Shqiptarët po ikin se klasa politike u ka humbur besimin te demokracia

    404
    Tashmë shqiptarët po ikin në qetësi dhe pa ndonjë zhurmë. Po ikin të bindur se me këtë klasë idiote politike, demokracinë e kanë vite drite larg, demokracinë e ka marrë lumi. Ndaj duan të ikin. Të paktën brezi i ri të mos e ndjejë mjerimin me të cilin ky brez po përballet, të mos ndjejë në cdo hap të jetës poshtërsinë që po e ndjen ky brez, një poshtërsi ekstreme e një klase politike krejt anormale që është shkaku kryesor i largimit masiv të shqiptarëve larg, ku të mundin. Asnjë prej shqiptarëve edhe për një kohë bukur të gjatë nuk beson se një ditë do t’ia arrijë demokracisë për të cilën kishte ëndërruar. Edhe pse kanë kaluar 25 vjet, sërish demokracinë e kemi vite drite larg. Edhe pse politikanët e ndyrë shqiptarë na thonë se, së shpejti ajo do të vijë. Demokracia në Shqipëri e ka të pamundur të vijë, sepse ajo nuk është e sëmurë dhe do të dalë nga spitali e do të na vijë nëpër familje. Në Shqipëri, demokracia ende është vite dritë larg, bile ende nuk ekziston. Këtë tashmë shqiptarët dalëngadalë po e kuptojnë. Veçanërisht në rajonin rural ku largimi është kthyer në bisedë të ditës.
    Popullsia është përgjysmuar
    Shtrirja në çdo cep të jetës i mjerimit, por edhe tendenca për t’u larguar janë bisedat e ditës në rajonin verilindor të vendit. Aq sa karakteristikë në këtë rajon është edhe fakti se vetë banorët që kanë mbetur, i nxisin të rinjtë për t’u larguar drejt emigracionit. Madje ditët e fundit ka nisur largimi edhe i pensionistëve. Bashkë me fëmijët me aftësi të kufizuar. Thonë se, këtu nuk i ndihmon njëri për përballimin e jetës, andej, të paktën do ti ndihmojnë për përballimin e shpenzimeve për fëmijën e sëmurë.
    Kësisoj shpopullimi i këtij rajoni është evident. Edhe pse politikanët e pafytyrë i dëgjojmë të kakarisin se, “po gënjehen duke u larguar”. Ndërsa përpiqen t’i fshehin shifrat e vërteta të shpopullimit. Po nuk mund të fshihet e vërteta: në vitin 1991 rrethi I Kukësit që kishte brenda edhe Hasin kishte një popullsi prej rreth 110 mijë banorë. Ndërsa rrethi i Tropojës një popullsi prej 52 mijë banorësh. 
    Sot qarku i Kukësit ka vetëm rreth 83 mijë banorë, prej të cilëve: rrethi i Kukësit, rreth 41 mijë banorë, rrethi i Hasit rreth 15 mijë banorë, rrethi i Tropojës rreth 26 mijë banorë. Pavarësisht ç’farë ka ndodhur deri tani, fenomeni i shpopullimit vazhdon me të njëjtat ritme. Aq sa është i njohur fakti se, çdo i ri që largohet nuk kthehet më në vendlindje. Në përshpejtimin e ritmeve të largimit ndikim ka dhënë vecshkallës në rritje të mjerimit, edhe niveli në rritje i korrupsionit. Vecanërisht në këto dy vitet e fundit, kur pas vendosjes së një pushteti primitive familjar u përjashtuan nga cdo front pune cdo njëri që nuk i përkiste familjes në pushtet.Ndaj këtij fakti hesht e ashtuquajtura “rilindje” edhe pse shumica e stërvarfëruar po klith dhe kërkon ndëshkimin e këtij pushteti idiot dhe i paparë deri tani akund tjetër. 
    Në kërkim të një vendi pune
    Të nisësh të kërkosh një vend pune është një ferr i vërtetë që mund të të dërgojë drejt vetvrasjes. Është e turpshme, por tani emërimi në një vend pune bëhet vetëm nëse je i afërm i ndonjë militanti të “rilindjes” apo i ndonjë drejtuesi maskara, përndryshe edhe pse mund të kesh mbaruar shkëlqyeshëm arsimin e lartë askush nuk të përfill. “Rilindja” përpiqet të mashtrojë opinionin përmes konkurseve, apo testeve që janë, janë vetëm sa për t’i hedhur hi syve komunitetit. Tashmë askush nuk u beson atyre. Gjithcka vendoset nën rogoz nga familja. Mashtrimi është bërë mbytës. Sa për të shpëtuar rruga e shpëtimit është bërë largimi drejt emigracionit. Shumica që po noton nën mjerim po e sheh si rrugën e vetme të shpëtimit.Vecanërisht në rajonin verilindor ku gjithcka është shkatërruar nga mashtruesit “rilindas” që tashmë kanë ngjallur urrejtjen e shumicës. Sa edhe këto ditë kanë përfituar mallkimin e gjithë shoqërisë. Kur shkollat po shkojnë drejt mbylljen janë kujtuar të largojnë drejtues shkollash për t’i zëvendësuar me bijtë e tyre, Pa asnjë moral këta mashtrues duhen mallkuar me breza. Sepse kësisoj nuk ka vepruar njeri deri më sot. Aq sa edhe Ministren e tyre e kanë kthyer në shefe kuadri për të mbuluar poshtërsitë që kryejnë cdo ditë. Tashmë është i njohur fakti se në rajonin verilindor sektori më grotesk është arsimi. Kjo edhe sepse paradoksalisht brenda një viti janë ndërruar 5 drejtorë rajonalë, gjë që ka shkaktuar një rrumpallosje të plotë të të gjithë sektorit. Aq sa në një prej shkollave të mesme për më shumë se një javë ishin emëruar njëherësh dy drejtorë, ndërsa nxënësit shetisnin rrugëve të qytetit. Idiotizma të tilla janë të shumta në këtë sektor që prej dy vjetësh thuajse është krejtësisht i shkatërruar. 
    Pas votimeve të 21 qershorit merr jetë një parti e re
    Nën këtë rrumpallosje ku e kanë çuar situatën “rilindasit” mallkimi ndaj tyre po bie gjithnjë e më shumë edhe nga socialistët e thjeshtë që ndihen krejtësisht të tradhëtuar. Ata nuk pranojnë t’i thërrasësh rilindas, vetëm duke tundur kokën thonë: ne jemi socialist dhe jo rilindas. Për ne rilindasit janë një grup mashtruesish që i kanë hipur në qafë gjithë shqiptarëve. Dhe nuk ia përtojnë të të thonë: mos ua jepni votën rilindasve mashtrues. Votën jepjani kujt të doni, por jo rilindasve. Ndërsa shtojnë se nuk do të qëndrojnë kështu gjatë. Menjëherë pas zgjedhjeve do të lëvizim dhe do të ngremë partinë tonë socialiste. Ne jemi shumë, mjaft jemi gënjyer nga me nder me thënë rilindasit. Do t’i dalim zot vendit, por edhe anëtarësisë sonë të braktisur krejtësisht. 
    Humbja e perspektivës
    Sot për sot, gjithë shqiptarët kanë humbur çdo perspektivë. Ndërsa rilindasit për t’i mashtruar nxjerrin vendime pas vendimesh për t’u treguar se punët po ndreqen. E çfarë po ndreqet kur administrata është zaptuar plotësisht nga më të paaftët e familjes së drejtuesve ? Është kjo arsyeja që për shumicën e shqiptarëve ka humbur i gjithë besimi se diçka mund të ndryshojë. Tashmë e dinë se faji më së shumti është i politikës idiote të ndjekur gjatë këtyre 25 viteve të demokracisë, që jo vetëm se gjithçka u shkatërrua, por në radhë të parë morali i njeriut u tjetërsua. Kjo ka bërë që shqiptarëve t’u mbushet mendja se, sido të vijë puna e kush do mund të hipë në karrigen e pushtetit, puna do të shkojë rrokopujë dhe asgjë nuk do të ndryshojë për mirë. Sido të vijë puna, qeveritarët do të vazhdojnë të vjedhin e të punësojnë familjarët e tyre. Por edhe të vjedhin. Sepse e dinë: askush nuk do t’i ngasë. Sepse nëse kemi ndonjë sektor ku gjithçka është shkatërruar dhe nuk mund të ndreqet me arnime ai është sektori i me nder me thënë i drejtësisë. Bile edhe me nder me thënë këtij sektori është e kotë sepse edhe kaq nuk e meriton. Në këto kushte shumica po sheh si mjet shpëtimi vetëm barkën e emigracionit. As nuk do t’ia dijë për për patriotizëm, të cilin e sheh si një mjet mashtrimi nga pakica që po e plaçkit vendin, nga familja që ka zaptuar pushtetin. Të gjithë duan të largohen me synimin për të mos u kthyer më në këtë vend që siç thonë: sundohet nga mafia dhe një grup mashtruesish. Kjo ka bërë që vetëm nga qarku i Kukësit të largohen në emigracion gjatë periudhës janar – mars mbi 4000 persona. Një ritual që vazhdon pa ndërprerje. Ashtu si radha e gjatë në sportelin e gjendjes civile për nxjerrjen e një pasaporte biometrike.
    Sigal