Shumica e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të kryeqytetit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm

    348
    Edhe pse premtimet kanë qenë të shumta nga ana e kësaj qeverie, më së shumti nga ana e Ministrisë së Arsimit për përmirësimin e kushteve në shkolla, përsëri realiteti në shkollat e vendit është mjaft i hidhur. Kur premtimet e drejtuesve tanë flasin për “shkolla dixhitale”, në disa shkolla të vendit ende nuk plotësohen kushtet më minimale, as ajo e furnizimit me ujë të pijshëm brenda ambienteve të shkollave. Mungesa e fondeve për rikonstruktimin e disa shkollave, ka bërë që gjendja të mos jetë ajo që flitet nga drejtuesit tanë çdo ditë, të veshur me kollare dhe këpucë të lustruara në deklaratat para mediave, por të jetë një realitet komplet ndryshe, si e përditshmja e nxënësve në shkollën vjeçare “Bardhaj”në Shkodër, të cilët nuk kanë parë një herë të vetme të rrjedhë uji në rubinetet e shkollës, të detyruar nga kjo situatë, ata mbushin ujë në pusin pranë shkollës.Vetë drejtoresha e kësaj shkolle, Tereza Brixha, shprehet pa frikë, se ka dërguar kërkesë në institucionet përkatëse në vend, duke filluar që nga Drejtoria Arsimore, për të përfunduar deri tek kreu i qeverisë, por deri më tani asnjë përgjigje nuk ka marrë, duke lënë këtë shkollë, dhe shumë të tjera si këto në vendin tonë në harresë të plotë. Asnjë fond nuk është akorduar këtu prej disa vitesh, tregon drejtoresha e kësaj shkolle, dhe nuk dihet ende se çfarë do ndodhë. Problem është dhe mungesa e kontrollit të ujit nga Drejtoria e Shëndetit Publik, e cila nuk ka shkelur asnjë herë në këto vise, shprehet drejtoresha, duke rrezikuar në të njëjtën kohë dhe jetën për shkak të cilësisë së ujit. Por gjendja e tillë, e cila të kthen shekuj pas, nuk është vetëm në këtë shkollë, por dhe në shumë shkolla të tjera, madje dhe në kryeqytet, ku shumë shkolla 9-vjeçare, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm brenda shkollave, për të mos folur për rrethet, ku situata përkeqësohet akoma më shumë, ku problem nuk është vetëm uji i pijshëm, por duke filluar që nga kushtet e shkollave dhe klasave ku zhvillohet mësimi, procesi mësimor, për të vazhduar më pas me tualetet, të cilat në rastin më të mirë janë të vendosura disa metra larg shkollave, e shumë probleme të tjera si këto, mungesa e teksteve, problemi i transportit për nxënësit e rretheve, dhe që kjo e fundit duhet të paguhet nga vetë nxënësit. Si këto probleme të përditshme ka dhe shumë të tjera që rrëzojnë poshtë të gjitha premtimet e drejtuesve, të cilët nuk duan të shikojnë realitetin që i rrethon, por ngushëllohen me faktin se 3 apo 4 iPad të dorëzuara në një shkollë dhe tashmë thuhet se këtu nga sot e tutje do zhvillohet mësimi në mënyrë dixhitale. Kur dihet fare mirë, se realitetet është mjaft i hidhur për këta fëmijë, të cilët nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë këtë realitet dhe tu gëzohen premtimeve të drejtuesve tanë nga televizori, që dhe ky i fundit … është bardh e zi.
    Sigal