Shuhen ëndrrat për Botërorin, Shqipëria “ngrin” në Islandë

484
Sigal

Kupa e Botës/ Islandë-Shqipëri 2-1. Asnjë pikë, në dy ndeshje. Tani jemi në vendin e pestë

Një mbrojtje tërësisht e pavëmendshme dhe e shthurur taktikisht dënoi sërish Shqipërinë, në humbjen 2-1 me Islandën në Reikjavik e që pasoi atë të së premtes së kaluar me Slloveninë (1-0) në Lubjana. Dy humbje të rënda për Kombëtaren tonë që, tani e sheh veten në vendin e pestë dhe me shpresat tepër të pakta për të kapur vendin e dytë. Zero pikë në dy ndeshje, teksa ishin premtuar gjashtë të tilla, fajësojnë direkt trajnerin Xhani De Biazi për zgjedhjet e tij, teksa u pa sa pa gjigantin Mërgim Mavraj mbrojtja jonë është tepër e brishtë. Faji kryesor bie mbi kapitenin Lorik Cana, në një nga ndeshjet e tij më të dobëta në 69 aktivizime me kuqezinjtë, që e bëjnë atë lojtarin e gjashtë më shumë paraqitje me fanellën e Kombëtares. Islanda e dominoi takimin dhe fitoi dhe tashmë e sheh veten në vendin e dytë me 13 pikë, pesë më pak se Zvicra. Në minutën e 5-të, gjatë një rivënie anësore të Islandës, mbrojtja jonë spastroi zonën, por topi mbërriti te Sigurdson, që me një gjuajtje në rrotullim e sipër nga rreth 17 metra vendosi në provë Etrit Berishën, me portierin shqiptar që grushtoi mrekullisht me një kërcim akrobatik. Edhe një herë tjetër, portieri i ri i Lacios dëshmoi se është një nga pikat më të forta të Kombëtares sonë. Në të 9’, një kundërsulm i shpejtë i Kuqezinjve rezultoi efikas, kur pasimit të zgjuar të mesfushorit të Torinos, Migjen Bashës, iu përgjigj me një gol model për nga ekzekutimi i Valdet Ramës. Një diagonale e fortë nga rreth 18 metra e mesfushorit të Real Valadolidit në kampionatin spanjoll, që shënoi kështu golin e tij të tretë në pesë ndeshje me Kombëtaren, duke u barazuar kështu me Zihni Gjinalin, Mehdin Zhegëm, Muhedin Targajn, Bedri Omurin, Altin Lalën, Altin Haxhin, Florjan Myrtajn. Goli i Ramës ishte i 241-ti i Kombëtares sonë në 273 ndeshje ndërkombëtare, përfshirë dhe miqësoret. Pas pësimit të golit, Islanda pati një rast të pastër, por këmba e Berishës i tha “jo” islandezëve, duke dëshmuar se është ai shansi i madh i portës sonë, të paktën deri kur në minutën e 14-të, kur mesfushori Bjarnason, i cili shënoi edhe golin e parë në “Qemal Stafa” në humbjen 2-1 në ndeshjen e parë, realizoi me portën thuajse të boshatisur pas një gabimi flagrant të mbrojtjes sonë. Pjesa e dytë nisi me një gol të shpejtë të Islandës, kur pas një aksioni të shpejtë nga krahu i djathtë i “peshkatarëve”, Savarson fitoi një duel shpejtësie me Andi Lilën, krosoi ulët në vijën fundore, kapiteni Lorik Cana u tregua i pavëmendshëm, ndërkohë që Sigporson i shpëtoi mbulimit të Admir Telit duke realizuar nga një distancë prej pesë metrash golin e dytë në minutën e 47-të. 2-1 për Islandën! Dy gabime të mbrojtjes, ashtu si në Slloveni. Mungesa e mbrojtësit Mërgim Mavraj është e dukshme dhe peshon shumë në Kombëtaren tonë. Paqartësi në mesfushë dhe teprim me veprime individuale të lojtarëve, pasiguri në mbrojtje dhe aspak efikasitet në sulm. Kjo ishte tabloja e pjesë së dytë. Me gjithë zëvendësimet e Bashës me Bulkun (64’), Çanit me Januzin (64’) dhe Dallkut me Gjasulën (82’), asgjë nuk ndryshoi në lojën tonë. Në dy ndeshjet e fundit, Shqipëria do të presë Zvicrën në Tiranë (11 tetor, humbëm 2-0 në Gjenevë), për ta mbyllur me Qipron (15 tetor, fituam 3-1 ndeshjen e parë).

 3 gola

ka shënuar mesfushori Valdet Rama në 5 ndeshje me Kombëtaren: me Norvegjinë (1-1, zyrtare), Armeninë (2-0, miqësore) dhe Islandën (humbje 2-1, zyrtare). Goli i Ramës ishte i 241-ti i Kombëtares sonë në 273 ndeshje ndërkombëtare, përfshirë dhe miqësoret.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Ndeshjet, 10 shtator 2013

Norvegji-Zvicër      0-2

Qipro-Slloveni       0-2

Islandë-Shqipëri           2-1

RENDITJA

1 Zvicra        8    14:5       18

2 Islanda       8    14:14      13

3 Slloveni      8    11:10      12

4 Norvegjia     8    9:9        11

5 Shqipëria     8    8:9        10

6 Qipro         8    4:13       4

Ndeshjet e mbetura

11 tetor

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

Slloveni-Norvegji

 

15 tetor

Norvegji-Islandë Qipro-Shqipëri Zvicër-Slloveni

 Rregullorja për vendin e dytë

 Teksa kanë mbetur edhe dy ndeshje për të konfirmuar kombëtaret kualifikuese në Botërorin 2014, FIFA në bazë të statuteve dhe rregullave të një evenimenti botëror ka nxjerrë në pah dhe kriteret që do vendosin për renditjen e përfaqësueseve në grup. Në ndryshim nga evenimentet e tjera ndërkombëtare, në eliminatoret e Botërorit kriteri numër një është golavarazhi dhe jo ndeshjet direkte. Ja cilat janë rregullat e renditjes në grup:

1. Numri më i madh i pikëve në të gjitha ndeshjet

2. Diferenca e golave e të gjitha ndeshjeve

3. Duelet direkte, në rast barazimi me pikë dhe gola.

 Foto Lajm

Skuadra që mundi Islandën në vitin 1991

 22 vjet më parë ky ekip triumfonte ndaj Islandës me rezultatin 1-0, falë një goli të rrallë mjeshtëror të dinamovitit Eduard Abazaj në minutën e 65-të. Ndeshja ishte e vlefshme, për eliminatoret e Euro 1992, dhe u luajt më 26 maj 1991 në “Qemal Stafa”, në praninë e rreth 5000 mijë shikuesve. Në atë takim, Shqipëria luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 77-të, pas kartonit të kuq të marrë nga kapiteni Sulejman Demollari. Skuadra drejtohej nga trajneri Bejkush Birçe. Formacioni: Nallbani; Ocelli, Daja, Shpuza, Demollari, Lekbello, Millo, Milori, Memushi (17’ Josa), Kushta. Shqipëria ndodhej në grupin 1, së bashku edhe me Islandën, Francën, Çekosllovakinë dhe Spanjën, kjo e fundit na mundi 9-0 (katër gola Butraguenjo), çka është dhe humbja më e thellë në ndeshjet zyrtare (në miqësore është ajo 12-0 me Hungarinë).

Drejtori i Kievos, Xhovani Sartori, pretendon se portieri i Kombëtares shqiptare është i tyre

 Deklaratat e Berishës

shkaktojnë polemika te Lacio

 Deklaratat e Etrit Berishës dhënë mediave suedeze dhe të përcjella më pas edhe në Itali kanë shkaktuar jo pak polemika te Lacio. Portieri shqiptar i Kombëtares firmosi ditët e fundit me skuadrën ku aktivizohet Lorik Cana, duke lënë Kalmarin e Suedisë. Deklaratat e tij se, portieri titullar Federiko Marketi mund të shitet nëse i vjen një ofertë e mirë financiare, kanë turbulluar ambientin në “Formelo”, qendrën stërvitore të Lacios. Rikardo Budini, ish-portier i Lacios në vitet ’70, tha për mikrofonat e “RadioSei”: “Mendoj se, çfarëdo tipi klubi me lojtarë të rëndësishëm që merr një ofertë thelbësore mund të mendojë për një shitje. Një portier si Marketi, i cili qëndroi i mbyllur një vit te Kaljari, mendoj se ka sjelljen e një “shurdhi”, për atë që përflitet rreth tij. Për të flet fusha, nuk ka pasur kurrë gabime të mëdha, ndërsa edhe në Kombëtare ka bërë figurën e tij të respektuar. Është një lojtar dhe një njeri me vlera shumë të qarta. Marketi do të luajë gjithmonë në vendin e tij, me stimuj për të bërë mirë”. Etrit Berisha do të jetë portieri i dytë i Lacios, pas Marketit, por mundësitë për ta parë gardianin e Kombëtares sonë si numrin 1 janë të shumta.

KIEVO

Etrit Berisha do të skualifikohet për një periudhë të caktuar kohore, sepse për të janë depozituar dy kontrata në Federatën Italiane të Futbollit, me Lacion dhe me Kievon. Kështu shprehet drejtori sportiv i skuadrës veroneze, Xhovani Sartori, i cili ka gjithashtu bindjen që nga muaji janar, portieri i kombëtares Shqiptare do të jetë I detyruar të mbrojë portën e Kievos.

“Berisha është lojtari ynë, pasi ka nënshkruar një kontratë në një kohë dhe në mënyrë të tillë që e lejon edhe ligji sportive ndërkombëtar. Nuk duam të polemizojmë me Lacion, madje mund të them se mes raportet mes presidentëve Lotito dhe Kampedelli janë të shkëlqyera”. Sartori hedh poshtë pretendimet e 25-vjecarit në lidhje me mungesën e një përkthyesi në momentin e firmosjes së kontratës me Kievon. “Mungesa e përkthyesit në momentin e firmës? Nuk është ky problem, aq më tepër që prania e përkthyesit nuk është e detyrueshme. Ne firmosëm me Berishën sepse kontrata e tij me skuadrën suedeze ishte drejt skadencës, luan me kombëtaren e Shqipërisë dhe ka një profil të përshtatshëm për Kievon. E presim në janar që të jetë në konkurrencë me Puxhonin dhe vetëm paraqitjet në fushë do të vendosin se cili prej tyre do të jetë titullar”.