Shumë arsye për të munguar në takimin me Majkon

    683
    Letër për ministrin e Shtetit për Diasporën, i cili vizitoi Britaninë e Madhe dhe takoi komunitetin shqiptar 
    I nderuar z. Ministër i Diasporës, Pandeli Majko
    Më falni z. Ministër, më falni që nuk erdha t’iu dëgjoj ashtu siç erdhën shumë nënshtetas shqiptaro-britanikë, studentë, nëpunës të ambasadave, avokatë, ekonomistë, etj. Unë nuk munda, ehhh nuk munda pasi:
    -jam pa dokumente dhe kam frikë të udhëtoj, 
    -jam me fëmijë të vegjël dhe pa dokumente, 
    -jam i papunë,
    -jam në depresion, se kam humbur familjen,
    -jam në burg,
    -jam në refugee (kamp) nga dhuna në familje,
    -jam vetëm dhe kam pirë, ehhhh kam pirë se i vetmuar po ndjehem, 
    -jam në burg, pasi më kapën duke punuar me dokumente false,
    -jam në “detention centre”, nuk e fitova azilin, 
    -jam i pastrehë dhe fle në rrugë, 
    -jam në spitalin psikiatrik,
    -jam në “foster care” dhe nuk po kuptohem me këta të shtëpisë,
    -sapo jemi zënë me disa racistë,
    -jam i papunë, 
    -jam i vjetër dhe nuk di të udhëtoj, 
    -sa kam ardhur nga Italia, Greqia, më duhet punë, nuk kuptoj si funksionin kjo shoqëri e re, 
    -po punoj në lavazh sot, është dita ime më e lodhshme,
    -nuk kam informacione si të ndërtoj jetën në këtë qytet.
    Më thanë se folët për diasporën? Për planet tuaja për një diasporë më të fuqishme dhe më aktive? Iu lumtë që erdhët të komunikoni me diasporën. Po për mua? Për hallet e mia, a folët gjë? A mori dikush guximin të flasë e të të tregojë për jetën time??? Po për nënën time të mjerë, që edhe lotët i janë tharë nga malli dhe pret nga unë t’i dërgoj ndonjë të hollë për të blerë miellin apo pret të dëgjojë zërin tim, që unë jam mirë, a folët gjë???? E di do të më thoni është faji im!!!!! 
    -Vetë e lashë vendin,
    -Vetë ika ilegalisht, 
    Ehhh po faji im është i tëri. I rrezikuar, i dëshpëruar, i pashpresë, i pafat, i zhgënjyer, nuk gjeta zgjidhje tjetër, vetëm të largohesha. E mora rrezikun në sy dhe u largova ilegalisht. Po iu tregoj, se pse e bëra një gjë të tillë, jo se ju nuk e dini, por vetëm ta dëgjoni edhe një herë para se të më gjykoni apo të merrni vendimin e gabuar:
    -Nuk e mbroja dot fëmijën tim nga rreziku, gjakmarrja, krimi,
    -Nuk pata lekë të blej vendin e punës, 
    Nuk pata lekë të siguroj jetën e fëmijës, 
    -Nuk pata lekë ta rris fëmijën tim me vlera e shpresë, 
    -E ndarë nga burri, besova në një jetë më të mirë dhe jo paragjykuese,
    -Më bënë të besoj që jashtë është parajsë dhe lekët bien nga pemët si gjethe,
    Më gënjyen, trafikuan. Prindërit më nisën, pasi në gjak u futëm për një rrip toke. Më rrihte babai dhe nuk kisha ku të shkoja. Ndërsa mua më martuan, më thanë është burrë i mirë, jeton në Angli e kupton Angli, dhe unë erdha për të gjetur burrin tim tek punonte nga 12 orë, vinte i lodhur pa fund dhe nuk kishte as dokumente – ohhhhh jetoj me frikë çdo ditë. E një shoqen time burri e rreh çdo ditë dhe ajo nuk raporton dot se nuk ka letra, nuk ka ku të kthehet. Lutem çdo ditë që mos ta mbysë fatkeqen.
    -Erdha se isha gay dhe babi më nxori jashtë,
    -Erdha se u dashurova në moshë të re dhe babai më tha – larg syve të mi,
    -Ferexhe deshi babai të më vishte.
    Erdhaaaaaa……. E tashmë nuk kthehem dot. Ju e dini që nuk kam ku të shkoj. Zoti Ministër, në Shqipëri nuk më ndihmove dot, por të lutem tashmë që je ministër i Diasporës, a mund të më ndihmosh? Nuk m’i dëgjove dot hallet në Shqipëri, a ka mundësi të më dëgjosh tani? Besoj e dini ç’do të thotë të vish ilegalisht. Natës së varrit do t’ia tregoj vuajtjet. Jam me fat që jam gjallë dhe nuk përfundova si ca të tjerë në fund të detit, apo e djegur në maune, apo i vrarë se nuk paguaja dot lekët e duhura, apo e vrarë se po na ndiqte policia. Kam nevojë për shpresë dhe për ndihmë konkrete, z. Ministër. Sot ju jeni një ndër njerëzit më me peshë për të më mbrojtur mua, mua që jetoj në diasporë. Dëgjova se do të jeni në Parlament – a mund ta çosh edhe zërin tim atje të lutem? 
    Më ndihmoni:
    -të legalizohem, 
    t-ë jem i sigurt,
    -të udhëtoj si çdo njeri, ja ashtu siç udhëtoni ju, 
    -të punoj me ndershmëri, 
    -të ndërtoj një jetë me vlera, 
    -të matem me aftësitë e mia, jo me lekët që ai tjetri jep, 
    t-ë ëndërroj,
    të respektohem, 
    -të edukohem, 
    -të mësoj si të komunikoj e të mos ofendoj, lëndoj, vras dikë, pasi nuk bie dakord, 
    -të jetoj në harmoni,
    -të besoj në ligj, 
    -të besoj në shtet.
    E di detyra ju bën të thoni se është faji im që u largova ilegalisht – por unë iu them se është po aq faji i politikës së vendit tim që nuk më la zgjidhje tjetër apo nuk mundësoi, edukim, punësim jashtë shtetit për të gjithë. Është e vërtetë, e lashë vendin tim të bukur që e dua shumë, shqiponja rri bukur në varësen që nuk e heq nga qafa, të cilën e kam edhe tatu, e nuk lë askënd të ma shajë vendin tim të bukur apo prejardhjen time, në burg shkoj për besë, edhe shokun nuk e le të ma rrahin, shajnë, bashkë me të jetën jap… ndoshta në burg përfundoj e ndoshta humb shansin të të takoj edhe herën tjetër, ndoshta kurrë nuk do të mësoj se çfarë ju bëtë për mua. Nëse ju do të shkoni në Parlament; Iu lutem dëgjojeni zërin tim të dobët të largët – iu kujtoj unë jam qytetari yt, vëllai yt. Kërko të gjesh një zgjidhje të drejtë edhe për mua, për mua që nuk erdha dot sonte t’iu takoj. Mos më gjyko! Kërko të më kuptoni dhe të bësh të tjerët të më kuptojnë, kërko të më rikthesh shpresën e humbur – më trego që edhe unë vlej. Mendo për mua sikur të isha vëllai, motra, fëmija, i afërmi, nëna juaj dhe bëj gjithçka për të më MBROJTUR EDHE MUA, NDIHMUAR EDHE MUA, pavarësisht se nuk jam profesionist doktor, biznesmen, inxhinier, mësues, intelektual sot, pavarësisht se unë nuk munda të vij sot, pavarësisht se nuk ekzistoj në këtë vend, pavarësisht se nuk më mbrojtët dot kur isha në vendin tim. E nëse ju nuk doni që të tjerë të bëjnë zgjidhjen që bëra unë, dëgjojeni zërin tim, dhimbjen time, arsyet e mia dhe punoni për të ndërtuar një Shqipëri, ku jeta është e sigurt dhe ka vlerë, ndërtoni një Shqipëri me shpresë, me vlera, me mundësi, ku çdo njeri respektohet, ku ka barazi dhe mirëkuptim në çdo fushë, një Shqipëri që i përket të gjithëve dhe e duam të gjithë, ku ligji respektohet dhe nuk blihet, ku jeta e çdokujt ka vlerë, ku çdokush matet me aftësitë dhe jo me miqësinë, përgjegjësia për të ndërtuar vendin është e përbashkët.
    Publikuar nga “Shpresa Programme”, organizatë bamirësie me qendër në Londër
    Sigal