Shteti, ortak me horrat e energjitikës

    436
    Sigal

     Zbardhet bashkëpunimi dhe vjedhja e drejtuesve të CEZ-it me mafien shtetërore

     Abuzimet ,vjedhjet dhe dëmi prej 1.2 miliard euro që CEZ-i, i shkaktoi financave të vendit janë padyshim, goditja më e madhe për ekonominë e vendit, që nga koha e ekzistencës së kombit shqiptar. Madje, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, këto dëme në këtë vlerë nuk e shkaktuan as djegiet dhe shkatërrimet e nazistëve hitlerianë. Vetëm para dy ditësh në Parlamentin shqiptar u zbardhën detaje të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me lidhjen e fshehtë të CEZ – KESH-OST dhe ERE. Dhe të vetmet institucione që mund të bëheshin pengesë duke penalizuar KESH-in, OST-në dhe ERE-n ishin Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila flinte gjumë duke i lënë dorë të lirë, Policisë së Shtetit, të arrestonte qytetarët, anembanë vendit, vetëm e vetëm, se këta të fundit,  kërkonin drejtësi për padrejtësitë, e CEZ-it. Ndaj sot, ka ardhur koha që Hysni Burgaj dhe drejtorët e KESH-it, OST-së dhe ERE-s, të dalin para drejtësisë dhe të japin shpjegime për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e tyre. Ne u morëm dje, pak, me këtë problem dhe përgjegjësinë e atyre që lejuan vjedhjet e CEZ-it, nëpërmjet urdhrave të paligjshme, apo interesave të tyre personale, duke i shkaktuar shtetit, 800 milionë euro dëme, përveç shitjes së mallrave që gjetën në magazinë dhe që arrijnë miliona euro, si dhe mungesa e investimeve prej 120 milionë eurove, pjesë e kontratës së fshehtë dhe  kriminale, ndaj popullit shqiptar. Por kësaj shume, i janë shtuar edhe dy  grabitje skandaloze të kompanisë CEZ, e cila ka të bëjë me sahatet, apo aparatet matëse të energjisë elektrike, si dhe tensionin e ulët të energjisë, që marrin konsumatorët shqiptarë.

    1- Kolaudimi dhe certifikimi i aparateve matëse të energjisë, padyshim, që është pika më delikate, ku të gjithë shqiptarët vidhen sistematikisht dhe me metodën mafioze. Para 2 vitesh u bë një zhurmë e madhe për një rast të paprecedentë. Pasi nuk ndodh në asnjë vend të botës që i njëjti person edhe të shesë  mallin edhe të  kolaudojë aparatin matës. Më vonë, pas ndërhyrjeve të zyrës së konsumatorëve dhe protestave qytetare, u zgjodhën të ashtuquajturit ekipe kolauduese, të cilat bënin lojën e CEZ-it dhe këto aparate tregojnë, sipas specialistëve të KESH-it, rreth 15% më shumë sesa konsumohet në realitet. Duke pasur parasysh, që në vendin tonë konsumohet rreth 25 milion KW energji në ditë dhe 750 milionë KW në 1 muaj, i takon që 120 milionë KW, të jenë faturime të tepërta, nga sahatet -hajdutë (15 %). Po ta llogarisim si vlerë lekësh, i takon që 120 milionë kW x 105 lekë të vjetra, mesatarja  = me 12 milionë dollarë çdo muaj, që u janë vjedhur shqiptarëve nga banditët e huaj, me mbështetjen e shtetarëve. Po ta llogarisim për 1 vit mesatarja arrin tek 100 milionë euro. Këto shifra dhe kjo shumë dalin nga statistikat që vetë shteti (KESH,OST dhe ERE) kanë bërë publike, së bashku me CEZ-in

     2- Tensioni i ulët është një tjetër grabitje e përmasave skandaloze që konsumatorët shqiptarë kanë vite që po e paguajnë. Madje, kjo metodë është trashëguar që nga vitet 1992 dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. Qytete të tëra, lagje dhe fshatra nuk furnizohen me tensionin sipas normave të lejuara 220 volt. Ne jemi koshientë dhe kemi evidentuar në bregdet gjatë stinës së verës dhe në dimër në të gjitha zonat e thella, fshatrat madje, edhe ndërmarrjet që furnizimi bëhet me tension të ulët për të rritur rrotullimet e sahatit dhe pajisjet për të ngrohur, fjala bie, një 1 litër qumësht  kërkon më shumë kohë dhe detyrimisht harxhohet më shumë energji. Nëse tensioni do ishte 220 volt do të duhej 30 minuta të ngrohej 1 litër qumësht dhe do harxhohej 50 lekë. Nëse tensioni është i dobët, qumështi ngrohet për  40 minuta . Por çfarë ndodhë? Në  rastin kur tensioni është i dobët kur plotësohet 30 minutëshi nuk kemi harxhuar 50 lekë, por kemi harxhuar 70 lekë. Dhe kur ta ngrohim qumështin pas 40 minutash do të kemi harxhuar 100 lekë. Kjo vjedhje na bëhet neve si qytetarë, pasi vetë shpërndarësi që quhej CEZ fiton dyfishin me këtë mënyrë. Për të qenë më profesional ne u interesuam pranë një specialisti të energjetikës, i cili na shpjegoi se: “Lidhur me punën e sahatit të energjisë elektrike: shpejtësia e rrotullimit të  sahatit përcaktohet nga intensiteti i rrymës dhe jo nga tensioni. Por problemi është se, siç dihet, fuqia= intensitet x tension (P=I x U). Kështu që kur tensioni është i ulët, brenda një limiti të caktuar, kur punon një pajisje, p.sh. frigorifer, lavatriçe, etj..(se llamba p.sh. ndizet pak) për të punuar, rritet intensiteti i rrymës krahas zvogëlimit të tensionit, që të rruhet fuqia e duhur. Për rrjedhojë, nëpër sahat rrjedh rrymë me intensitet më të lartë dhe sahati rrotullohet më shpejt. Kështu që dritë ka më pak, por parapaguhet më shumë ”,- thotë Prof. Dr. Alfred Frashëri

    Sipas këtyre llogarive i takon që CEZ ta furnizojë një konsumator me 350 kilovatë në muaj dhe për shkak të tensionit të ulët që i çon i faturon 500 kw sepse vetë aparati rrotullohet me shpejtësi të madhe qofte edhe  për 1 frigorifer që është në punë. Pra, sipas kësaj llogarie kompania fiton miliona euro në kurriz të qytetarëve dhe shteti bën sehir, prokuroria fle gjumë dhe krimi ekonomik merret qindarkat, kur hajdutët kanë ngarkuar bankën në krahë. Sipas disa përllogaritjeve nga kjo metodë, kompania e Shpërndarjes CEZ  përfitonte rreth 50 milionë euro në vit.

    CEZ-i (ri)fillon abuzimet me konsumatorët shqiptarë

    Altin Goxhaj, Drejtor ekzekutiv i ZMK-së

    CEZ rifillon abuzimet me konsumatorët! Fillojnë ankesat pranë ZMK-së për mbifaturime ekstreme ndaj konsumatorëve! Sot CEZ zhduku nga faqja on-line shërbimin e E-BILL për të fshehur të dhënat e kilovatorëve të shkuara për të përligjur vjedhjen e re. ZMK-ja nis procedurat për kallëzim të ri penal ndaj CEZ-it për vjedhje ndaj konsumatorëve shqiptarë! Për të mbrojtur skemën e vjedhjeve faturistët e CEZ po fshehin të dhënat e referencës së konsumit familjar. Pranë ZMK-së  kanë ardhur ankesat për 2-fishim të faturimeve! Qytetarë ankohuni pranë ZMK-së direkt në www.ankohu.al sepse ne po përgatisim kallëzim penal për vjedhje ndaj një kompanie që funksionon si një “Grupim i strukturuar kriminal”. ZMK-ja ka nevojë për fakte për të përgatitur Kallëzimin Penal dhe për të kërkuar urgjentisht dëmshpërblimin e konsumatorëve, nëpërmjet rrugëve administrative nëpërmjet Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Entit Rregullator të Energjisë. Zhdukja e sistemit E-BILL në faqen online të CEZ-it është referenca se si CEZ vepron në mënyrë të organizuar në vjedhjen e konsumatorëve. ZMK-ja në kuadër të fushatës 30- ditore “ANKOHU TANI, DREJTESI TANI” slogan ndërkombëtar i një fushate globale për të drejtat e konsumatorëve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorëve në 15 Mars, ka përuruar 2 ditë më parë Sistemin e ri dixhital të Raportimit të Ankesave në të cilin paraqiten online raportimet për abuzimet me të drejtat e konsumatorëve, të cilat mund t’i shohë kushdo dhe të shohë rrugën në të cilën këto ankesa trajtohen nga ZMK-ja dhe nga institucionet e mbikëqyrjes së tregut që e kanë për detyrë për t’i zgjidhur. Në ditët në vazhdim do të ndiqni aksione të reja të ZMK, pasi Fushata për të Drejtat e Konsumatorëve “ANKOHU TANI, DREJTESI TANI” është një fushatë 30 -ditore në të cilën çdo ditë ndodh një aksion dhe do të kurorëzohet me një Rezolutë që i drejtohet Qeverisë Shqiptare dhe Institucioneve Ndërkombëtare dhe komunitetit të biznesit për të ndryshuar politikat aktuale për mbrojtjen e konsumatorëve bazuar në standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian.