28 nëntor 1941
Prefektura e Vlorës priste nga Tirana programin e festimeve të ditës së 28 Nëntorit, me qëllim që të vendoste për masat që do të merrte për ruajtjen e qetësisë në qytet. Nga masat e marra kuptohej se autoritetet lokale të Vlorës, por edhe ato fashiste e kishin frikë festimin e 28 nëntorit nga populli i Vlorës. Për të shmangur çdo trazirë, kishte ardhur nga Tirana vetë kryeministri i kohës, Mustafa Kruja, i cili gjatë manifestimit të festës u fut në mesin e njerëzve, me qëllimin për të zbutur sado pak revoltën popullore që kishte filluar të ndizej përsëri në Vlorë kundër pushtuesit italianë, ashtu si në 1918-n e 1919-n. Por, gjatë manifestimit pati përleshje midis të rinjve të shkollës Tregtare dhe karabinierëve, të shoqëruara me arrestime të disa të rinjve. Të revoltuar nga këto arrestime, populli iu drejtua komandës së karabinierisë dhe e rrethoi atë me thirrjet për të liruar shokët. Në këto kushte, Mustafa Kruja u detyrua të shkonte vetë në karabinieri e t’i lironte të rinjtë e arrestuar. Në ceremoninë e Ngritjes së Flamurit, fjalën e rastit do ta mbante i riu Fejzo Gjomemaj, që do të arrestohej pas manifestimit nga karabinierët. Në një situatë të ngjashme do të festohej edhe 28 nëntori i vitit 1942, ku masat për kufizimin e festës, do të shkaktonin irritimin e vlonjatëve, të cilët me rastin e 30-vjetorit, do të ishin më të shumtë në numër.

28 nëntor 1945
Qyteti ishte zbukuruar qysh një ditë më parë, me flamuj, pankarta e harqe dafinash. Rrugët e dyqanet ishin ndriçuar më shumë sesa në ditë të zakonshme. Në ora 16, rinia dhe populli manifestoi nëpër rrugët e qytetit, duke kënduar e hedhur valle deri në orët e vona të natës.

Në mëngjesin e datës 28 nëntor, festa u çel nga 21 të shtëna topash. Në këtë kohë u zhvillua ceremonia e Ngritjes së Flamurit dhe në të gjitha faltoret e qytetit u kryen lutjet e rastit. Pas kësaj, njerëzit që numëronin rreth 8 mijë veta, u mblodhën para tribunës së ngritur në Sheshin e Flamurit dhe dëgjuan fjalët e rastit, ku i pari foli Sekretari i Komitetit ekzekutiv të Prefekturës, Spiro Rusha. Pas tij e mori fjalën Nënkryetari i KANÇ-it, Hasan Pulo, Komandanti i Brigadës së 12, Vehbi Hoxha dhe në fund Sekretari i Frontit Demokratik i Prefekturës, Sami Gjebero. Pas fjalimeve, u zhvillua parakalimi i pionierëve, punëtorëve të minierave të Selenicës dhe i grupeve të ndryshme të qytetit, për t’u mbyllur parakalimi me ushtarët e Brigadës së 12-të Sulmuese dhe të Batalionit të Parë të Mbrojtjes së Popullit. Festime për nder të kësaj dite u zhvilluan edhe në Nënprefekturën e Llakatundit, ku u mblodh populli i krahinës së Treblovës, Topalltisë dhe zona të tjera si edhe në nënprefekturën e Himarës.

28 nëntor 1962
Në datën 23 nëntor, Presidenti i Kuvendit Popullor me numër vendimi 145, vendosi që Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Këshilli i ministrave prej datës 26 nëntor deri në 30 nëntor 1962 të kryejnë funksionet e tyre në qytetin e Vlorës, ku u shpall Pavarësia Kombëtare më 28 Nëntor 1912. Me rastin e 50-vjetorit, qyteti i Vlorës u dekorua nga Presidiumi i kuvendit Popullor me titullin “Qytet Hero” për kontributin e dhënë në histori në lidhje me lirinë e Pavarësinë e vendit.

28 nëntor 1972
Me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, festimet në qytetin e Vlorës do të kulmonin me inaugurimin e Monumentit të Pavarësisë, që përkujtonte ngjarjen e madhe. Udhëheqësi komunist Enver hoxha bashkë me patriotët Qerim Muka, Mark Lugë Dukaj, Vesel Xhemal Rustemi, Ibrahim Çubali e të tjerë zbulojnë Monumentin e Pavarësisë, vepër e skulptorëve Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri. Në ceremoninë festive ndodhej edhe vajza e Isa Boletinit, Ajete Boletini dhe mbesa e patriotit, Sabrie Boletini

28 nëntor 1991
Me yll të kuq apo pa yll të kuq, do të ishte flamuri që do të ngrihej në 28 Nëntor në Vlorë? Afrimi i ditës së Pavarësisë po shoqërohej në qytet me debatin në lidhje me yllin e kuq në flamur. 

Në datën 21 nëntor, në bibliotekën e qytetit, të ftuar nga shoqata e të dënuarve politikë, përfaqësues të partive politike, Demokratike, Republikane, Social Demokrate, shoqatës “Çamëria”, Sindikatat e pavarura e të tjerë, vendosën njëzëri: “Flamuri në 28 Nëntor të ngrihet pa yll”. Komisioni i ngritur nga kjo mbledhje njoftoi Komitetin Ekzekutiv Pluralist të, personalisht kryetarin Mezan Malaj, i cili premtoi të kthejë përgjigje, por pasi të pyeste ata më “lart”. Deri në mëngjesin e ditës së 27 nëntorit, kur në Sheshin e Flamurit u mblodhën njerëzit për të parë provat për ngritjen e flamurit, në flamur vazhdonte të ishte ylli i kuq. I riu Xh. M. Ish- i burgosur politik, rrëmbeu flamurin, i grisi yllin dhe e la të ngrihej në shtizë. Ishte prologu i së nesërmes. 

Në 28 nëntor, komisioni i festës kishte vendosur që sipas traditës patriotike, për çdo betejë a ngjarje madhore, zgjidhte një djalë që të rridhte nga një familje dyfeku a rrënjë flamuri, siç u zgjodh këtë radhë nxënësi Altin Kokoshi, për të ngritur Flamurin kuq e zi të Ismail Bej Vlorës, ashtu si gjyshi i tij Qazim Kokoshi, delegat i Vlorës në Kuvendin e madh të shpalljes së Pavarësisë. Por, Komiteti Ekzekutiv kishte vendosur që flamurin do ta ngrinte kryetari Mezan Malaj. Në momentin që ky i fundit u drejtua për të kryer ngritjen e flamurit, që tashmë ishte pa yll, një grup të persekutuarish me në krye zotërinjtë Reshat Kripa e Fahri Shaska, nuk e lejuan ta kryente veprimin. Pas disa momenteve të tensionit, u vendos që flamuri të ngrihej nga nxënësi Altin Kokoshi, përfaqësues i familjeve të vjetra të Vlorës. Ceremonia vazhdoi me vendosjen e kurorave në varrin e Ismail Bej Vlorës si dhe fjalët e rastit në Sheshin e Flamurit.

28 nëntor 2012
100-vjetori I shpalljes së Pavarësisë e ka kthyer Vlorën në “Mekën” e shqiptarëve, që si kurrë ndonjëherë më parë ishin me mijëra e mijëra në qytet, duke mbushur plot e përplot, jo vetëm Sheshin e Flamurit, por edhe rrugët që të çojnë në shesh. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika do t’i deklaronte të çelura festimet për 100-vjetorin që në datën 24 janar, 10 muaj para, në një ceremoni në varrin e Ismail Bej Vlorës, me rastin e ditëlindjes së patriot të madh vlonjat. Megjithëse ka bërë thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve e faktorëve politikë në vend, përsëri edhe 100-vjetori nuk i ka shpëtuar incidenteve. Kështu, ndërsa dreka zyrtare e 100-vjetorit është shtruar nga bashkia ditën e 28 Nëntorit, Qeveria, një natë më parë në 27 nëntor, shtroi darkën zyrtare me rastin e festës, duke krijuar ndarje në protokollin e festës. Veprimtaritë kanë qenë të shumta e zgjatën me ditë të tëra, ku nuk kanë munguar përurime si ai i shtatores së Ismail Bej Vlorës e Isa Boletinit në skelë të Vlorës, dhënie tituj nderi nga bashkia personaliteteve të ndryshëm kombëtarë, ekspozita, festivale, koncerte e deri një natë e bardhë duke gdhirë midis 27 e 28 Nëntorit në rrugët kryesore të Vlorës. Për vlonjatët dhe jo vetëm, por për të gjithë shqiptarët që ishin ditën e 28 nëntorit në Vlorë, 100-vjetori ka për të mbetur Si dita më e bukur dhe patriotike në historinë e festimeve për nder të 100-vjetorit.

Festa e Pavarësisë dhe moti
Nëntori, muaji në të cilin kremtohet festa e Flamurit në qytetin tonë, është muaji me reshje dhe me temperatura të ulëta, kështu që edhe moti në këtë muaj ka të veçantat e tij.
Në ditën e Festës që daton në 28 të çdo muaji Nëntor, për 32 vite festa e Pavarësisë ka qenë e shoqëruar me reshje shiu, ku reshjet me intensitet dhe kohëzgjatje më të madhe kanë rënë në vitin 1962 (në festimet e 50-vjetorit), ku për 15 ditë rresht kanë rënë 244 mm reshje (gati e barabartë me mesataren e dy muajve).Ndërsa në harkun një mujor të po këtij muaji, sasia e reshjeve përbën një rekord absolut për gjithë muajt Nëntor në 50 vite, me 375.2mm (sasi që përkon me mesataren e tre muajve).Ndërsa muaji Nëntor i vitit 1965 shënon një dukuri të rrallë me fenomenin meteorologjik të breshrit, për pesë ditë gjatë gjithë muajit. Kurse dita më e ftohtë e 28 Nëntorit, ka qenë ajo e vitit 1972, ku temperatura minimale e asaj dite në qytetin tonë ka shënuar vlerën 1.3 °C. Në këtë ditë është inauguruar Monumenti i Pavarësisë. Dita më e nxehtë e 28 nëntorit edhe pse janë të rralla, është 28 Nëntori i vitit 1952 me vlerën maksimale 22.3 °C. Duke mos lënë pa shënuar në këto veçori meteorologjike dhe një ditë feste me erë të fortë në festimet e datës 28 Nëntor 1974, ku era në qytet ka arritur shpejtësinë 20m/s, gati 70km/orë, duke fryrë nga kuadrati Jug-Jugperëndim.
Sigal