Shqipja, 40 vjet pas standardizimit të saj

814
Sigal

Gjuha letrare e njësuar është për ne një çështje me rëndësi të madhe kulturore e kombëtare. Bazat e shqipes së sotme letrare u hodhën gjatë Rilindjes. Por në atë periudhë u arrit vetëm vendosja e një alfabeti të përbashkët (më 1908, në Kongresin e Manastirit). Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar u arrit në Kongresin e Drejtshkrimit; pra 40 vjet më parë: Që prej asaj kohe gjuhësia shqiptare, duke përmbushur detyrat që shtroi ai Kongres, ka hartuar një varg veprash themelore normative, që tashmë njihen. Këto vepra kanë pasur një ndikim të frytshëm për zotërimin dhe zbatimin e normës letrare. Tashmë që kanë kaluar katër dekada, mendoj se synimi ynë është që të njohim më mirë veçoritë e përdorimit dhe prirjet e zhvillimit të gjuhës letrare në të gjithë hapësirën ku përdoret ajo. Mbi këtë bazë do të përcaktohet më saktë norma letrare kombëtare, do të bëhen plotësime e përmirësime në veprat normative, do të ndërmerren studime të reja për probleme të veçanta të normës; që nuk janë trajtuar ende në mënyrë të mjaftueshme.

Herë pas herë është folur se si duhet vlerësuar ky kongres sot pas dyzet vjetësh, kur është përmbysur diktatura dhe po ndërtohet një shoqëri demokratike pluraliste? Mendoj se Kongresi i Drejtshkrimit duhet vlerësuar për atë që arriti dhe jo nga pikëpamja e regjimit që sundonte në Shqipëri në atë kohë. Ai kongres ishte në radhë të parë një tubim shkencor gjithëkombëtar. Ishte e para herë që mblidheshin përfaqësues të gjithë kombit shqiptar në një tubim të tillë. Në Kongresin e Drejtshkrimit u paraqit teza se shqipja e sotme letrare përfaqëson një koine sui generis (një shkrirje dialektesh e një lloji të veçantë). Ka pasur dhe ka, veçanërisht sot, mjaft diskutime për këtë tezë. Edhe në konferencën tonë që do të mbajmë këtë disa kumtesa do të trajtojnë këtë çështje, e cila mendoj se sot i takon historisë së formimit të gjuhës letrare. Diskutimi shkencor duhet të çlirohet një herë e mirë nga disa pasione krahinore-dialektore që ushqehen kryesisht prej diletantësh. Toskërishtja dhe gegërishtja janë në radhë të parë gjuhë shqipe, variante të një gjuhe të vetme, dhe ne të gjithë që flasim këtë gjuhë; jemi shqiptarë e pastaj toskë e gegë, çamë a kosovarë, matjanë a kurvelashas. Sot çështja është si ta mbrojmë nga ndikimet e fuqishme të huaja këtë gjuhë shqipe që mrekullisht mbeti e gjallë nëpër gjithë ato rrebeshe të historisë, si ta pastrojmë nga elementet e huaja të panevojshme e ta pasurojmë me elemente të brumit të saj. Albanologu i njohur Max Lambertz e ka cilësuar zhvillimin e shqipes letrare në këtë shekull si të pashoq në historinë e gjuhëve letrare të Evropës. Pikërisht kjo perspektivë zhvillimi duhet të tërheqë mëfortvëmendjentonë.

Gjithsesi, ka nga ata që mendojnë se Kongresi i Drejtshkrimit ka qenë i shpejtuar, se duheshin lënë edhe më tej të zhvilloheshin, krahas njëri-tjetrit, të dy dialektet dhe gjuha letrare e njësuar do të formohej më vonë, si të thuash në mënyrë të natyrshme, vetvetiu. Këtyre që mendojnë kështu do t’u përgjigjesha me fjalët e gjuhëtarit të madh të shekullit XX, Ferdinand dë Sosyr: “E lëshuar në mëshirën e fatit të vet, – thotë ai, – gjuha ruan ndarjen në dialekte, prej të cilëve asnjëri nuk derdhet vetvetiu në tjetrin dhe kështu mbetet e dënuar të jetë gjithmonë e copëtuar”. S’ka dyshim se edhe me shqipen po kjo do të kishte ndodhur. Gjuha letrare kombëtare është një marrëveshje shoqërore, që bëhet e nevojshme dhe e mundshme në një shkallë të caktuar të zhvillimit të kombit. Vonesave të tjera historike, ne shqiptarët, nuk kishte pse t’u shtonim edhe një vonesë tjetër, në çështjen e gjuhës letrare.

Ndërkaq ka të tjerë që mendojnë se ndërprerja e traditës së përdorimit të gegërishtes letrare pas Kongresit të Drejtshkrimit ka qenë një humbje për kulturën kombëtare, veçanërisht për letërsinë, dhe sot po kërkohet që të vijojë ajo traditë, d.m.th. duhet të shkruhet sërish gegërishtja. Unë mund të them se gegërishtja është dialekti me traditën më të gjatë të shkrimit. Formula e Pagëzimit (1462) dhe “Meshari” i Gjon Buzukut (1555) janë shkruar gegërisht. Po kështu Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi etj., për të ardhur më vonë te Fishta, Mjeda, Gurakuqi, Shiroka, R. Siliqi, Migjeni, E. Koliqi, M. Camaj dhe një varg autorësh të tjerë të sotëm (përfshirë edhe autorët nga Kosova, që kanë shkruar gegërisht deri para 20-25 vjetësh). Kjo është një pasuri e vërtetë e kulturës sonë kombëtare, ashtu siç është edhe letërsia e shkruar thjesht toskërisht (duke përfshirë edhe letërsinë arbëreshe). Pasuria letrare e shkruar në dialektin gegë kurrsesi nuk mund të nënvleftësohet e të mënjanohet nga kultura kombëtare. Deri tani është synuar t’u mësohet nxënësve sa më mirë gjuha letrare, dhe natyrisht kjo është kryesorja. Por, duke parë se ç’bëjnë edhe të tjerët, mendoj se ky vështrim i ngushtë duhet kapërcyer, nxënësit duhet të mësojnë jo vetëm gjuhën letrare të sotme, por të kenë njohuri edhe për etapat e zhvillimit të saj, për veçoritë dialektore, për veçoritë e gjuhës së autorëve të veçantë e të folklorit. Kjo kërkon që mësimi i gjuhës amtare (më mirë do ta quaja edukimi gjuhësor) të shtrihet edhe në shkollën e mesme, të lidhet më ngushtë me letërsinë dhe kjo lëndë të jetë doemos një ndër provimet e pjekurisë, siç e kanë edhe vende të tjera. Ndryshe, kultura gjuhësore e brezit të ri mbetet e mangët dhe shija gjuhësore e pazhvilluar. Tani për çështjen se a mund të shkruhet gegërishtja letrare sot. Në qoftë se dje një veprim i tillë do të vështrohej si kundërvënie ndaj politikës e ideologjisë zyrtare, sot kjo as që mund t’i shkojë kujt ndër mend. Çështja është te motivimi i kësaj zgjedhjeje. Këtë temë e ka përballuar prof. Rexhep Qosja në kumtesën “Shkrimtarët dhe gjuha letrare”, mbajtur në Kongresin e Drejtshkrimit, të cilën është mirë ta lexojë gjithkush shtron para vetes pyetjen e mësipërme. Më në fund desha të shtoj se, me sa di unë, çështjen që të shkruhet gegërishtja nuk e kanë ngritur shkrimtarët (atyre do t’u takonte ta shtronin këtë shqetësim si krijues), po disa filologë, kryesisht të një brezi të moshuar. Duke përqafuar gjuhën letrare kombëtare, shkrimtarët nga zonat e Veriut i drejtohen gjithë kombit dhe kombi, ynë siç na thonë demografët; e ka moshën mesatare rreth 27 vjeç. Ky fakt nuk mund të lihet mënjanë. Pra, duhet hetuar se si e gjykojnë edhe brezat e rinj këtë çështje. Atyre u takon e ardhmja.

* Profesor