Shpresa Spaho: Dita më e bukur kur dola në skenë me baritonin e madh Italian, Xhuzepe Valdengo

622
Sigal

INTERVISTA/ Flet mexosoprano dhe pedagogia, Shpresa Spaho:  Në Romë dhe në Bon kam luajtur gjithë operat e mëdha botërore

Jeta e saj është shumë interesante. Një jetë plot surpriza, lëvizje, këmbëngulje, konkurse, audicione. Ajo mbetet një ndër mexosopranot më të shkëlqyera shqiptare të të gjithë kohërave. Ka kryer Liceun Artistik “Tefta Tashko” Korçë, dega muzikë dhe më tej është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura si soliste Mexosoprano me pedagoge Shpresa Nishani. Karriera e saj është shumë interesante, pasi me konkurse ajo mundi të hyjë në operat më të mira të Italisë dhe të Gjermanisë. Shumë shpejt do ta gjente veten në skenat e ndryshme të botës si në Itali, Portugali, Maltë, Spanjë, Belgjikë, Suedi, Norvegji, Odes (Rusi), Vancouver Kanada, Gjermani, Holandë, Angli etj…

Çmime:

-Vendi i parë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Vendi i parë në konkursin “Maria Kraja”

-Medalje me “Urdhrin Nairn Frashëri” për aktivitete me nivel të lartë artistik.

-Çmimin e Parë në Konkursin Internacional të Operës Lirike në Sulmona (Itali)

-Medalje e Artë për karrierën “Foyer Des Artistes” Romë (Qendër internacionale e Kulturës dhe Shkencave Sociale) e njohur nga Presidenza del Consiglio dei Ministeri Romë, Itali.

  -Ju rridhni nga një familje me tradita muzikantësh?

Po! Kjo është origjina ime. Unë vij nga një familje muzikantësh. Gjyshi im Veli Spaho ka qenë klarinetist i parë i zonës së Devollit. Ka emigruar që në vitet 1899 në Amerikë. Atje është lidhur me shqiptarët në Amerikë. Ka kontribuar me punën e tij, me shqiptarë të tjerë që punonin dhe bënin koncerte pasi dhe atje i binte klarinetës. Më vonë pasi është kthyer nga Amerika ka emigruar në Greqi, ku ka jetuar 15 vjet. Në kohën kur u çlirua zona jonë e Devollit ai ka organizuar një orkestër bashkë me babain e Lame Muzikantit. Babai im Mexhiti dhe xhaxhai im Hyseni, luanin më mirë në lahutë ndërsa xhaxhai tjetër Mehmeti luante në klarinetë. Të gjithë si familje ishim muzikantë. Unë pëlqeja shumë këngëtaren Hafize Leskoviku dhe si ajo doja të këndoja.

Edhe gjyshi i mamasë tim ka kënduar, edhe mamaja ime, edhe  babai ka kënduar. E kemi si traditë muzikën.

Nga kush more edukatë kënge?

 Unë që e vogël ndiqja mamin që këndonte dhe këndoja dhe unë. Kam kënduar fëmijë që në kopsht dhe në vijimësi. Kam marrë pjesë nëpër Festivalet e Fëmijëve në Durrës, Korçë, Shkodër dhe kështu fitova emër që 6 vjeç.

Pastaj fitova një konkurs në lice. Aty fillova të  bëj jehonë me një zë të veçantë. Punova me ansamblin “Skënderbeu”. Më ka ndihmuar shumë  Pavllo Sholla që ishte një dirigjent i madh. Pastaj erdha këtu në Tiranë. Bëra një konkurs. Ishin ditët që luhej me të ardhmen time.

 A e fitove konkursin dhe kush ka qenë në juri?

 Fitova konkursin në Akademinë e Arteve. Atëherë në Juri ka qenë Ramiz Kovaçi, Shpresa Nishani, Nina Mula, Burhan Spahiu, edhe të tjerë. Kisha shumë emocione përpara atyre njerëzve që kishin famë. Unë dola një nga zërat më të bukur dhe e fitova me meritë këtë konkurs. Në fakt në fillim u futa si soprano.

Si vazhdoi rruga juaj e artit?

Unë luftova për t’u futur në  Teatrin e Operës, por nuk më mori Opera në  atë kohë. Në hapat e para të demokracisë unë  dhashë një audicion të veçantë. Emri im ishte shkruar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës për të marrë pjesë në Konkursin Internacional të Operës Lirike në Sulmona në Itali.  Do merrja pjesë në Konkursin Ndërkombëtar “Maria Kanilja” në Sulmona. Kishin ardhur agjentë nga zërat italianë në Shqipëri për të thithur elementë. Ata ishin personalitete nga zërat e veçantë të operës dhe vendosa të futem në konkurs. Bëra një audicion, dola  shumë mirë. Ata më pëlqyen.. Më thanë që të shkoja në Itali. Ishte Maj i vitit 1991. Unë në atë kohë nuk  dija as italisht. Mësova disa fjalë italisht dhe mora një person nga teatri i operës që e zotëronte këtë gjuhë. Rafaele Guerra quhej italiani që do të komunikonte me mua. Takimi ishte lënë tek Hotel Tirana.. Biseduan tek holli, më mori emër dhe  mbiemër dhe  më vonë më erdhi ftesa  për të  shkuar dhe  konkurruar në Sulmona. Në konkurs zura vend të parë. Talentet e mëdhenj dalin nga balta dhe nga toka. S’e besoja që kisha fituar. Më thanë që të firmosja një kontratë për të qëndruar në Sulmona.

 Vendose të qëndroje?

 Atje  nuk rrija dot se unë lashë djalin këtu në Tiranë. Unë kam vetëm një djalë që quhet Klaudio. Kur ika unë për konkurrim në Itali djali ishte 10-11 vjeç. Kur dola mirë në  konkurs, pas kërkesës së tyre për të qëndruar në Sulmona ishe e dyzuar, Të rrija, apo të nisesha tek djali?  Mua më dolën garant dy motra dhe më thanë: Ti nuk do të  kthehesh në Shqipëri. Ti je një talent dhe ti e ke vendin këtu. Ne do të ndihmojmë dhe  t’i duhet të rrish. Kur fitova konkursin mbas dy ditësh duhej të nisesha për në Shqipëri. Dy motrat me lot më thanë të mos nisesha. Unë vendosa dhe qëndrova në Itali. Sa kam qarë atë ditë që vendosa të rrija. Në Shqipëri unë luftova një jetë të tërë dhe nuk fitova gjë, ndërsa në Itali vokali im u vlerësua shumë.

 Në gjithë këto skena, kush të ka munguar për të ecur ende më shumë?

Publiciteti. S’kam pasur njeri të më bëjë publicitet.  Nuk kisha një njeri që të më bënte një fotografi. Gjithë këto role thuajse nuk kam asnjë foto. Nga ana tjetër mendoja familjen dhe djalin tim. Disa fotografi i kam mbledhur nga teatrot, ku kam shkuar.

 Sa vjet ndenje pa parë djalin?

 (Loton). Fiks tre vjet. E kupton se çfarë sakrifice? Në vitin 1994 kam marrë djalin në Itali.. Sakrifikova që të bëja dy lekë mënjanë që  të mbijetoja në Itali. E mora djalin në Romë e vendosa në Kolegj dhe pastaj ika në Gjermani, ku bëra një edicion në teatrin e operës.

Pra konkurruat në Gjermani?

Po. Në vitin 1994 fitoj konkursin Internacional Lirik dhe emërohem soliste në Teatrin e Operës në Bon të Gjermanisë. Ky ishte një sukses tjetër i imi. Drejtor i Teatrit dhe i Operës në Bon ka qenë Xhankarlo Del Monako (ky është i biri i tenorit të  madh internacional italian që e kishte emrin Mario Del Monako). Nën drejtimin artistik të sovrintendentit dhe regjisorit italian Xhankarlo Del Monako arrita shumë suksese.  Në Bon firmosa kontratën për tre vjet. Aty kam bërë role nga më të ndryshmit sepse teatri qendror  në Gjermani funksion në këtë mënyrë: duhet t’i bësh të gjitha që  nga roli më i vogël deri tek roli më i madh. Në Bon kam bërë Karmenin, kam kënduar në shumë  pjesë të mëdha botërore. Ka ardhur në skenë  dhe më ka parë duke punuar me Xhankarlo Del Monikon, Nikolin Gurakuqi (regjisor i talentuar shqiptar).

 Po në Festivalet e RTSH-së a ke marrë pjesë?

 Po. Kam marrë pjesë në Festivalin e 14-të të Radiotelevizionit Shqiptar dhe ku me këngën “Si lule bjeshke”, me muzikë të Naim Gjoshit dhe tekst të Basir Bushkashit, fitova çmimin e tretë. Ishte një nga ditët më të bukura të jetës time. Ashtu e vogël në atë moshë arrita të konkurroj në një nga spektaklet më të  bukura që ka nxjerrë dhe po nxjerr vendi ynë. Po ashtu në festivalin tjetër mora pjesë me këngën  “Gonxhe në pemën e lirisë”, të cilën e këndoi Vaçe Zela, ndërsa unë isha dublante.

 Së fundi jeni kthyer në Tiranë?

Tani unë jam kthyer në Tiranë për motive familjare. Në Tiranë jam kthyer përfundimisht dhe shkoj e vij në Itali kur më ftojnë për ndonjë rol të veçantë  apo për ndonjë aktivitet. Jam vendosur në Akademinë e Arteve si pedagoge e jashtme.