SHSSH, Etleva Bisha: Nevoja për ndryshim e Skemës së Ndihmës Ekonomike, për shmangien e abuzimeve

    434
    Sigal

    Abuzimet e shumta me skemën e ndihmës ekonomike dhe pagesave të paaftësisë së kufizuar, janë në fokus të auditit të iniciuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Etleva Bisha, ka sqaruar se në marrjen e detyrës rreth një muaj më parë është gjendur në një situatë tejet të vështirë, përsa i përket fondeve të Skemës së Ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar. “Fondi i parashikuar, praktikisht deri në fillim të tetorit, ishte përdorur në maksimumet kritike. Ne u gjendëm përballë një situate tejet të vështirë dhe një mungese të thellë të fondeve për të vijuar dhe përmbushur detyrimet ligjore si për ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar. Është bërë prezente dhe më parë, fakti se ka patur abuzime me pagesat, duke i shtuar në mënyrë artificial përfituesit e ndihmës ekonomike, gjë që ka çuar në këtë situatë të vështirë me fondet”, tha ajo. Sipas drejtoreshës së SHSSH-së, personat që kanë abuzuar me këto fonde do të vihen para drejtësisë. “Ajo që po bëjmë është një mënyrë e re në kryerjen e kontrollit, të cilave jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund. Të identifikojmë abuzuesit, që jo vetëm të dalin nga skema, por dhe personat përgjegjës të marrin masat ligjore të parashikuara nga ligji”. Aktualisht në Drejtoritë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror po zhvillohet një audit i nisur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me fokus të veçantë të pagesave së aftësisë së kufizuar dhe ndihmës ekonomike. “Të gjitha drejtoritë rajonale po kryejnë kontrolle. Ajo që kemi vërë re në këtë drejtori ishte fakti se kontrollet dhe kur janë kryer më parë nuk janë çuar deri në fund. Kjo do të thotë që mund të jenë kryer kontrolle sipas legjislacionit, por nuk janë kryer rikontrollet për të vlerësuar rezultat dhe për të parë përmirësimin e detyrave dhe vërejtjeve”, tha Bisha. Ndërkohë sipas saj, në Shërbimin Social Shtetëror nevojitet një ndryshim rrënjësor, jo vetëm në lidhje me nivelin e pagesës, por dhe me mënyrën si jepet ndihma ekonomike. Bisha thekson se ka nevojë për më shumë transparencë, për mekanizma më të fortë që të shmangen abuzimet dhe për këtë ka dhe projekte konkrete.  “Është një projekt i Bankës Botërore që do të pilotohet në Tiranë, Elbasan dhe në Durrës. Në mënyrë që të kemi të gjithë hapësirën e mundshme për të shmangur abuzimet dhe që ndihma të shkojë aty ku është e nevojshme. Nevojitet gjithashtu që të kemi një mundësi krejt ndryshe në mënyrën si trajtohet ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar”, tha Drejtoresha e SHSSH-së. Pak ditë më parë dhe nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është propozuar  që  ndihma ekonomike duhet të jetë e shoqëruar dhe më kontribute në komunitet për ata që e përfitojnë, dhe e plotësuar me detyrime si ndjekja e shkollës nga fëmijët e këtyre familjeve.