Shpronësimet, sinjali i parë për “çlirimin” e Amfiteatrit

    447
    Sigal

    DURRËS/Komisioni ka përcaktuar shpronësim banesash në një sipërfaqe prej 400 metër katror

    Komisioni i Shpronësimit në Ministrinë e Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit nisin punën për shpronësimin e banesave në Amfiteatrin e Durrësit. Deri tani është marrë vendimi për dy banesa në arenën e Amfiteatrit. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka miratuar para disa kohësh dy projekte të prezantuara nga një studio urbanistike. Ndërhyrjet konsistonin në arenën e amfiteatrit, në rikonstruksionin e galerive dhe ndenjëses së tij. Të gjitha shtëpitë që janë ndërtuar në trupin e këtij monumenti duhet të hiqen prej aty, me qëllim që të hapet fasada e amfiteatrit e cila nuk mund të shikohet nga asnjë pikë e qytetit, për shkak të ndërtesave dhe të punimeve të kohëve të fundit. Një problem që kanë ndeshur ndeshin për vite me radhë subjektet shtetërore dhe private që kanë marrë përsipër një fushatë gërmimesh dhe restaurimesh në Amfiteatër. Në vitin 2004,  ka pasur në dorë një projekt për gërmimet arkeologjike në Amfiteatër. Bashkia e Durrësit u përpoq asokohe që t’i bënte këto shpronësime, por nuk ia arriti se ritmet e gërmimeve në këtë zonë arkeologjike kanë ecur gjithmonë me ritme të ngadalshme. Kështu po ndodh edhe me gërmimet që ka marrë përsipër të bëjë kohët e fundit, Universiteti i Parmës në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë. Gjithsej, tri javë gërmime në vit dhe këto kohë ata janë në fund të kontratës. Ritmin e ngadaltë të gërmimeve e përmend edhe Sektori Arkeologjisë. Në Amfiteatër janë bërë shpesh gërmime, por asnjëherë nuk iu është afruar banesave. Gjithçka, që është diskutuar ishte një projekt-ide për fillimin e punimeve për restaurimin dhe kthimin në gjendje të ekspozueshme të Amfiteatrit të Durrësit. Projekti kërkon kohë dhe nuk ka vjelë akoma financat. Ndërkohë, ka filluar puna për shpronësimet e banesave që po “i marrin frymën” Amfiteatrit. Është ngritur një Komision për Shpronësimin e Banesave në Amfiteatrin e Durrësit dhe fillimisht do të shpronësohen dy banesat që ndodhen në Arenën e Amfiteatrit, ku gjendet edhe pjesa më e madhe e masivit të dherave. Kjo është në funksion të gërmimeve të gjithë arenës, dhe të konservimit të zonës përreth. Ndërtesat zënë një sipërfaqe prej rreth 400 m2 të dyja dhe llogariten rreth 9000 m3 depozitime. Janë ndërtesa private, janë realizuar në fillimet e shek XX. Po çfarë do të ndodhë me pronarët e shtëpive, që jo në pak raste nuk kanë qenë dakord me gërmimet në Amfiteatër? Komisioni i Shpronësimeve po bashkëpunon me Bashkinë e Durrësit, e cila do të japë zgjidhjen për lëvizjen e banorëve, me synim që të fillojë sa më shpejt gërmimi arkeologjik. Banorët do të kompensohen, sipas vendimeve që do të marrë Komisioni për Vlerësimin e Pasurisë. Ligji nr. 8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, në nenin 4 të tij parashtron: “Shpronësimi dhe marrja në përdorim të përkohshëm të pasurisë private bëhet duke respektuar dhe kompensuar në vlerë, në përputhje me ligjin, të drejtat e të tretëve mbi pasuritë pronë private që shpronësohen, si dhe zhvlerësimin për shkak të shpronësimit të pasurive të reja pronë private që nuk janë objekt i shpronësimit”. Për momentin Komisioni i Shpronësimit është duke pritur një përgjigje nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” të Durrësit për dy banesat brenda kalasë, që janë të parat që do të shpronësohen. Për Amfiteatrin tashmë është hedhur “guri i parë”.