Shteti hesht para mosnjohjes dhe regjistrimit e titujve të pronësisë për tokën e bregdetit

    398
    Sigal

    Shoqata Bregdeti i bën thirrje instancave më të larta shtetërore të heqin dorë nga praktikat e mosveprimit

    Shoqata “Bregdeti” u bën thirrje përsëri pushtetarëve shqiptarë që të ushtrojnë tërë autoritetin dhe përgjegjësitë që u është dhënë nga Kushtetuta dhe kuadri ligjor në fuqi për të ndaluar veprimet e paligjshme të Bashkisë Himarë, të Këshillit të Qarkut Vlorë, të ZRPP të Qarkut Vlorë, që po tjetërsojnë të drejtat e pronësisë mbi token të pronareve të ligjshëm, mbështetur në dokumente të paligjshëm, të denoncuara nga kjo shoqatë. Në thirrjen e saj, ajo i drejtohet Kryeministrit, Kryetarit të Komisionit Qeveritar të Tokës, Ministrit të Drejtësisë, Prefektit të Qarkut Vlorë, Kryeregjistruesit të ZRPP, Regjistruesit të ZRPP të Qarkut Vlorë, Kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit. Ndër të tjera, kjo shoqata i kërkon Prefektit të Qarkut Vlore të aktivizojë Komisionin Vendor të qarkut Vlorë, për Verifikimin e Vlefshmërisë Ligjore të Titujve të Pronësisë mbi Tokën, që deri më sot me mos veprimin e tij ka lejuar dhe ka stimuluar abuzimet skandaloze dhe shkeljet flagrante të legjislacionit në fuqi të institucioneve përgjegjëse për njohjen dhe regjistrimin e titujve të pronësisë mbi tokën. “Shoqata “Bregdeti” dhe komuniteti i pronareve të ligjshëm të krahinës tonë, u bëjnë thirrje institucioneve të shtetit shqiptar të heqin dorë nga praktikat e mos veprimit ndaj shkeljeve të Ligjit, të cilat janë pasuar gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit me legalizimin e veprimeve të paligjshme të një grupi njerëzish në dëm të interesave të pjesës tjetër të shoqërisë”,-thuhet ndër të tjera në deklaratë. Po ashtu, kjo shoqatë i drejtohet Ambasadës Amerikane në Tiranë, Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Prezencës së OSBE, Komisionit Europian,  Këshillit të Europës, që të kërkojnë nga Qeveria dhe institucionet Shqiptare zbatimin e detyrimeve Kushtetuese dhe kuadrit ligjor në fuqi për të drejtën e pronësisë mbi tokën, si një nga të drejtat themelore të njeriut.

    Dokumentet e paligjshme

    Dokumentet e lëshuara nga komisionet e ngritura nga Ligji 7501, dt. 19.07.1991 në krahinën e Himarës janë të paligjshme për shkak se:

    •Nuk është respektuar kriteri ligjor i barazisë së sipërfaqes së tokës bujqësore për banor.

    •Nuk është respektuar kriteri ligjor i pajisjes me tokë të vetëm banorëve që kanë qenë të regjistruar në gjendjen civile të Bashkisë Himare deri më 1 Gusht 1991.

    •Janë shpërndarë nga komisionet, në kundërshtim me Ligjin 7501, dt. 19.07.1991, edhe 80 hektar kullota, përveç fondit Tokë Bujqësore të kooperativave përkatëse të përcaktuar sipas gjendjes me 1 Gusht 1991;

    •Dokumentet (formularët 6) e lëshuara nga komisionet për 1871 familje janë pa firme ose pa vulë.

    Kërkesa

     Duke vlerësuar rëndësinë jetike të zgjidhjes së qëndrueshme dhe ligjore të së drejtës së pronësisë mbi Tokën, shoqata “Bregdeti” dhe komuniteti i pronareve të ligjshëm dhe trashëgimtarëve të tyre kërkon:

    1- Të ndalohen veprimet dhe aktet administrative të institucioneve shtetërore përgjegjëse, që po shkelin haptazi të drejtën themelore të pronësisë mbi Token të pronareve të ligjshëm dhe që bien ndesh me detyrimet Kushtetuese

    2- Të fillojë dhe të kryhet sa më parë nga Komisioni Vendor i Qarkut Vlorë verifikimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën për të gjithë Bashkinë Himarë dhe Komunën Lukovë.

    3- Të publikohen rezultatet e veprimtarisë së Komisionit Vendor të Qarkut Vlorë dhe vendimi përkatës i Komisionit Qeveritar të Tokës