Si do shpërndahen kuotat e mbetura tek Artet dhe e vërteta e rritjes së tarifës

    401
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, për problemet e vitit të ri akademik

    Universiteti i Arteve ashtu si mjaft universitete të tjera në vend ka pasur kuota të mbetura bosh nga faza e parë e regjistrimeve. Një fakt të tillë e bën të ditur për “Telegraf”,rektori i Universitetit të Arteve Prof. Petrit Malaj. Sipas zotit Malaj, këto kuota do të plotësohen në fazën e plotësimit të Formularit A3. Ndërkohë që do të merret edhe mendimi i Universitetit për shpërndarjen e këtyre kuotave. Një tjetër problem që ka shoqëruar fillimin e vitit akademik në Akademinë e Arteve ka qenë shtimi i tarifave për disa programe studimi. Kjo sipas rektorit Malaj është bërë pa dijeninë e Universitetit të Arteve. Por Ministria e Arsimit dhe Shkencës sipas rektorit është vënë në dijeni për këtë rast dhe normalisht që ka premtuar që do të ndryshohet tarifa e vendosur.

    -Zoti Malaj, sa kuota bosh kanë ngelur në Universitetin e Arteve, nga faza e parë e regjistrimit që është bërë?

    -Po, normalisht që ashtu si edhe vitet e tjera edhe këtë vit ka një numër kuotash që kanë ngelur bosh në Universitetin e Arteve. Kuotat janë në numër jo shumë të lartë për disa degë. Por di të them që pjesa më e madhe e kuotave është mbushur që në fazën e parë të regjistrimeve. Ndërsa tani po punohet nga ana jonë që të përgatitet numri i kuotave bosh dhe të plotësohen në fazën e tretë që do të jetë Formulari A3. Di të them këtë që kuotat që kanë ngelur bosh ne do ti shpërndajmë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Ne do ti dërgojmë të dhënat dhe më pas këto do të plotësohen në Formularin A3.

    -Duke qenë se universiteti i Arteve ka një specifikë në ndryshim nga universitet e tjera sepse bëhet me konkurrim. A do të ketë ndonjë kusht për shpërndarjen e këtyre kuotave?

    – Shpërndarja e kuotave do të bëhet edhe për nivelin e “Bachelor” dhe për sistemin e Masterit. Kemi kuota mjaftueshëm edhe në master dhe në “Bachelor”. Por për shpërndarjen e këtyre duhet të merret edhe vendimi fakulteteve. Dhe në këtë kuadër ne do ti dërgojmë konkurruesit aty ku kanë dalë më mirë. Kjo pra bëhet edhe për specifikën e veçantë që ka Universiteti i Arteve. Por nuk ka ardhur momenti akoma, pasi ne kemi dërguar propozimet për master edhe për “Bachelor”, por që nuk na ka ardhur ende vendimi për këtë. Është ende shpejt dhe normalisht jemi në fillim të vitit akademik dhe për këtë them që ka ende kohë. Megjithatë, ne po punojmë dhe po bashkëpunojmë me institucionin përkatës në lidhje me këtë.

    -Viti akademik ka filluar me një problematikë në lidhje me tarifat për universitetin e Arteve. Më të na thoni diçka më shumë në lidhje me tarifat. Përse janë rritur ato nga Ministria e Arsimit?

    -Në gjashtë programe studimi në Universitetin e Arteve nuk është ajo tarifë që ne kemi propozuar. Në fakt ka një mungesë argument nga personat të cilët mund të kenë punuar me këtë vendim qeverie. Është një çmim që në krahasim me gjithë programet e tjera të studimit ka një dallim goxha të madh. Flitet për rreth 90 mijë lekë të reja për të dy vitet e studimit, pra për 45 mijë lekë më shumë për një vit studimi dhe për 45 mijë lekë për vitin tjetër të masterit. Ka një logjikë kur rritet një tarifë studimi, ka një anë sociale sepse jetojmë në këtë vend dhe i dimë mundësitë që kanë familjet shqiptare, familjet e studentëve që vijnë këtu.

    -Çfarë përgjigje keni marrë nga thirrja që i keni bërë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për rritjen e tarifave?

    -Po ne pas konstatimit të këtij problemi i kemi bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ta riparë këtë tarifë që është më e lartë se ajo që kemi propozuar ne për disa nga degët e universitetit tonë. Kemi marrë një përgjigje zyrtare pas thirrjes tonë. Ministria e Arsimit na ka premtuar se do të rishikojë tarifat e masterave në universitetin e Arteve.

    _________________________________________________________________________________________________

    TARIFA E LARTË, E PAPËRBALLUESHME NGA STUDENTËT

    Një tarifë e lartë do të bënte që një program studimi të mbyllej dhe ne nuk do të funksiononim si universitet. Rritja është bërë në 6 programe master, 5 në fakultetin skenik dhe një në atë të muzikës, tarifa e masterit kishte pësuar një rritje gati dyfish, ndërkohë që propozimi i tyre ka qenë ai i një viti më parë. Ne i bëmë thirrje ministrisë së Arsimit të rishikojë vendimin, pasi në të kundërt rrezikohen programet e studimit, të cilat për shkak të çmimit të lartë mund edhe të mbyllen.

     ________________________________________________________________________________________________

    QEVERIA, DYFISHON TARIFAT PËR T’I DHËNË PRIORITET PRIVATIT

    Cilësia e arsimit publik në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, kjo dhe për shkak të abuzimeve që po bëhen çdo ditë nga shteti në kurriz të studentëve. Rasti më i afërt është rritja e tarifave jashtë kufijve të normales. Një papërgjegjshmëri dhe një abuzivizëm të tillë po e vuajnë në këtë fillim të vitit akademik studentët e masterit në Universitetin e Arteve të cilët  janë përballur këtë vit akademik me rritje të tarifave të programeve të studimit. Janë të paktën 6 programe, tarifat e të cilave janë rritur dyfish krahasuar me një vit më parë. Dhe për më tepër kjo nuk ka asnjë shpjegim se përse është bërë dyfishimi i tarifave, në një moment që dihet niveli jo i mirë ekonomik i shumë familjeve. Është një çmim që në krahasim me gjithë programet e tjera të studimit ka një dallim goxha të madh. Flitet për rreth 90 mijë lekë të reja për të dy vitet e studimit, pra për 45 mijë lekë më shumë për një vit studimi dhe për 45 mijë lekë për vitin tjetër të masterit. E normalisht që kjo rritje gati dyfishe ndikon ndjeshëm buxhetin e studentëve dhe familjeve të tyre. Por pas saj fshihen interesa klienteliste që kanë lidhje me universitetet private në vendin tonë. Por përse duhet një tarifë aq e lartë në një universitet publik? Si do ta përballojnë këtë tarifë në një periudhë krize ato familje që duhet të dërgojnë fëmijët e tyre për tu shkolluar? Asnjë shpjegim nuk ka dhënë qeveria, për këtë rritje dhe normalisht që nuk ka ndërmend që të japë ndonjë sqarim se ku do të shkojnë këto lekë nga dyfishimi i kësaj tarife, që ka shkuar në stratosferë. Por a e ka marrë parasysh shteti që rritja e kësaj tarife mund të bëhet shkak dhe për mbylljen e programeve, për shkak se të rinjtë do të refuzojnë të ndjekin studimet në këto degë, duke qenë se nuk përballojnë çmimet?. Apo as kjo nuk i intereson, sepse në fund të fundit ka universitete private në vend sa të duash, që kërkojnë të mbushin auditorët e tyre me studentë.  Ndërkohë që ditën e djeshmë këshilli i ministrave ka bërë disa ndryshime në për kuotat dhe tarifat për arsimin e lartë publik, por nuk dihet nëse janë marrë në konsideratë kërkesat e bëra nga Universiteti i Arteve për ndryshimin e tarifës që është dyfishuar/    F.B