Si dhe a do të zbatohet kodi rrugor në Sarandë?!

    35

    Projektligji i fundit i qeverisë, i miratuar ne Komisionin e Ligjeve të Kuvendit Popullor, mbi ndryshimet në Kodin Rrugor, parashikon ndër të tjera edhe rritjen e vlerës së gjobave për kundravajtësit. Është e qartë se situata në akset rrugore të Shqipërisë ka përmasa shqetësuese, tragjike dhe alarmuese deri në bilance më të mëdha se të një beteje lufte. Rrugët përgjaken përditë duke shtuar edhe lapidarët anës tyre. Kjo mund ta frenojë deri diku këtë situatë. Por, ajo që është më shqetësuese është vetë policia që nuk po kryen detyrën e saj dhe mungesa e sinjalistikës rrugore. Pse e themi këtë? Nuk e themi për kontestim dhe as për të nxirë punën e uniformave blu, por nisur nga ajo që ndodh në fakt. Nuk e di situatën në qytete të tjera të Shqipërisë, por po marr Sarandën. Në projektligjin e ri thuhet se për shkelje semafori gjoba shkon deri në 500 mijë lekë. Shumë mirë! Edhe më e ashpër duhej, por Saranda vajti 23 vjet që rënkon nga sëmundja e semaforëve, që kanë ngelur si relike të kohës së socializmit jashtë funksionit të tyre, aq sa herë -herë janë kthyer edhe në elementë të situatave qesharake me turistët e huaj, të cilët të edukuar me respektimin e rregullave, presin gati me orë të tëra ndezjen e dritës jeshile për kalimtarët. Çdo vit e nga të gjitha forcat politike në fushata elektorale premtohet përmirësimi i situatës sinjalistike dhe orientuese, miliarda lekë janë hedhur, por asgjë nuk ka vajtur në shërbim të qytetarit, deri sa sikur të mos i mjaftonte kjo, i kanë zënë edhe hapësirën e trotuarit, duke shtuar rrezikun për jetën nga automjetet. Një tjetër penalizim është edhe heqja e patentës për një vit dhe burgosje drejtuesish të automjeteve kur janë të dehur. Parimisht e pakontestueshme. Por, faktet na japin të drejtën e komentit se si po veprohet aktualisht, kur në qytetin e Sarandës është e pamundur të ecësh me këmbë trotuareve në afërsi të shkollave të qytetit, pasi adoleshentë, të papajisur me leje aftësie, guidojnë mjetet me shpejtësi marramendëse, pa përmendur skarpamentot e çara dhe kasetofonat që çorodisin qytetarët deri në rrezikshmëri të jetës dhe pengojnë realizimin e orës së mësimit. Kush i lejon këta dhe kush e ka penguar policinë të kryejë detyrën? Të merr malli të shohësh uniforma blu pranë shkollave dhe vendeve problematike. Në konfidencë të thonë se ata janë djemtë e “të fortëve” dhe penalizimi i heq nga puna. Pra, sheti duhet ta nisë nga vetja në përmirësimin e infrastrukturës dhe certifikatës së sigurisë së vendit të punës për punonjësit që kryejnë detyrën, pasi kjo, mendoj, se është primare për situatën që përjetohet në akset rrugore dhe qendrat urbane. Mund të përmendim dhe të japim shembuj të tjerë, por për të mos e nxjerrë shtëpinë fare pa çati, po themi se duhen marrë masa tek infrastruktura dhe garancia e zbatimit të ligjit. Pra, edhe njëherë bëjmë retorikën: Si dhe a do të zbatohet në këto kushte Kodi i ri Rrugor, në qytetin e jugut shqiptar, Sarandën?! Shpresojmë në përmirësimin konkret të situatës dhe jo të performancës ligjore të hedhura në letër e të miratuara e të firmosura nga instancat shtetërore.

    Agron MEMA