Shtyhet Asambleja e Federatës së Çiklizmit

631
Sigal

 Presidenti i ri zgjidhet, më 27 dhjetor. Ministria e Sporteve ka marrë të gjitha masat e nevojshme

 Edhe pse ishte programuar dhe paralajmëruar për t’u zhvilluar dje Asambleja Zgjedhore për presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit (FSHÇ), ajo nuk u krye. Burime për gazetën “Telegraf” thanë se, ajo u shty për arsye teknike (për pagesën e licencimeve të klubeve), por ajo nga ana tjetër zbuloi paaftësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për të menaxhuar Asamblenë e mëparshme Zgjedhore (të 10 nëntorit), kjo e vetëpranuar publikisht (për mediat) nga përfaqësuesi i Ministrisë, pas dështimit për shkelje procedurash të Asamblesë së parë.

SHTYRJA E ASAMBLESË – Gjithçka ndodhi sipas një vendimi të kryesisë së dalë nga zgjedhjet e Asamblesë së 10 nëntorit, anëtarët e së cilës, të mbledhur më 5 dhjetor, kanë vendosur që ajo të zhvillohet më datë 27 dhjetor 2012. Këtë e konfirmoi Sekretari i Përgjithshëm i FSHÇ-së, Alfred Tahiraj. Procesverbalin e kryesisë së re e kanë firmosur edhe katër anëtarët e tjerë, Bashkim Guma, Shefqet Dervishi, Genci Angjeli dhe Palion Zarka. Në vendimin e saj, Kryesia konfirmoi edhe faktin se, do të zhvillojë një tjetër mbledhje më 17 dhjetor, ku sipas saj, do të shqyrtojë kandidaturat e ardhura për president, për t’i paraqitur më pas në asamblenë e 27 dhjetorit. Në fakt, kundër shtyrjes ishte Federata Shqiptare e Çiklizmit, e cila këmbënguli që të zhvillojë asamblenë zgjedhore më 10 dhjetor, ashtu siç kishte planifikuar disa javë më parë, pasi u anulua asambleja e parë. Por, ajo nuk u zhvillua, dhe pse ishte vendosur të kryej dje në një nga sallat e Hotel “Tirana International”. Është shumë i paqartë roli që kryen si moderatore Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por fakti që një asamble e programuar shtyhet për një datë tjetër (17 ditë me vonesë), nuk lë një shije të mirë. Sipas procesverbalit të kryesisë së re së FSHÇ-së, kandidaturat (e reja) për president do të vijnë brenda datës 14 dhjetor, ndërsa me verifikimin e tyre do të merret sekretari i përgjithshëm (Alfred Tahiraj). Klubet dhe shoqatat çiklistike do të sjellin kandidatët për postin e presidentit.

 ASAMBLEJA E PARË – Ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit dhe një nga kandidatët për këtë post në zgjedhjet e 10 nëntorit, Skënder Anxhaku, menjëherë pas përfundimit të Asamblesë Zgjedhore ku fitues doli kandidati Ervin Lika, deklaroi se, janë konstatuar shkelje, çka sipas tij e bëjnë të pavlefshëm  rezultatin e votimit. “Pas konstatimit nga ana jonë të shkeljes së statutit nga kandidati tjetër me shmangien e raundit të dytë, pasi nuk u arritën 2/3-at e votave të delegatëve, Ministria e Sporteve ka vendosur anulimin e këtij procesi dhe mosnjohjen e forumeve drejtuese të saj. Veç institucionit më të lartë të sporteve, edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk e njeh si asamble dhe ka propozuar zhvillimin e një asambleje tjetër. Pas këtij rekomandimi, unë me autoritetin e presidentit kërkova mbledhjen e kryesisë së Federatës dhe vendosëm që më datë 10 dhjetor të zhvillohet asambleja zgjedhore. Me këtë rast kemi filluar edhe njoftimin e klubeve për të dorëzuar në kohën e duhur të gjithë dokumentacionin e vlefshëm të pjesëmarrjes në këtë proces”, – deklaroi atëherë Anxhaku për mediat. Gabimin në procesin zgjedhor të Federatës Shqiptare të Çiklizmit e pranoi dhe vetë i deleguari i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Përfaqësuesi i Ministrisë e pranoi publikisht për mediat se, “në procesin zgjedhor të Federatës Shqiptare të Çiklizmit është bërë një gabim, pasi nuk është respektuar statuti i saj, përkatësisht pika numër 3. Nëse nuk plotësohen 2/3-at e votave, duhet të kalohet në raundin e 2-të dhe këta duhet të kalonin në raundin e 2-të”. Ervin Lika u zgjodh, më 10 nëntor presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit për katër vitet e ardhshme, pasi mori votat e 7 të mandatuarve, nga 12 në total, pra jo 2/3-at. Për Komitetin Drejtues votat u ndanë: Leonard Kola (11 vota), Genc Angjeli (10 vota), Palion Zarka (8 vota), Shefqet Dervishi (8 vota), Alfred Tahiraj (7 vota) dhe Bashkim Guma (6 vota). Veç 10 klubeve, të mandatuar ishin edhe 2 delegatë nga Shoqata e Veteranëve dhe Gjyqtarëve. Por, disa ditë më vonë zgjedhjet u shpallën të pavlefshme për shkak të parregullsive, ndërkohë që presidenti që fitoi (?!) nga kjo asamble, Ervin Lika, u tërhoq nga gara.

 PROBLEMATIKA – Ankimimin e ish-presidentit Skënder Anxhaku, pë shkelje të statutit nga ana kandidatit tjetër (Ervin Lika), me shmangien e raundin e dytë, pasi nuk u arritën 2/3 e votave të delegatëve, Ministria e Sporteve e konsideroi të drejtë, duke vendosur edhe anulimin e atij procesi dhe mosnjohjen e forumeve drejtuese të saj. Në të njëjtën linjë ishte dhe institucioni më i lartë i sporteve në vendin tonë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që po ashtu nuk e konsideroi të vlefshme Asamblenë Zgjedhore të 10 nëntorit, duke propozuar zhvillimin e një asambleje tjetër. Federata Shqiptare e Çiklizmit propozoi datën 10 dhjetor, ndërkohë që Kryesia e re doli me vendimin për ta shtyrë atë, më 27 dhjetor. Qëndrimet e palëve janë të ndryshme, ashtu si dhe datat e ndryshme të zhvillimit të Asamblesë së re të Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Por a ka të drejtë “kryesia e re” (ende e panjohur zyrtarisht) të marrë një vendim taksativ për shtyrjen e datës së Asamblesë së re Zgjedhore? Në fakt, përderisa Ervin Lika nuk u njoh si presidenti i ri, atëherë Skënder Anxhaku gëzon statusin e Presidentit në detyrë. Në kryesinë e vjetër anëtarë ishin Vladimir Gjonaj, Jaho Delli, Ylmi Gjyzeli, Burhan Berisha, Eno Turku, Sokol Lulgjuraj dhe Skënder Anxhaku, si president.

SITUATË E PAQARTË – Pikërisht në këtë moment duket edhe më e qartë paaftësia e Ministrisë së Sporteve për të menaxhuar me sukses një asamble federate sportive. Mesa duket, Ministria e Sporteve ose është keqinformuar nga ndonjë burim, ose ajo nuk është e zonja ta administrojë post-situatën e krijuar, për shkak të procesit të parregullt zgjedhor, pikërisht në sytë e përfaqësuesve të Ministrisë së Sporteve. Edhe pse Asambleja Zgjedhore u shty për arsye teknike (për pagesën e licencimeve të klubeve), deri dje, të gjithë sytë i kishin nga Ministri Aldo Bumçi, në lidhje me qëndrimin final që do të mbajë ai, kjo me synimin për të zhvilluar një Asamble të “pastër” teknikisht. Problematika të ngjashme ka pasur edhe gjatë Asamblenë e Federatës Shqiptare të Notit, për të cilën pati reklamim për procesin zgjedhur nga disa klube dhe shoqata, ndërkohë që çështja ka shkuar në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv Shqiptar (KAS). Për momentin, Skënder Anxhaku është për momentin dhe kandidati i vetëm për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Duhet përmendur fakti se, Skënder Anxhaku e drejton prej 12 vjetësh këtë Federatë, ndërkohë që ishte sërish kandidat dhe për një mandat tjetër katër vjeçar. Nuk dihet ende nëse deri më datën 14 dhjetor do të ketë kandidatura të tjera, por ajo që mund të thuhet më siguri ka të bëjë më faktin se, deri tani është konfirmuar se, kjo Ministri po bën përpjekje për të krijuar një imazh të mirë në sportin e “dyrrotakëve”, siç etiketohet çiklizmi.