“Shteti shqiptar mban “peng” pronat, nuk ka vullnet për të zgjidhur çështjen”

    425
    Sigal

    INTERVISTË/ Flet Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, për çështjet në Strasburg

    Rrugëtimi i pronarëve shqiptarë për të marrë pronat duket se është i pafundmë. Edhe pse ata kanë bërë shumë përpjekje lidhur me kthimin ose kompensimin e pronave të tyre, çështjet e disa prej tyre kanë shkuar në gjykatën Evropiane të drejtave të njeriut në Strasburg. Lidhur me këtë problem, është shprehur në një intervistë për “Telegraf”, Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

    -Zoti Agim, aktualisht sa çështje pronësie kanë shkuar për shqyrtim në Gjykatën e Strasburgut?
    -Aktualisht nga të dhënat që ka shoqata jonë, në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg, janë çuar deri tani rreth 400 çështje, të cilat janë të pranuara. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi kjo gjykatë bën një procedurë paraprake për pranimin dhe mospranimin e një çështje. Por duke respektuar atë që është përcaktuar qartësisht në Kartën Europiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Interesant është fakti që sot në Gjykatën e Strasburgut është bërë një hap shumë i madh, duke marrë parasysh të shkuarën, ku çështjet e pronarëve shqiptarë, pranohen drejtpërsëdrejti. Deri tani janë nën shqyrtim rreth 13 çështje të Gjykatës së Strasburgut, e cila e ka marrë vendimin për gjykimin e çështjes, por i ka lënë një afat 3 mujor për të zgjidhur këtë çështje brenda shtetit shqiptarë. Pra të gjendet një kompromis, për zgjidhjen e konfliktit të pronave midis qytetarit dhe shtetit shqiptar. Është e domosdoshme të ndryshojë ligjshmëria, gjë që s’e shohim akoma një vullnet të tillë nga politika shqiptare. Vetëm për një vendim që u dha para pak ditësh. Në 31 korrik të 2012 u dha një vendim mjaft i rëndësishëm.

    -Cila është procedura për të çuar një çështje në Strasburg?
    -Nëse, lidhur me një çështje, individit i duhet të përgatisë një sërë procedurash, tashmë për pronat nuk duhet të ndjek asnjë procedurë. Pronarët shqiptarë, mund t’i drejtohen Strasburgut për vendimet që janë marrë për ta, nga agjencitë dhe komisionet e kompensimit të pronave, mund t’i drejtohen kësaj gjykate direkt, pa përgatitur ndonjë procedurë të veçantë. Nuk duhet të kalojnë as në gjyqe dhe as në procedura të tjera administrative. Duhet vetëm një kërkesë, ku shpjegohet arsyeja dhe problemi që ngrihet, të shoqëruara me fotokopje të dokumenteve që vërtetojnë kërkesën e qytetarit dhe më pas Strasburgu, pasi bën aprovimin e çështjes që kërkon gjykim, i jep të drejtë pronarit të plotësojë një formular. Por jam i sigurt që të gjitha çështjet që kanë shkuar për shqyrtim në Strasburg, kanë gjetur zgjidhje. Deri tani të gjitha këto çështje, janë fituar nga pronarët shqiptar. Strasburgu ka pranuar që shteti shqiptar ka shkelur nenin 1 të protokollit të Konventës Evropiane të Drejtave të njeriut dhe këto vendime të komisionit të pronave, i barasvlerëson me vendimet e gjykatave, të quajtura si tituj ekzekutiv të detyrueshme për shtetin shqiptar.
    -Sa humbje ka shteti shqiptar nga gjobat që vë Gjykata e Strasburgut?
    -Shteti shqiptar ka shumë humbje lidhur me trajtimin e këtyre çështjeve në Gjykatën e Strasburgut. Ndëshkimet që merë shteti shqiptarë variojnë sipas çështjeve, prandaj edhe kjo gjykatë, i kë afat rreth 3 muaj shtetit që të arrijë një kompromis të përbashkët me pronarin, në të kundërt gjobitet rëndë. Gjobat kanë varijuar nga 100 – 200 euro dhe tani 13 deri në 15 milion euro. Këto gjoba, sjellin pasoja qoftë për buxhetin e shtetit dhe për taksapaguesit shqiptarë. Kur bien dakord pronarët, që zgjidhja është e pranueshme për të, atëherë vendimi i Strasburgut nuk merë formë të prerë, por pranohet zgjidhja që ka bërë qytetari me shtetin shqiptar. 581 milionë metra katrorë tokë që duhet kompensuar, nga të cilat truall është 65 milionë metra katror tokë, ndërsa tokë bujqësore është rreth 436 milionë metra katrorë. Them që faturat do të vijnë duke u rritur, pasi qeveria nuk mund të pengojë pronarët e vërtet të marrin atë çka ka të drejtë.

    -Si e cilësoni vendimin e qeverisë për të dhënë tokat bujqësore të pandara me qira nga vendorët?
    -Kjo është pjesë e një strategjie. Akti i dhënies me qira nënkupton që çfarë pronash janë të pandara, ose që nuk do të ndahen sot e tutje, patjetër që mund të jepen me qira nga pushteti vendor, sepse pasuritë po kalojnë drejt pushteteve vendore. Duke pasur parasysh, edhe faktin që në vitin 2014 qeveria pasardhëse do të duhet krijojë fondin dhe të fillojë kompensimin e pronarëve. Kjo lë të nënkuptohet që në këndvështrimin e kësaj qeverie që është sot çështja e pronave dhe e pronarëve nuk është më problem, por do të jetë një problem për atë qeveri që do të vijë pas kësaj maxhorance.

    Nuk ka vullnet për zgjidhjen e pronave nga politika
    Është e domosdoshme të ndryshojë ligjshmëria, gjë që se shohim akoma një vullnet të tillë nga politika shqiptare. Ne na ka ardhur një shkresë nga Strasburgu, e cila është dërguar nga avokatura e shtetit, e cila përpiqet që Strasburgu mos t’i pranojë këto kërkesa të pronarëve shqiptarë. Strasburgu gjykon me precedent dhe nëse është dhënë një vendim për një pronar shqiptar, për të gjithë pronarët e tjerë do të jetë i njëjtë. Është absurditet nga politika shqiptare, të jap urdhër kësaj gjykate, gjë që është më se e zakonshme në fushën e drejtësisë.