Shqipëria firmos me Kanadanë për Sigurimet Shoqërore

    341
    Firmoset Deklarata e Qëllimeve si një angazhim për finalizimin e Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore, mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Kjo marrëveshje për Sigurimet Shoqërore, e cila do t’i vijë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kanada, u firmos nga Ministrit i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologun e tij kanadez Rob Nicholson. Në takimin e zhvilluar me homologun e tij, Ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-kanadeze, të cilat karakterizohen nga një frymë e konsoliduar miqësie, vlera që dy vendet ndajnë ndaj demokracisë, si dhe partneriteti i ngushtë në NATO. Më tej, Ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e plotë që Kanadaja ka dhënë ndër vite për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, asistencën ushtarake, financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri, ndërsa shtoj se paraqitet si domosdoshmëri dinamizmi dhe konkretizimi i mëtejshëm i projekteve konkrete, nxitja e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, si dhe plotësimi i kuadrit të plotë ligjor. Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm rritjen e prezencës se kompanive kanadeze në Shqipëri dhe evidentoi faktin që Kanadaja është investitori i parë në vend. Ku sipas tij, kjo gjë krijon nevojën për të strukturuar më tej marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet instrumenteve ligjorë të përditësuar në fushën e taksimit të dyfishtë dhe mbrojtjes së investimeve. Ndërsa nga ana e tij, Ministri Nicholson, rikonfirmoi vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik të nivelit të lartë mes dy vendeve tona si dhe shprehu angazhimin e plot për forcimin e bashkëpunimit politiko-diplomatik, kryesisht përmes nxitjes së kontakteve në të gjitha nivelet e bashkëpunimit dypalësh. Të dy ministrat u angazhuan të çojnë përpara bashkëpunimin e shkëlqyer për çështjet e sigurisë, adresimin e krizave globale, luftën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme si dhe shkëmbyen pikëpamje në kuadër të diskutimeve të pritshme gjatë Ministerialit të NATO-s në muajin maj. Ministri Bushati gjithashtu u prit në një takim edhe nga Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit Kanadez, z. Andrew Scheer dhe grupi i Miqësisë Kanada-Shqipëri, ku u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin parlamentar si një shtyllë kryesore e bashkëpunimit dypalësh. Gjithashtu, Bushati përgëzoi Grupin e Miqësisë Kanada-Shqipëri për lobimin e tyre në favor të tërheqjes së investimeve kanadeze në drejtim të Shqipërisë në fusha të ndryshme, si dhe rritjes se informacionit për vendin tonë.
    Sigal