Shtohen faturat e dyfishuara të energjisë, ankesat e qytetarëve, në vesh të shurdhët

    412
    Sigal

    ANKESA/Qytetarët vazhdojnë që të paguajnë fatura me energji të pakonsumuar

    Kanë kaluar disa muaj që nga largimi i CEZ-it nga Shqipëria, por realiteti nuk ka ndryshuar. Kur themi realiteti në sektorin e energjisë nuk ka ndryshuar kemi parasysh një sërë elementesh që kanë të bëjnë me: shërbimin që u ofrohet, furnizimin me energji, po edhe me faturat e larta që kanë mbetur të pandryshuara. Ankesa të tilla që kanë të bëjnë me elementët e mësipërm dëgjon çdo ditë nga qytetarët që shkojnë për të bërë pagesat e faturave të majme. Në lidhje me problematikat aktuale, qytetarët shprehen për “Telegraf” të acaruar dhe të zhgënjyer nga institucionet që janë përgjegjëse për këtë sektor. Më shumë qytetarëve u rëndon fakti që përse asnjëherë nuk u janë dëmshpërblyen pajisjet e djegura që u prishën nga rryma e lartë në disa momente? Përse nuk u janë  kthyer ndonjëherë paratë që kanë paguar për fatura super të larta që nuk i kanë konsumuar? Por është e vështirë që të gjesh një përgjigje se përse janë bërë tërë këto padrejtësi në kurriz të qytetarëve. Dhe ende vazhdon e njëjta situatë. Faturat qytetarëve u vijnë shumë të larta dhe ankesat nuk u merren në konsideratë dhe as që u jepet ndonjë zgjidhje.

    Problematika me faturat

    Në asnjë moment nuk kanë reshtur së ardhuri fatura super të larta në adresë të qytetarëve. Edhe pse u mendua që me largimin e kompanisë CEZ, do të merrte zgjidhje situata asgjë nuk është përmirësuar. Ankesat vazhdojnë që të vijnë, ndërsa qytetarët detyrohen të paguajnë faturat e larta. Fatbardha. G, shprehet për “Telegraf” se: “Më ka ardhur fatura afërsisht njëqind e trembëdhjetë mijë lekë. Ndërkohë që, më parë kam paguar deri në 30 mijë lekë dhe nuk kam gatuar as nuk jemi ngrohur me korrent. Të njëjtin konsum energjie kemi bërë edhe tani, sepse jemi vetëm dy pensionistë dhe jemi munduar në maksimum që të kursejmë”. Qytetarët shprehen të  revoltuar për “Telegraf” se: “Nuk kemi ku të ankohemi, ne asnjëherë nuk na janë dëgjuar ankesat tona, si më parë edhe tani që CEZ, është nën administrimin e qeverisë ”shprehet Fatbardha. G. Por përkrah faktit që ankesat e qytetarëve nuk marrin zgjidhje, qytetarët nuk po dinë as ku ti bëjnë këto ankesa për disa arsye. Qytetarët s’dinë ku t’i bëjnë ankesat për shkak se nuk i dëgjon njeri, po ashtu nuk dinë ku ti bëjnë ankesat për arsye se nuk gjejnë as një lloj zgjidhje. Për këto arsye qytetarët shprehen të irrituar, sepse dëgjojnë vetëm deklarata për ndryshim të situatës, por realiteti ka mbetur i pandryshuar ende. Edhe pse largimi i CEZ-it, duhej bërë më parë përsëri nuk ka zhvillime pozitive sipas qytetarëve. Ata shprehen se kompania CEZ, nuk duhet të mbahej aspak në Shqipëri, por fakti që ajo ishte nën ombrellën e qeverisë, rezistoi aq gjatë. “Ne ende nuk i kemi harruar padrejtësisë që na ka bërë CEZ, me ditë të tëra pa drita, me fatura të kripura, por e njëjta gjë po vazhdon edhe sot”, shprehet Eva. A. Ankesat për abuzime dhe ndërprerje të energjisë kanë qenë të pranishme në çdo qytet të Shqipërisë, por asnjë institucion nuk i  mori në konsideratë me qindra ankesa që janë bërë për vite me radhë, por ajo që e rëndon situatën është se edhe sot situata nuk ka ndryshuar.