Shteti që favorizon Oligarkët

    393
    Sigal

    Ministri i Shëndetësisë ka dalë me një spot për të reklamuar punën e Ministrisë së tij. Megjithëse ky promocion bie ndesh me deklaratat e qeverisë se do jemi kundër spoteve, ne vendosëm  të dëgjojmë dhe analizojmë se çfarë thotë Ministri. Thotë që në Shqipëri, është luftuar monopoli dhe janë regjistruar barna të reja nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave.

     Barnat e regjistruara

    Në vitin 2010, rezultonin të regjistruara 3418 barna.

    Në vitin 2011, rezultonin të regjistruara 3815 barna, ose 400 më shumë.

    Në vitin 2014, rezultojnë të regjistruara 3855 barna ose vetëm 30 më shumë se në vitin 2011.

    Pra e gjithë lufta kundër monopoleve dhe  korrupsionit që mbante peng QKKB, reduktohet në 30 barna më shumë të regjistruara nga viti 2011, kur vetëm për një vit (2010-2011), janë regjistruar 400 barna!!! Gjatë  gjashtëmujorit të parë të vitit 2014, janë regjistruar vetëm 52 barna në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2011 kur janë regjistruar 200.(Sipas të dhënave të regjistrit të barnave botuar  nga vetë QKKB në faqen e saj). Ky është rezultati i QKKB për të cilën doli vetë Ministri në konferencë për shtyp duke e lavdëruar. Ministri  tha po në atë  konferencë shtypi se janë bërë kontrolle të rrepta ndaj barnave të regjistruara në kundërshtim me ligjin gjatë vitit 2013.

     Çudia e Beqajt

    Ju kujtohet rasti që Ministri na e përmendte çdo herë që dilte në televizion për barin që ishte regjistruar vetëm në 8 orë pune?

    Nga kontrolli që i bëri QKKB këtij bari, (kontroll për të cilin u bllokua importi i 1,3 milion eurove në mënyrë që QKKB “të punonte e qetë”), doli  se dosja për regjistrim ishte krejt në rregull.

    Bari në fakt, rezulton i regjistruar rregullisht në listën e vitit 2014.

    Po atëherë, në interes të kujt shkoi  bllokimi i importeve? Sigurisht që jo në interes  të importuesve të barnave që humbën miliona. Bllokimi i atij bari dhe i shumë të tjerëve ishte preteksti në mënyrë që të bllokoheshin importet dhe e dini kush ishte ai që fitoi?? I vetmi që fitoi, ishte një person i lidhur fort me shtetin dhe që në gjuhën e ndërkombëtarëve dhe konkretisht të Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry quhet  OLIGARK  që ka kapur shtetin me pushtetin politik dhe ekonomik. Këtë e di mirë ministri Beqa, por këtë e dinë edhe ndërkombëtarët.  Konkretisht mjafton të kontrolloni dhe verifikoni, z. Ministër, se cilat janë barnat e  bllokuara nga QKKB-ja. Janë ose barnat më të lira se ato të Oligarkisë, ose ato  që u “verifikuan” me pak vonesë, aq sa i duhej rimbursimit t’i linte jashtë loje në përfitim të…Oligarkëve! QKKB-ja nuk regjistron dhe bllokon importet.  Kjo është mënyra për të luftuar korrupsionin dhe monopolet?

     Por le të vazhdojmë

    Ministri, duke na buzëqeshur në video, na siguron dhe na thotë se nuk ka patur asnjë rritje çmimi për vitin 2014. Ok, le të verifikojmë barnat në rimbursim, të marra nga Lista e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2014 dhe do shohim se rritja e çmimeve për artikujt e OLIGARK-ëve është nga 50% deri në 143%.

    Këto janë barna në rimbursim, alternativa të para, pra ato më të lirat të cilat i rimburson pothuajse 100%  shteti nga paratë e qytetarëve që sigurohen me detyrim tek monopoli  ISKSH.  (Burimi, të dhënat nga faqja on-line e ISKSH-së, 2013 dhe 2014). E pra shteti duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë dhe jo ca të nënës dhe ca të njerkës. Në këto raste, shteti  jo vetëm e lejon rritjen e çmimeve, por edhe sigurohet që ne taksapaguesit t’i paguajmë komplet nga xhepi jonë.

     Ministri, ama, ka të drejtë kur thotë se janë rritur barnat e rimbursueshme!

    Mjafton të klikohet sa barna të rimbursueshme kanë pasur kompanitë deri vjet dhe sa kanë sivjet të njëjtat kompani. Do shohim se OLIGARK-ët, që John Kerry  theksoi për disa vende në Europën Qendrore dhe Lindore, janë edhe në listat e rimbursimeve (ISKSH-së). Klikoni  tek të dy Listat e Rimbursimit, ajo e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2014. Një klikim, do të thotë një bar i regjistruar (emri i prodhuesit shkruhet nga një herë). Nëse vjet, fjala bie, njërës kompani i  rimbursoheshin 30 barna (30 klikime), sivjet i rimbursohen 110 barna (110 klikime) ose 4 herë më shumë.  Edhe një gjë të fundit, zoti Ministër.

     Transparenca e Ministrit me lejet e importit

    Premtove transparencë në publikimin e lejeve të importit, i detyrueshëm sipas VKM nr 24, datë 22.01.2014. Por kjo gjë ka ndalur më datë 12.03.2014, pikërisht kur fillon periudha e tenderëve! Ç’po bëhet me tenderët e serumeve fjala bie? Askush nuk jep përgjigje? A është edhe kjo pjesë e Oligarkisë z. Ministër? Po Ambasadori Amerikan i di këto? Sigurisht që i di, sepse Nr.1 i diplomacisë botërore, pikërisht Sekretari Amerikan i Shtetit Joan Kerry nuk flet kot. Kur flet Amerika, ka folur vetë zoti. Rreth dy vite më parë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor deklaroi se në Shqipëri janë ngritur fabrika të drogave të forta si  kokainë, etj. Para pak ditësh kjo deklaratë u vërtetua pas një aksioni që kishte muaj që kishte nisur me survejimin dhe përgjimet në Shqipëri, Kosovë dhe vendet e Amerikës Latine dhe që u konkretizua me arrestimin dhe zbulimin e fabrikës së drogës. Sigurisht, që kjo e fundit nuk ka të bëjë me Ju, z. Ministër, madje as me Qeverinë e Rilindjes, pasi është më e hershme. Rilindja meriton vlerësime, pasi bëri atë që qeveria e mëparshme se bëri dot për tetë vjet.

     Dështimi i një Ministri

    Për Ju do shohim tenderët  e fundit dhe do flasim përsëri, nëse Kryeministri Edi Rama nuk do vendosë t’ju largojë nga qeveria, pasi nuk ka asnjë dyshim që jeni ministri më i paaftë në historinë e mjekësisë shqiptare. Madje, madje edhe më i dobët se Nard Ndoka pasi ky i dinte te metat e veta dhe nxirrte në plan të parë specialistët. Deri atëherë, spot të mbarë…! Ah, më falni, punë të mbarë “Kompetent”…!