Shteti i paguan pronarëve mbi 2 milionë euro

    408
    Sigal

    Vendimi/ Ekzekutohen vendimet e Gjykatës së Strasburgut për çështjet Themeli, Tushaj, Delvina dhe Manushaqe Puto e të tjerë kundër Shqipërisë

    Qeveria shqiptare do t’i paguajë mbi 2 milionë euro pronarëve. Kjo është fatura financiare për 4 nga çështjet e pronarëve që i janë drejtuar gjykatës së Strasburgut, ndërkohë që, Strasburgu pret qershorin për të zbardhur vendimin për 83 çështje të tjera dhe fatura financiare do të jetë shumë më e shtrenjtë, ndoshta dhe e papërballueshme për shtetin shqiptar dhe për taksapaguesit shqiptarë. Ndërsa ekzekutimi i menjëhershëm i vendimeve të Strasburgut nuk do të shtonte faturën, pasi çdo ditë e kaluar rëndon shtetin shqiptar me një taksë për vonesën. Nëse shteti shqiptar nuk zgjidh një herë e mirë problemin e pronës në zbatim të Kushtetutës, atëherë pronarët do të zbarkojnë në Strasburg dhe taksapaguesit shqiptar do të paguajnë për papërgjegjshmërinë dhe hajdutërinë e institucioneve shtetërore.

    Vendimet

    Janë zbardhur në Fletoren Zyrtare vendimet e qeverisë në lidhje me ekzekutimet e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për çështjet Themeli, Tushaj, Delvina dhe Manushaqe Puto e të tjerë kundër Shqipërisë. Shuma e përcaktuar si detyrim ndaj pronarëve sipas vendimeve konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma në datën e kryerjes së pagesës. Pagesa e shumës së depozituar, në favor të ankuesve bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. Afati i zbatimit të këtij vendimi është pagesa në transhin e parë të pagesës së detyrimeve të prapambetura, mbështetur në strategjinë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

    Vendimi Nr. 168

    Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

    1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr. 63756/09, “Themeli kundër Shqipёrisё ”, në shumën 3 900 (tre mijë e nëntëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.

    Vendimi Nr. 170

    Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

    Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr. 13620/10, “Tushaj kundër Shqipёrisё”, në shumën 1 300 (një mijë e treqind) euro, plus edhe çdo taksë që mund të jetë e tatueshme në lidhje me dëmin moral, shumën prej 500 (pesëqind) eurosh, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për kostot dhe shpenzimet. Vlera në total e detyrimit është 1 800 (një mijë e tetëqind) euro.

    Vendimi Nr. 172

    Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

    Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr. 49109/06, “Delvina kundër Shqipёrisё”, në shumën 2 022 900 (dy milionë e njëzet e dy mijë e nëntëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.

    Vendimi Nr. 180

    Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

    Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.7.2012, për ankimet nr. 604/07, nr. 43628/07 dhe nr. 46684/07, “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për pjesën e mbetur të detyrimit. Vlera e mbetur e detyrimit, e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma në datën e kryerjes së pagesës.