Shtohen aksidentet, shkaku reklamat në mbikalime

631
Sigal

Ende në këmbë, tabelat reklamuese në autostradën Durrës-Tiranë

INUK për 3 ditë me radhë ndërmori një aksion, gjatë të cilit u shkulën dhe u çmontuan, nga anët e rrugës dytësore Tiranë-Durrës, të gjitha tabelat reklamuese, të cilat ishin ndërtuar dhe vendosur në kundërshtim me rregulloren e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe me rregullat e vendosura nga pushteti lokal, që përfshin disa komuna dhe bashkinë Vorë. Sipas këtyre kritereve të rregulluara me ligj, largësia minimale që duhej respektuar nga ana e bizneseve të ndryshme, të cilët kanë vendosur reklama të produkteve dhe aktiviteteve të tyre anës kësaj rruge është 20-30 metra. Por, në kundërshtim me këtë rregullore, në rreth 90% të rasteve nuk ishte respektuar kjo largësi. Po problemi nuk mbaron me kaq. Ende janë në këmbë të gjitha tabelat reklamuese në autostradën Tiranë-Durrës, më e vizitueshmja në shkallë kombëtare, apo në të gjitha rrugët nacionale të vendit tonë, të cilat kanë pjesën e tyre në aksidentet e ndodhura këto dy ditë, ku kanë humbur jetën 10 qytetarë, madje në një moshë fare të re. Rreziku më i madh që këto reklama paraqesin, është fakti se ato tërheqin vëmendjen e drejtuesve të automjeteve përgjatë të dy krahëve të autostradës dhe për pasojë bëhen burim potencial aksidentesh. Ndërsa për ato reklama, të cilat janë vendosur përtej këtij kufiri largësie nga buzët e autostradës, INUK deklaroi se nuk përbëjnë rrezik, pasi largësia e tyre prej kësaj autostrade është e parëndësishme sa për të tërhequr vëmendjen e drejtuesve të automjeteve, sepse del jashtë rrezes së këndvështrimit të tyre. Mirëpo, një problem tjetër egzistent dhe permanent janë tabelat reklamuese e vendosura në anët e konstruksioneve metalike të mbikalimeve. Këto reklama nuk kanë konstruksion të vetin, por janë të lidhura, ose të kapura pas elementeve metalike të mbikalimeve. Përveçse tërheqin vëmendjen e drejtuesve të automjete nëpërmjet ngjyrave të forta, klisheve atraktive, imazheve përngjasuese tërheqëse (me të cilat ndonjëherë abuzohet për sa i përket tendencave të tyre, që për të qenë realistë, përbëjnë risi për shoqërinë shqiptare, ose e thënë ndryshe një revolucion emancipor), ato janë dhe shkaktarë të iluzioneve optike tek këta drejtues, pasi shkaktojnë humbjen e vizionit të largësisë. Por një rrezik akoma më potencial dhe më permanenti, është fakti që përmendëm pak më lartë, që këto reklama nuk kanë konstruksione të vetat, që u shërbejnë për t’i mbajtur. Ato janë të lidhura ose të kapura pas elementeve të mbikalimeve. Në shumicën e rasteve, operatorët që bizneset reklamuese kontraktojnë për këtë shërbim, janë amatorë dhe improvizues. Kështu, kjo mënyrë që ata kanë zgjedhur për t’i “ngecur” këto tabela të stërmëdha është jashtë çdo lloj kontrolli dhe kolaudimi teknik. Në këtë mënyrë, ato janë një rrezik potencial fatkeqësish rrugore, pasi faktorët atmosferikë si; era, shirat me rrebesh, breshëri etj, mund t’i shkulin nga lidhjet me elementet metalike të konstruksioneve të mbikalimeve dhe këto tabela me skelet të hekurt të bien mbi automjetet, që udhëtojnë në autostradë, ose të bien mbi asfalt, ku përsëri janë një burim i pashmangshëm për aksident.

Pjesë nga Kodi Rrugor shqiptar

NENI 23

Reklamat në rrugë dhe mbi mjetet rrugore

1. Përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast impiante të tilla nuk duhet të formojnë pengesë apo gjithsesi vështirësi për qarkullimin e invalidëve. Janë, gjithashtu, të ndaluara tabelat dhe mjetet e tjera të ndritshme të reklamimit që mund të sjellin verbim për drejtuesit e mjeteve rrugore. Në ishujt e trafikut në kryqëzime është e ndaluar vendosja e çdo lloj instalimi të ndryshëm nga sinjalizimi rrugor i përcaktuar. (…)

3. Përgjatë rrugëve, në mjediset ose afërsitë e vendeve të mbrojtura, për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe peizazhistike, ose të ndërtesave a vendeve me vlera historike e artistike, është e ndaluar vendosja e tabelave ose mjeteve të tjera reklamuese.

4. Për vendosjen e tabelave ose të mjeteve të tjera reklamuese gjatë rrugës apo në vende të dukshme nga rruga duhet autorizimi i entit pronar të rrugës që lëshohet, duke respektuar këto norma. Në brendësi të qendrave të banuara kompetenca është e komunave dhe bashkive, të cilat janë të detyruara të marrin miratimin teknik të entit pronar të rrugës, kur rruga është shtetërore apo e rrethit.

(…)

7. Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga.

(…)

11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet me një shumë nga njëzet e pesë mijë deri njëqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.