Shqiptarët që morën azil në vendet europiane

    384
    Në Ballkan, përfshirë edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, janë përhapur legjenda gjithfarëshe që kanë joshur njerëzit të marrin rrugën e eksodit. Pranimi i menjëhershëm i azilit, banesa dhe puna që të presin në Gjermani e gjetiu, janë pjesë e këtyre legjendave. Por realiteti për shumicën e madhe të refugjatëve në Gjermani dhe kudo tjetër në perëndim ka qenë zhgënjyes. Pranimi i azilit për ta është në shkallën afër zeros dhe po ashtu shanset janë të pakta edhe për sa i përket punësimit.
    Për të krijuar një pasqyrë të afërt me realitetin, televizioni gjerman “MDR” ka bërë një listë që tregon përqindjen e pranimit të azilit të shtetasve të shteteve ballkanike veç e veç në disa nga vendet e BE-së dhe në Zvicër.
    Në Zvicër, sipas deputetit gjerman, Stephan Möller, i cili u është referuar burimeve zvicerane, azili u është njohur 1.6% të shtetasve kosovarë që kanë bërë kërkesë në këtë vend. Ndërsa asnjë shtetas i Shqipërisë, ose 0.0% nuk e ka fituar azilin në këtë vend, ndërkohë që përqindja e shtetasve serbë është paksa më e lartë, 2.4%. Por deputeti nuk ka dhënë as numrat dhe as periudhën të cilës i referohen këto përqindje.
    Nga ana tjetër televizioni “MDR” ka marrë shifrat zyrtare nga vendet e BE-së dhe vendet tjera perëndimore për tremujorin e parë të vitit 2015. Dhe ato duke kështu:
    Nga Shqipëria, në gjithë BE-në gjatë periudhës së përmendur kane kërkuar azil 2880 persona. Prej tyre azili u është njohur 305 vetave. Në Gjermani ka pasur 10 njohje nga 625 kërkesa, në Belgjikë 25 njohje nga 150 kërkesa, në Norvegji 0 njohje nga 60 kërkesa dhe në Zvicër 5 njohje nga 15 kërkesa.
    Ndërsa për sa u përket shqiptarëve nga Kosova gjendja paraqitet në këtë mënyrë: Në gjithë BE-në ata kanë paraqitur 12.780 kërkesa nga të cilat janë njohur gjithsej 175. Më së shumti kërkesat janë bërë në Gjermani, rreth 10.165, nga të cilat vetëm në 15 raste ka arritur të përfitojnë azil. Në Belgjikë shqiptarët nga Kosova kanë bërë 195 kërkesa që kanë rezultuar me 15 njohje. Në Zvicër kërkesa për azil kanë ushtruar 145 shqiptarë nga Kosova, prej të cilave janë pranuar 20 prej tyre.
    Sigal