Shpërthim me tritol në banesën e tregtarit, kapet një i dyshuar

590
Sigal

Një shpërthim i fuqishëm me tritol në orët e para të ditës së djeshme ka shkatërruar banesën e një tregtari në Shkodër duke shkaktuar dëme material në ashensor e hyrjet e fqinjëve në pallat, por fatmirësisht ka shpëtuar jeta e 8 personave që ishin gjatë natës në atë banesë. Objekt i tritol-vënies ka qenë shtëpia e 34-vjeçarit Bledar Canka në katin e pestë të një pallati në lagjen “Salo Halili”. Nga hetimet e para dyshohet se shkak i tritol vënies në banesën e biznesmenit të qytetit verior të jetë konkurrenca ose ndonjë konflikt i mundshëm i tij me persona të tjerë. Ngjarja e rëndë e shpërthimit me tritol, që pason shumë të tjera njëra pas tjetrës gjatë ditëve të fundit, ka krijuar terror e pasiguri për jetën tek qytetarët. Në orët e vona të pasdites, policia lokale konfirmoi se ka arrestuar një të dyshuar për atentatit dhe se po punohet për arrestimin e bashkëpunëtorit tjetër në këtë krim të rëndë.

SHPËRTHIMI ME TRITOL

Kanë qenë orët e para të ditës së djeshme, kur një shpërthim i fuqishëm në një pallat, tronditi banorët e lagjes “Sali Halili” në Shkodër. Konfirmohet se, “shpërthim tritoli në derën e apartamentit të një tregtari në Shkodër, në katin e 5, në vendin e quajtur “Kompleksi Ura”, para hyrjes së shtetasit Bledar Canka, 34 vjeç, një person që merret me tregti. “Lënda plasëse e aktivizuar me telekomandë është vendosur në derën e apartamentit në pronësi të 34- vjeçarit Canka. Nga shpërthimi nuk ka dëmtime në njerëz, por ka vetëm dëme materiale. Është dëmtuar dera, fasadat e mureve, orendi të shtëpisë si dhe ashensori i pallatit. Familjarët e 34-vjeçarit kanë dalë më pas jashtë të terrorizuar, ndërsa policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Mësohet se në momentin kur ka ndodhur shpërthimi në banesë kanë qenë 8 persona vetë tregtari Cangaj, gruaja e tij, dy fëmijët, prindërit e tij dhe motra me një fëmijë të saj. Në një prononcim të shkurtër pas shpërthimit, krye familjari pohoi se: “Nuk kam konflikte me asnjeri, nuk e di se prej kujt e kam këtë tritol, më kanë terrorizuar familjen”.

HETIMET

Pas shpërthimit të fuqishëm, në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar në komisariatin e policisë rreth 8 persona si dhe janë kryer disa kontrolle banesash. Policia ka vënë në pranga një nga autorët e shpërthimit të banesës së tregtarit në Shkodër. Marsetian Guri është arrestuar pasditen e sotme nga policia ndërsa autori tjetër i shpërthimit, Shkëlzen Xhenja është shpallur në kërkim. Dy personat e mësipërm akuzohen për shkatërrim të pronës me eksploziv. Por në komunikatën zyrtare të policisë, nuk janë dhënë shkaqet e vënies së tritolit në banesën e tregtarit si dhe detaje të tjera për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë akt kriminal.