Shqipëria paguan më shtrenjtë energjinë elektrike se vendet e rajonit

    366
    Sigal

    Artur Çani zbulon skandalin e tenderit/ CEZ, miliona euro humbje nga blerja e energjisë

     Emisioni “Ajsberg” i gazetarit Artur Çani në “News24” denoncoi tenderin e zhvilluar nga kompania “CEZ Shpërndarje” për blerjen e energjisë për periudhën 1 janar 2014 deri në 31 janar 2014. Përmes dokumenteve të siguruara nga gazetari Çani, pasi të dhënat për tenderin nuk ishin publikuar në faqen online të Agjencisë së Prokurimeve Publike, një shkelje kjo e rregullores nga ana e kompanisë CEZ, thuhet se: “CEZ Shpërndarje” ka shpallur kërkesën për blerje të energjisë në 26 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ofertat e tenderit janë mbyllur në po të njëjtën datë, duke mos respektuar afatin prej 24 orësh nga hapja e procedurave. Në përfundim të negociatave me kompanitë e ofruara “CEZ Shpërndarje” vendos të lidhë kontratë me kompaninë EFT, me një çmim prej 69.75 euro për megavat/orë, me një vlerë prej 15 milionë e 256 mijë e 836 euro.

    Ndërkohë, vetëm 20 ditë më pas, KESH kërkon të blejë energji për periudhën 1 shkurt-28 shkurt 2014. Kontrata lidhet sërish me kompaninë EFT, por me një diferencë në çmim prej 20 euro për megavat/orë më pak dhe me një vlerë prej 10 milionë e 871 mijë e 179 euro. Nga një përllogaritje mes dy tenderave të zhvilluar në një diferencë kohore prej 20 ditësh konstatohet se: “CEZ Shpërndarje” ka blerë energji me një vlerë prej 4 milionë e 385 mijë e 656 euro më shumë se sa Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare.

     Liberalizimi i tregut të shpërndarjes së energjisë ul çmimet

     Në kohën, kur është ndezur debati për çmimin e energjisë në Shqipëri, pas zbardhjes së marrëveshjes me FMN ku njëri nga kushtet është rritja e çmimit të energjisë, Open Data Albania ka sjellë një seri të dhënash, që tregojnë se familjarët në Shqipëri paguajnë më shumë se vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Rumanisë. Open Data sqaron se të dhënat për këtë studim janë siguruar nga Eurostat.

    Kështu, Eurostat vlerëson se çmimi efektiv i paguar nga familjet shqiptare për energjinë elektrike është në masën 0.116 euro për kWh për vitin 2013. Të dhënat janë për tremujorin e parë të vitit 2013, kur konsumi i familjeve shqiptare është më i lartë se sa në verë dhe rrjedhimisht edhe çmimi mesatar i paguar është më i lartë.

    Çmimet zyrtare të energjisë elektrike në vend nuk ka ndryshuar që nga viti 2008.

    Në rajonin e Ballkanit vetëm Rumania ka çmim më të lartë prej 0.132 eurosh për kWh, ndërsa vendet e tjera e kanë çmimin më të ulët.

    Mali i Zi e ka 0.1 euro për kWh, ndërsa familjet në Bullgari paguajnë 0.092 euro për kWh.

    Në Bosnje dhe në Maqedoni gjendet çmimi më i ulët i energjisë elektrike për familjet në masën 0.08 euro për kËh.

    Në Bashkimin Europian çmimi i energjisë elektrike është afërsisht 80 për qind më i lartë se sa në Shqipëri, ose 0.2 euro për kWh.

    Vendi më i shtrenjtë është Danimarka, ku energjia elektrike kushton 0.3 Euro për kWh, kryesisht si pasojë e kostos së lartë të burimeve të reja të energjisë së rinovueshme si era, për të cilën Danimarka është e famshme.

    Me përjashtim të vendeve të reja anëtare, Franca është një prej vendeve me çmim të ulët të energjisë për konsumatorët familjarë prej 0.147 eurosh për kWh, kryesisht si pasojë e përdorimit të lartë të energjisë bërthamore nga ky vend.

    Heqja e fashës prej 300 kilovatësh

     Ndërkohë që Enti Rregullator i Energjisë po merr në konsideratë heqjen e fashës së mbrojtur të konsumit deri në 300 kilovat. Kryetari i Entit, Petrit Ahmetaj tha se orientimi është që vitin tjetër të shkohet drejt një tarife të njehsuar për energjinë elektrike.

    “Struktura e çmimit, e cila është në dy blloqe nga pikëpamja e zbatueshmërisë te kompania ka hasur probleme, sepse vlerësimi i çmimit në dy blloqe do të thotë që mekanizmi i leximit duhet të jetë shumë korrekt që lidhet me datat e leximit, pra duhet të respektosh periudhën njëmujore. Por nuk është vetëm ky një nga faktet, sepse brenda kësaj strukture ekziston mundësi që të abuzohet me konsumatorin”, tha Ahmetaj.

    Çmimi i energjisë në Shqipëri

     Aktualisht çmimi i energjisë llogaritet me dy blloqe. Për konsumin deri në 300 kilovat në muaj, familjarët paguajnë 7.7 lekë, ndërsa për sasinë që konsumohet mbi këtë fashë çmimi është 13.5 lekë. Gjasat janë që të shkohet drejt një çmimi të njehsuar, i cili do të jetë ndërmjet të dyve. “Unë nuk mund të them sot një çmim të ri, sepse ajo duhet të jetë në bazë të një analize, por edhe nëse do të jetë më i lartë se çmimi i fazës së mbrojtur, gjithmonë mbrojtja e konsumatorëve do të realizohet, flas për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë”, tha Ahmetaj. Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator tregojnë se mbi 75 për qind e familjeve shqiptare kanë një konsum mujor energjie deri në 300 kilovat orë.

    Njehsimi i çmimit në një nivel më të lartë se 7.7 lekë do të sillte automatikisht rritjen e faturës mujore që ata paguajnë për energjinë. Masa e rritjes do të varet nga çmimi i ri që do të përcaktohet. Qeveria thotë se do të mbrojë shtresat në nevojë dhe një nga variantet e përfolur është ai i kompensimit me para në dorë për 100 mijë familjet, të cilat janë në skemën e ndihmës ekonomike. Kjo është sa rreth 12 për qind e totalit të familjeve.

    Opinion/ Shqiptarët të abuzuar nga monopolizmi i shpërndarjes së energjisë

     Në kuadrin e reformave qeveria shqiptare nuk duhet të lërë pas dore reformën energjetike, ku të përfshihet liberalizimi i tregut të shpërndarjes. Zhdukja e monopolit patjetër që do të sillte uljen e çmimit të energjisë elektrike te fundori (qytetari) dhe jo rritjen e saj. Sipas kreut të ERE-s duket se po shkojmë drejt njehsimit të çmimit të energjisë, duke hequr fashën deri në 300 kilovat. Në këtë mënyrë do të penalizohen 75 % e familjeve shqiptare që nuk e kalojnë këtë prag dhe kjo do të thotë një rritje automatike e faturës mujore për ta. Edhe një herë qeveria shqiptare penalizon ata që paguajnë, pasi masa e rritjes do të varet pikërisht nga çmimi i ri që do të përcaktojë qeveria. Çmimi i njehsuar do të jetë ndërmjet 7,7 dhe 13,5 që do të thotë do të jetë diçka, ose më saktë përflitet te 10 lekë për kilovat. Edhe pse KESH-i ia shet energjinë CEZ-it me një vlerë mesatare prej 2,4-2,5 lekë, te fundori kjo vlerë shtohet për dy arsye: Së pari, llogariten humbjet për ata që nuk paguajnë që janë rreth 50 % e popullsisë, pra një familje që paguan merr përsipër dhe koston e asaj që nuk paguan, kështu që kostoja për këto familje shkon në 5 lekë. Dhe së dyti, është norma e fitimit që CEZ parashikon të ketë. Kështu që duke bërë këto llogari edhe çmimi 8,4 lekë për kilovat do të përmbante në vetvete edhe një normë fitimi të konsiderueshme për CEZ. Ndërsa çmim më të lartë se kjo do të thotë abuzim ndaj konsumatorit që paguan. Në këto kushte edhe nëse vërtetohet kjo babëzi e CEZ, sërish qytetari shqiptar është i detyruar të marrë shërbimin për shkak të monopolit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Ndaj për konsumatorin është shumë e rëndësishme të liberalizohet tregu i shpërndarjes dhe ai të zgjedhë shërbimin dhe tarifat që i leverdisin.