Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha!

1929
Nga Ergys Alushi
-Ardhja e Sulltan Mehmetit në Vlorë synonte të zgjaste sundimin e Perandorisë Osmane në vendin tonë e të pengonte lëvizjet e shqiptarëve për shkëputje nga Perandoria. Vendosja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) në Vlorë u shoqërua me mosmarrëveshje të shumta midis anëtarëve të saj dhe kryetarit të qeverisë së Vlorës, Ismail Bej Vlora.

-Presidenti Wilson me anën të një memorandumi deklaron se skela e Vlorës midis të tjerave, mund t’i mbetet Italisë duke shtuar këto fjalë për t’u vënë re: “Besoj se do të ketë marrëveshje të përbashkët.” Amerikanët kishin ardhur në Vlorë me urdhër të Presidentit Amerikan, Wilson, me qëllimin për të ndjekur zhvillimet në vend, për të parë se, “sa shqiptarët ishin shqiptarë”, dhe nëse ata e meritonin lirinë. 

-Në vitin 1920, Bajram Curri i drejtoi një promemorie Leninit me të cilën kërkon prej tij që ta ndihmojë Shqipërinë për t’i dhënë të drejtat e veta. Për t’i kthyer krahinat shqiptare të grabitura nga shovinistët serbë. Më 4 shkurt të vitit 1924, Parlamenti I Shqipërisë mban 5 minuta zi për vdekjen e udhëheqësit të shtetit të parë socialist në botë, Vladimir Iliç Leninin. 

-Në 25 maj, të vitit 1959, Shqipërinë do ta vizitonte Sekretari i Parë i B.R.S.S, Nikita Hrushov. Ndër shumë qytete e fshatra që vizitoi për disa ditë me radhë, Vlora do të ishte stacioni i fundit i vizitave. 

-Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, inspektonte ishullin e Sazanit, të fortifikuar dhe të armatosur për një luftë të vërtetë, 38 anije luftarake të NATO-s, patrullonin në detin Adriatik. Ishte ky grumbullimi më i madh i anijeve luftarake, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ardhja e Bushit të Madh, i cili në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992 ia kishte lënë vendin Presidentit Bill Klinton, ndodhte pas zgjedhjeve të Majit 1996, zgjedhje të cilat u shoqëruan me problematika të shumta, deri dhe në rrahjen masive të opozitës, pa kursyer as drejtues të saj. 

-Për të zbutur sadopak zemëratën e shqiptarëve, por kryesisht të vlonjatëve, që humbën dhe numrin më të madh të njerëzve në këtë tragjedi, por edhe për të kërkuar ndjesë, në fund të muajit maj 1997, do të vinte në Shqipëri e më pas në Vlorë, kryeministri i Italisë, Romano Prodi.
Historia e Shqipërisë është e mbushur me luftëra e gjak të derdhur ndër shekuj prej shqiptarëve që gjithmonë e në asnjë rast të vetëm nuk kanë qenë agresorë, por kanë mbrojtur vetëm tokën e tyre nga pushtues të shumtë e të ndryshëm. Historia e Shqipërisë është e mbushur me ngjarje e personazhe ku kanë qenë protagonistë udhëheqës shtetesh të fuqishme, që nga Evropa e deri në Amerikë. Udhëheqës e shtete që kanë qenë të lidhur me fatet e Shqipërisë, nëpërmjet vendimeve e traktateve të hapura e të fshehta. Që nga Sulltanët e fundit të Perandorisë Osmane, Lenini i Revolucionit të Tetorit e deri tek Presidenti amerikan Wilson. Udhëheqës e shtete që i janë gjendur në krah Shqipërisë apo që e kanë dëmtuar me vendimet e tyre në periudha të ndryshme nëpërmjet Komisioneve Ndërkombëtare të Kontrollit siç ishte ai i vitit 1913 që u vendos në Vlorë.

Po cilat janë disa nga këto ngjarjet e personazhet në historinë e Shqipërisë?
Kur Sulltan Mehmeti nuk erdhi dot në Vlorë!

Në mars të vitit 1911, ndërsa krahinat e Jugut të Shqipërisë, dhe shumë patriotë të Vlorës, ishin organizuar për një kryengritje të armatosur, një ngjarje e papritur ndodhi në qytetin e Vlorës.

Eqrem Bej Vlora dhe Syrja Bej Vlora, vendosën t’i drejtonin një kërkesë Sulltanit, që ai të vizitonte qytetin e Vlorës. Ata përgatitën dhe një kërkesë zyrtare, të cilën filluan ta firmosnin njerëz të parisë së Vlorës, por edhe shtresa të tjera, të cilët ishin dakord që Sulltani të vizitonte qytetin e Vlorës. Një propozim i tillë, që binte ndesh me përgatitjet për kryengritjen e armatosur, shkaktoi kundërshtimin e shoqërisë “Dora e Zezë”. Qyteti u nda më dysh. Mbështetësit e ardhjes dhe mosardhjes së Sulltanit në qytet, zhvilluan një fushatë për të tërhequr sa më shumë njerëz pas vetes. Një grup kundërshtarësh të kësaj vizite, shkuan në Korfuz për t’u takuar me Ismail Bej Vlorën, i cili propozimin e Eqrem Bej Vlorës, kushëririt të tij, do ta kundërshtonte prerë dhe hapur disaprovonte vizitën e mundshme të Sulltan Mehmetit, në një intervistë të dhënë për një gazetë italiane. Krahas kundërshtimit në opinion të vizitës së Sulltanit, drejtuesit e shoqërisë “Dora e Zezë”, në bashkëpunim me krahina të tjera, përgatitën dhe kryengritjen e armatosur, e cila do ta pengonte ardhjen e Sulltanit në Vlorë, për shkak të situatës jo të qetë e të rrezikshme në Vlorë e në rrethinat e saj. Alem Mehmeti, Sadik Shaska, Gjolekajt në Kuç, do të ishin disa nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur. Në Drashovicë, do të mblidheshin rreth 3 mijë luftëtarë, të gatshëm për luftë deri në autonominë e Shqipërisë. Komandant i forcave të armatosura, do të zgjidhej Ibrahim Abdyllahi. Ardhja e Sulltanit në Vlorë synonte të zgjaste sundimin e Perandorisë Osmane në vendin tonë dhe për kundërshtarët e këtij sundimi do të ishte bash një shenje force edhe një shenjë dashurie që do të tregonin shqiptarët për këtë Perandori gjatë vizitës që ai do të kryente në Vlorë.
Fuqitë e Mëdha dërgojnë në Vlorë Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, më 16 tetor 1913
Vendosja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) në Vlorë u shoqërua me mosmarrëveshje të shumta midis anëtarëve të saj dhe kryetarit të qeverisë së Vlorës, Ismail Bej Vlora. KNK ishte krijuar me vendim të Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër (dhjetor 1912- gusht 1913). KNK u mblodh për herë të parë në Vlorë në 16 tetor 1913, gati dy muaj e gjysmë pas vendimit të Konferencës së Londrës. Ai nuk mund t’i bënte bisht çështjes së parë kryesore, qëndrimit kundrejt Qeverisë së Përkohshme. Caktimi i delegatit të Shqipërisë në KNK ishte imponimi i parë që KNK i bëri Ismail Bej Vlorës. Me gjithë kundërshtimin e këtij të fundit, KNK caktoi në këtë post, Myfit Bej Libohovën, si njeri “i fituar për kauzën austriake”, i cili pas këtij vendimi dha dorëheqjen nga qeveria e Vlorës.

Ismail Bej Vlora kishte propozuar Luigj Gurakuqin si delegat të Shqipërisë në KNK, por nuk ia pranuan propozimin. Në mbledhjen e dytë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, më 18 tetor u diskutua në mënyrë më të drejtpërdrejtë për qëndrimin ndaj qeverisë së Vlorës duke u imponuar për një pajtim midis Ismail Bej Vlorës dhe Esat Pashë Toptanit (sipas procesverbalit të mbledhjes së datës 18 tetor). Nëpërmjet “pajtimit”, shtete brenda KNK si Austro-Hungaria dhe Italia synonin bashkimin e Vlorës me Durrësin, për qëllim të interesave të tyre për portet shqiptare. Delegati francez dhe anglez në KNK ishin kundër propozimit për pajtim duke kërkuar vendosjen e kontrollit suprem të KNK duke thënë se “KNK nuk duhet të ngatërrohet në këtë luftë personash”. Delegati francez, Krajewski propozoi këtë procedurë; Ismail Bej Vlora dhe Esat Pashë Toptani të jepnin dorëheqjen dhe pas kësaj të emërohej, i pari guvernator i krahinës së Vlorës dhe i dyti, guvernator i Durrësit. Të zgjidhej dhe një guvernator për Shkodrën e të tre të vendoseshin nën kontrollin e KNK. Pasi KKN mori pushtetin e Qeverisë së Vlorës, të 6 anëtarët e saj ndanë detyrat vepruese. Administrata e përgjithshme u drejtua nga Petroviç (Austro – Hungari) dhe Nadolny (Gjermani), Drejtësia nga Leon (Itali) e Petrojeff (Rusi), Financa nga Krajewski (Francë) dhe Lamb (Britani e Madhe). Nën këtë nivel ushtronte pushtetin administrata shqiptare e përbërë nga drejtorët: Fejzi Alizoti – i Punëve të Brendshme, Petro Poga – i Drejtësisë, Gjergj Çako – i Financës, Luigj Gurakuqi – i Arsimit, Lef Nosi –i Postë Telegrafëve.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrolli ishte pushtet ekzekutiv i dërguar nga Fuqitë e Mëdha, formimi i të cilit ishte vendosur në Konferencën e Ambasadorëve, më 29 korrik 1913, duke pasur qëllim kryesor organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja do të merrej me kontrollimin e administratës civile, të financave si dhe me hartimin e një projekti të hollësishëm për organizimin e të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë, duke pasur një mandat 10-vjeçar KNK-së, i zgjatshëm në rast nevoje.
Fati i zi i Vlorës
Presidenti Wilson: “Besoj se do të ketë marrëveshje të përbashkët që nisinë Lissa t’i jepet Italisë dhe ajo (Italia) të mbajë skelën e Vlorës”
Pas një lufte diplomatike të rreptë midis përfaqësuesve të Italisë dhe Presidentit Wilson, përmbi çështjen e Adriatikut Presidenti i Shteteve të Bashkuara i dha zotit Orlando një memorandum në 14 të prillit, me anë të cilit shtron mendimet e tij përmbi çështjen e Adriatikut, të cilën Presidenti thotë se e studioi duke i dhënë më shumë kohë dhe më shumë kujdes se çdo çështjeje tjetër. Me anën të këtij memorandum Presidenti Wilson deklaron se skela e Vlorës midis të tjerave mund t’i mbetet Italisë duke shtuar këto fjalë për t’u vënë re “besoj se do të ketë marrëveshje të përbashkët…” Përfaqësuesit e Italisë nuk u kënaqën me ato që u dha Presidenti Wilson, se përveç këtyre kërkojnë edhe Fiumën, edhe nga ky shkak zoti Orlando dhe Sonino u ngritën dhe shkuan nga Parisi. Të dy palët të shtrënguar nga kjo ngjarje u panë të shtrënguar të lajmërojnë botën përmbi bisedimet dhe vendimet që bënin prapa perdes, po kështu edhe neve mësuam lajmin e zi për fatin e Vlorës, e cila ra si një rrufe përmbi kryen të çdo Shqiptari të vërtetë, se cili do prej nesh e kupton fort lehtë se Vlora, vendi i shenjtë ku u proklamua independenca e Shqipërisë, edhe ku çlodhet trupi i prindit i kombit Shqiptar, i Ismail Qemalit, është zemra e atdheut, edhe sikundër trupi i njeriut nuk mund të rrojë pa zemër, ashtu edhe Shqipëria nuk mund të rrojë pa Vlorën. Përveç kësaj ky lajm ra si një rrufe përmbi krerët e Shqiptarëve, sepse e kuptuan se edhe parimet të Presidentit Wilson, në të cilin kishin një besim të patundur, duke u besuar se do të qëndrojë edhe do të luftojë për të mbrojtur të drejtat e kombësive të vogla, ishin vetëm fjalë të thatë dhe se ai si gjithë diplomatët e tjerë që janë mbledhur në Paris, për të bërë paqe, nuk do të bëjnë një paqe mbi themel të drejtësisë po mbi themel të kërkimeve ngadhënjyese të Fuqive të Mëdha duke lënë mënjanë parimin se të drejtat e kombeve të vogla janë gjithaq të shenjta sa dhe të drejtat e fuqive të mëdha.

Rekomandimi që bën Presidenti Wilson që skela e Vlorës t’i mbetet Italisë është një goditje vdekje për që i jepet Shqipërisë, edhe dhembjen të kësaj goditje Shqiptarët e ndiejnë më tepër sot se u vjen nga ai që e besonin se ishte shpëtimtari i atdheut tyre. Tani detyra e çdo shoqërie, e çdo grupi shqiptar, edhe e çdo patrioti është të drejtohet Presidentit Wilson me një shkrim duke i thënë se shqiptarët nuk janë në një mendim me Z-tij që Vlora t’i mbetet Italisë edhe t’i luten që rekomandimin që bën që skela më e shënuar e Shqiptarisë, vendi i shenjtë i independencës atdheut tonë të dashur nuk mund të mbetet nën zgjedhë të huaj sa kohë që mbetet i gjallë mbi dhe edhe një bir i Skënderbeut. 

(Mihal Grameno, Gazeta “Albania”, 29 maj 1919 (Botohet me shkurtime)

Aneksimi i Vlorës prej Italisë, është vdekja e Shqipërisë!
Në është se neve protestuam kundër rekomandimit që bëri Presidenti Wilson për Vlorën, në është se kemi luftuar dëshirën e Italisë që ka për ta mbajtur dhe në është se i këshilluam shqiptarët që të mos rreshtin së protestuari kundra mbajtjes së saj prej Italisë, këtë nuk e bëmë vetëm si të detyruar ta bënim ngaqë me këtë mënyrë shkëputet një copë prej trupit të Shqipërisë, po e bëmë se mbajtja e Vlorës prej Italisë është vdekja e Shqipërisë.

Delegatët tanë në Paris, në protestimin që bënë e thoshin haptazi se dhënia e Vlorës te Italia është nisja e shkatërrimit dhe prishjes të Shqipërisë, dhe frikën e delegatëve tanë dhe tonën bashkë, e vërtetuan kërkimet e përnjëhershme të Venizellozit për të marrë dhe Sazanin, e nga ana tjetër kërkimet e Serbisë për të ardhur më poshtë nga ku ndodhet sot.

Po telegrafi që botonte javën e shkuar gazeta New York Times, shtie edhe më tepër dritë në këtë çështje, se Delegatët tanë këtë herë kanë deklaruar që, posa Italia të heqë dorë nga Vlora, Greqia me Serbinë janë gati të heqin dorë edhe ato nga kërkimet e tyre në Shqipëri

Nga deklarata e Delegatëve tanë, kuptohet çiltazi, se në qoftë se ka Vlorë për Shqipërinë, ka edhe Shqipëri ose përkundrazi, në qoftë se Vlora i jepet Italisë Shqipëria është humbur.

Gazeta “Albania”, Prill 1919
Presidenti i SHBA-së, Wilson dërgon këshilltarin e tij në Vlorë
Në vitin 1919 në Vlorë, dhe pikërisht në Skelë, në shtëpinë e Qazim Kokoshit, vijnë një grup amerikan me në krye Konsullin e Përgjithshëm të Evropës, Joze Haven.
Amerikanët kishin ardhur në Vlorë me urdhër të Presidentit Amerikan, Wilson, me qëllimin për të ndjekur zhvillimet në vend, për të parë se “sa shqiptarët ishin shqiptarë” dhe, nëse ata e meritonin lirinë. Këta amerikanë, rreth 30 burra, qëndruan në Vlorë për 10 ditë në shtëpinë e Qazim Kokoshit. Tahir Hoxha, nga Tragjasi i Vlorës, ka qenë anëtar i komisionit që priti dhe shoqëroi në Vlorë amerikanët. Ky komision, në përbërje të të cilit ishin edhe amerikanët, organizuan Luftën e Vlorës. Pa zbritur mirë në portin e Vlorës, grupit iu bë një ftesë së bashku me Jozef Havenin, që të qëndronin në vilën e gjeneralit italian Piaçentini, por kjo ftesë u refuzua dhe ata qëndruan në shtëpinë e Qazim Kokoshit. Italianët dyshonin te ardhja e amerikanëve në Vlorë, por nuk mund të vepronin. Amerikanët, pasi u larguan nga Vlora, shkuan të Tepelenë, ku i priti i gjithë populli. Shumë djem të rinj ishin të veshur me flamurin amerikan.

Prej këtej shkuan në Gjirokastër, ku për 3 ditë bujtën në shtëpinë e Javer Hurishtit, që në atë kohë ishte një ndër pasanikët e Gjirokastrës. Ata shkuan në Korçë dhe në Pogradec.
Kur Bajram Curri i shkruante Leninit
Bajram Curri nuk ishte vetëm një patriot e luftëtar i shquar i lirisë, por edhe një demokrat i madh revolucionar. Pas fitores së Revolucionit të Tetorit në Rusi, Bajram Curri u bë një përkrahës i këtij Revolucioni. Denoncimi nga qeveria sovjetike i bëri traktatit të fshehtë të Londrës që kish për qëllim copëtimin e Shqipërisë, ngjalli tek ai një besim e mirënjohje për Bashkimin Sovjetik dhe kryetarin e qeverisë Sovjetike, Leninin. Bashkëkohësit e tij kanë treguar se ai qe quante Leninin “hazret” (i madhërishëm). Në vitin 1920, Bajram Curri i drejtoi një promemorie Leninit me të cilën kërkon prej tij që ta ndihmojë Shqipërinë për t’i dhënë të drejtat e veta. Për t’i kthyer krahinat shqiptare të grabitura nga shovinistët serbë.

Vijon nesër…
Sigal